E Diel, 1 Nëntor 2026

15 janar,mbaroi afati i regjistrimit “biznes i madh”

TIRANE- Bizneset e vogla me xhiro 5-8 milionë lekë, që në bazë të vendimit të fundit të qeverisë do të konsiderohen si subjekt i TVSH-së, duhej të paraqiteshin deri sot në Drejtoritë Rajonale Tatimore për të kryer procedurën përkatëse. Me Vendim të Këshillit të Ministrave, nr. 1058, datë 21.10.2009, kufiri minimal i regjistrimit në Tatimin e Vlerës së Shtuar është ulur nga 8 mln lekë, në 5 mln lekë. Kjo do të thotë që të gjitha ato biznese që parashikohet të tejkalojnë vëllimin e qarkullimit për vitin 2009 mbi 5 mln lekë, do të përfshihen në skemën e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH). Në zbatim të këtij Vendimi, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka nxjerrë Qarkoren Nr.1, datë 24.12.2009 “Për përcaktimin e procedurave për kalimin e subjekteve si subjekte të TVSH-së”. Sipas kësaj Qarkoreje, bizneset janë ndarë në dy kategori. Kategoria A: Të gjithë ata persona fizikë apo juridikë, qarkullimi i të cilëve për vitin 2009 tejkalon ose parashikohet të tejkalojë 8 milionë lekë për këtë vit kalendarik, janë të detyruar të kërkojnë të regjistrohen për TVSH-në që nga 1 janari i vitit 2010, brenda afatit 1-15 janar 2010. Me anë të këtij regjistrimi, këta tatimpagues për vitin 2010 e në vazhdim do të paguajnë TVSH, Tatim Fitimi, sigurime shoqërore e shëndetësore dhe TAP (sipas rastit). Për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore dhe TAP, detyrimi për deklarim për këta tatimpagues nuk do jetë një herë në tre muaj, por muaj për muaj, sipas afateve të përcaktuar në legjislacionin fiskal ekzistues.Kategoria B: Të gjithë ata persona fizikë apo juridikë, qarkullimi i të cilëve për vitin 2009 tejkalon ose parashikohet të tejkalojë 5 milionë lekë për këtë vit kalendarik, janë të detyruar të kërkojnë të regjistrohen për TVSH-në që nga 1 janari i vitit 2010, brenda afatit 1-15 janar 2010.(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›