E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha-raporterëve të KiE: Gati për bashkëpunim me PS-në

është e domosdoshme një reformë zgjedhore që t’i përgjigjet të gjitha shqetësimeve të vërejtura deri tani, të bëhen më të qarta ato pjesë të procesit që nuk kanë qenë të precizuara shumë mirë në Kodin aktual...”

TIRANË Mazhoranca ishte në unison dje në mesazhin, që u përcoll te bashkëraportuesit e Komisionit të Monitorimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës. Në takime të veçanta, Kryeministri Sali Berisha dhe kryetari i LSI-së, Ilir Meta, kanë shprehur gatishmërinë për bashkëpunim me opozitën për rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, për zgjedhjet parlamentare të 2013. Në takimin e zhvilluar në kryeministri, bashkëraportuesit e Komisionit të Monitorimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Senatori çek, Tomas Jirsa, dhe deputeti moldav Grigore Petrencotë, të cilët ndodhen në Shqipëri me një mision faktmbledhës, u njohën nga kreu i ekzekutivit mbi ecurinë e procesit zgjedhor në Shqipëri. “Kryeministri Berisha i njohu bashkëbiseduesit me të gjitha zhvillimet, për sa i përket zgjedhjeve vendore të 8 majit 2011 dhe u rikonfirmoi vullnetin dhe vendosmërinë e plotë të qeverisë shqiptare, për të bashkëpunuar në mënyrë tërësisht të hapur e transparente me opozitën, për të adresuar të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR, për zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme të vitit 2013, por dhe bashkëpunim për reforma të tjera, që kërkojnë shumicë të cilësuar”, thuhet në njoftimin për shtyp të Kryeministrisë. Edhe pas takimit të zhvilluar me bashkëraportuesit në selinë e Lëvizjes Socialiste për Integrim, kryetari i kësaj force politike, Ilir Meta, u shpreh për mediat se me dy reporterët ishte diskutuar për situatën post-zgjedhore dhe për perspektivën e funksionimit të institucioneve në të ardhmen. Kryetari i LSI-së tha se kishte ndarë të njëjtin mendim me dy të dërguarit e Asamblesë Parlamentare të KiE-s, për zgjedhjet e 8 majit, që ishin të standardeve europiane dhe ku qytetarët treguan vullnetin e tyre. “Gjatë këtij takimi me raporterët e Asamblesë së përgjithshme të Këshillit të Europës diskutuam lidhur me situatën paszgjedhore dhe njëkohësisht edhe me perspektivën e funksionimit të institucioneve në të ardhmen dhe në këtë drejtim ndamë mendime të përbashkëta se këto ishin zgjedhje vërtetë të jashtëzakonshme të standardeve evropiane, ku qytetarët shqiptarë demonstruan në mënyrën më paqësore dhe më demokratike vullnetin e tyre”, - tha Meta. Duke u ndalur te rezultati i Bashkisë së Tiranës, kryetari i LSI-së theksoi se një rezultat kaq i ngushtë do të sillte funksionimin e të gjitha hapësirave dhe mundësive që i jep Kodi Zgjedhor për secilën palë për të arritur rezultatin e dëshiruar. “Po kështu ndamë të njëjtin mendim që një rezultat ekstremist kaq i ngushtë, sikurse ishte ky i zgjedhjeve në Bashkinë e Tiranës, natyrisht që do të sillte një funksionim të të gjitha hapësirave dhe mundësive që i jep Kodi Zgjedhor për secilën, palë për të arritur rezultatin e dëshiruar dhe në këtë drejtim ndamë të njëjtin mendim se, vendimet e gjykatave janë të padiskutueshme. Ndërsa për të ardhmen, po kështu ndamë mendimin e përbashkët se është e domosdoshme një reformë zgjedhore, që t’i përgjigjet të gjitha shqetësimeve të vërejtura deri tani të bëhen më të qarta ato pjesë të procesit që nuk kanë qenë të precizuara shumë mirë në kodin aktual dhe njëkohësisht për këtë, ekspertiza e Komisionit të Venecias ishte e mirëpritur”, tha Meta.

Vizita e dy raporterëve në Shqipëri ka si qëllim opinionin fakt-mbledhës për situatën politike që po kalon vendi.

N.P

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›