E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mandati i PS, Rama: Po kthejnë krizën

Edi Rama, në mbledhjen e Grupit të PS

Kreu i PS i cilëson antidemokratike përpjekjet e Topallit për të bllokuar mandatin e PS në Kuvend.

Debate në mbledhjen e Grupit, kreu i PS: Do presim dhe këtë të enjte.

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, tha dje se maxhoranca po tenton të vjedhë mandatin e deputetit të kësaj partie në qarkun e Durrësit. Duke folur në mbledhjen e Grupit Parlamentar socialist, Rama i bëri apel Kryeministrit të mos e kthejë këtë çështje në një krizë të re politike, në një kohë që e gjithë klasa politike po bën përpjekje për procesin e integrimit. Kemi informuar për këtë qoftë publikun, qoftë komunitetin ndërkombëtar dhe apeli im për Kryeministrin është të heqë dorë menjëherë nga mandati i deputetit socialist për të mos hapur një andrallë të re e shumë të madhe për funksionimin e Parlamentit, në një kohë kur të gjithë duhet të bëjmë çmos për të marrë statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian. Sigurisht që ne sdo presim kaq sa kemi pritur, por ende dua të shpresoj se ky problem nuk do të kthehet në një krizë të re politike, u shpreh Rama. Ndërkohë, nënkryetari i Grupit Parlamentar, Erjon Braçe, ka kërkuar një qëndrim të fortë nga Partia Socialiste për këtë veprim të maxhorancës dhe kryetares së Kuvendit, Topalli. Por ishte kreu i PS dhe kryetari i Grupit, të cilët kanë kërkuar që debati të shtyhet për javën e ardhshme deri në një reagim të faktorit ndërkombëtar, me të cilët selia rozë po konsultohet për këtë veprim. Kryesocialisti tha se nuk do të lejojë që të vidhet një tjetër mandat nga kjo maxhorancë. Ne jemi me plot të drejtë të shqetësuar për një tjetër goditje antidemokratike ndaj opozitës në Kuvend, ku nën udhëheqjen e spikeres së Kuvendit po orkestrohet tentativa e një tjetër krimi elektoral, për bllokimin në pafundësi me qëllim final vjedhjen e një mandati deputeti opozitar. Për muaj me radhë, ne kemi kërkuar që kjo çështje e qartë si drita e diellit nga ana kushtetuese e ligjore të zgjidhet përmes arsyes, por askush nuk duhet të mendojë se, duke bllokuar rrugën e arsyes, do të imponojë një tjetër vjedhje votash ditën për diell me procedura perverse si ato të 8 majit në Tiranë, këtë herë mu brenda në sallën e Kuvendit, u shpreh Rama. Maxhoranca do të çojë në Gjykatën Kushtetuese mandatin e PS-së në Kuvend pas dorëheqjes së Rudina Seserit. Ky vendim u propozua dje nga kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, në Këshillin për Rregulloren, Mandatet Dhe Imunitetin në Kuvendin e Shqipërisë. Ky propozim u kundërshtua fort nga socialistët, që e kanë cilësuar të rrezikshme këtë procedurë, ndërsa kanë kërkuar dërgimin në KQZ të një kërkesë që të bëjë zëvendësimin e Gjon Bardhit, i cili nuk pranoi mandatin e deputetit, për shkak se është zgjedhur në krye të Bashkisë së Fushë-Krujës, me Edison Konomin.

Debati në Grupin e PS
Erjon Braçe:
Ne duhet të mbajmë një qëndrim të fortë ndaj mandatit që maxhoranca kërkon të na e zvarrisë. Ky është një skandal i madh dhe ne sduhet ta lejojmë. Është e kotë që flasim për reforma, konsensus apo bashkëpunim me maxhorancën, për lista elektronike, kontroll elektronik të kartave apo numërim elektronik. Këta po na vjedhin mandatin mu në mes të Tiranës, në Parlament dhe me dhunë madje.
Gramoz Ruçi: Ende nuk është marrë vendim për ta çuar në Gjykatën Kushtetuese. Në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Imuniteteve dhe Mandateve, ne vendosëm të mblidhemi sërish. Ndërkohë po komunikojmë dhe me faktorin ndërkombëtar. Sot pasdite, kryetari ka takim dhe me raporterët e Këshillit të Europës dhe do të ketë dhe aty një qëndrim.
Erjon Braçe: Faktori ndërkombëtar mund të bëjë punën e vet, ne duhet të bëjmë detyrimin tonë para zgjedhësve.
Edi Rama: Debatin për çështjen e mandatit do ta lëmë për javën  tjetër. Do të shikojmë edhe reagimin që do të ketë nga maxhoranca ditën e enjte ne seancë. Do kemi një qëndrim politik në vazhdim.
Debati ynë parlamentar ditën e enjte duhet të fokusohet te propozimet tona për përmirësimin e jetës së fermerit, propozimin për uljen e TVSH-së së inputeve bujqësore dhe propozimin për uljen e akcizës së naftës. Të dyja këto nisma janë gati dhe meritojnë të gjithë këmbënguljen dhe pasionin politik të Grupit socialist për ti çuar përpara në komunikimin me publikun dhe në debatin e brendshëm parlamentar.
Ilir Gjoni: Ka kaluar një muaj nga kërkesa e depozituar në Kuvend për amendime në ligjin për kufijtë detarë me Greqinë. Duhet ta ngremë me forcë edhe këtë çështje.
Edi Rama: Sot dua të urojmë ditëlindjen e tre deputetëve tanë, që këto ditë kishin ditëlindjen, duke i përgëzuar dhe për kontributin e tyre, Erjon Braçe, Eduard Shalsi dhe Qemal Minxhozi. Dhe sot, në Grupin Parlamentar kemi një dyzetvjeçar më shumë, që është Erioni dora vetë. Ti urojmë deputetët me një gotë shampanjë dhe një copë tortë.
Erion Braçe: Nuk e pranoj të më qerasin për ditëlindjen time, qeras vetë. Por si rregull 40-vjetori nuk festohet!

Topalli: Mandati i PS, por sipas ligjit
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, i cilësoi qesharake sulmet e kreut të PS-së, Edi Rama. Përmes një reagimi për mediat, Topalli saktëson se për të shpallur antikushtetues vendimin e KQZ lidhur me vendosjen e zotit Gjon Bardhi si personi që i takon mandati i deputetit, nuk e ka as Këshilli, as Kryetarja, por vetëm Gjykata Kushtetuese. Akuza e zotit Rama është thjesht qesharake dhe e pabazë, sepse disa javë më parë KQZ ka vendosur zotin Gjon Bardhi si personin që i takon mandati i deputetit. Gjatë kësaj kohe, PS ka pasur mundësi ta ankimojë këtë vendim në Gjykatën e Apelit, gjë që PS nuk e ka bërë. Është i padiskutueshëm fakti se ky mandat i përket PS, por modalitetet duhet të jenë vetëm ligjore, thuhet në njoftimin e Kuvendit.

PS me dy nisma për fermerët, Rama: PD po na kopjon programin

Grupi socialist propozon heqjen e akcizës së naftës
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, prezantoi dy nisma që selia rozë do të depozitojë në Kuvend që ka lidhje me zhvillimin rural. Në fshatin shqiptar jeton ende rreth gjysma e popullsisë së vendit. Teksa qeveria propozon projektligjin për shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor, të cilin siç e thashë nuk e kundërshtojmë në parim, ne do të kërkojmë me ngulm miratimin e dy nismave të tjera me rëndësi emergjente për fshatin: propozimin për uljen e TVSH-së së inputeve bujqësore dhe propozimin për uljen e akcizës së naftës. Të dyja këto nisma janë gati dhe meritojnë të gjithë këmbënguljen dhe pasionin politik të Grupit socialist, për ti çuar përpara në komunikimin me publikun dhe në debatin e brendshëm parlamentar, u shpreh Rama. Ai solli në vëmendje iniciativën e qeverisë, e cila sipas tij ka kopjuar nga projekti ynë Për një Rilindje Shqiptare një element të rëndësishëm të vizionit për zhvillimin rural dhe ka sjellë në Kuvend një nismë për nxitjen e bashkimit të fermerëve në shoqëri të bashkëpunimit bujqësor. Çmimi i naftës që përdoret sot në zonat rurale, është trefishuar në raport me 7 vjet më parë. Ureja, nitrati apo superfosfati, të domosdoshme për zhvillimin bujqësor, janë shtrenjtuar mesatarisht 75%. Në këto kushte, gjendja e fermerit është e papërballueshme, u shpreh Rama.

Nismat e PS

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›