Mandati i PS, Braçe: Po e zvarrisni, Topalli: Konomi smund të ketë dy mandate
Mandati i deputetit që do të zëvendësojë Rudina Seserin në Kuvend është kthyer në temë debati gjatë seancës së sotme.
Deputeti socialist Erion Braçe u shpreh në fjalën e tij se futja e deputetit Edison Konomi, i cili zëvendëson Seserin në Kuvend, po zvarritet nga kryeparlamentarja, pavarësisht vendimit të KQZ-së.
Nuk arrij ta kuptoj pse shtyhet kur edhe KQZ ka marrë vendimin për ti dhënë mandatin e deputetit. Ende nuk po mblidhet Këshilli që e drejtoni ju për ti dhënë rrugë kësaj çështje. Në momentin që e merr këtë mandat, deputeti ka të drejtë të vijë në sallë e të bëjë betimin. Por, ende nuk po mblidhet Këshilli i Rregullores, që e drejtoni ju, për t`i dhënë rrugë kësaj çështjeje”, iu drejtua Braçe kryeparlamentares Topalli.
Ndërsa kryetarja e Kuvendit e ka argumentuar vonesën me mosdorëzimin e mandatit të anëtarit të Këshillit Bashkiak të Durrësit, nga ana e Edison Konomit.
“Në këtë mbledhje bëra me dije se deputeti i ri, Edison Konomi, të cilit i takon karrigia e grupit të PS-së, ka përsëri dy mandate, një si anëtar i Këshillit Bashkiak të Durrësit dhe një si deputet. Administrata e Kuvendit ka pritur që ai të dorëzojë mandatin e anëtarit të Këshillit, por ai nuk e ka bërë ende. Pasi të dorëzojë këtë mandat do të mblidhet Këshilli i Rregullores dhe pastaj sipas procedurave do të ulet në karrigen e Parlamentit.” – u shpreh Topalli. / G.N.