E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mandati i Seserit, Berisha: Akuzat e Ramës, absurde

Kryeministri Berisha i ka cilësuar si absurde deklaratat e kreut të PS-së Edi Rama se mazhoranca kërkon t`i vjedhë mandatin e deputetit socialist. Duke folur në mbledhjen e grupit të PD-së, kryeministri Berisha sot se maxhoranca nuk ka asnjë qëllim të grabisë mandatin e opozitës ndërsa garantoi se kësaj çështjeje do t`i jepet zgjidhje në përputhje të plotë me ligjet dhe Kushtetutën e vendit.

 “Ka 1 muaj që kryetari i PS-së në mënyrën në absurde, akuzon këtë mazhorancë se do ti vjedhë mandatin e Seserit. Ky e bën në një mënyrë shumë të paskrupullt, pasi e ka të qartë se mandati nuk mund ti merret dhe nuk kemi tendecë të përvetësojmë një mandat që nuk na takon” ka theksuar Berisha.


Berisha ka akuzuar Ramën për sulme politike ndaj tij dhe shumicës, duke theksuar se maxhoranca nuk mund të pranojë t`i diktohen rregulla sui generis si i dikton Rama në partinë e tij.

“Lanë të digjen të gjitha afatet për t`iu drejtuar Gjykatës së Apelit nëse ishte bërë padrejtësi nga KQZ dhe kërkojnë të bëjnë gjykatës komisionin e Rregullores që s`ka asnjë tagër përveç se ti drejtohet parlamentit me mendimin e tij, kërkojnë të bëjnë kryegjykatëse kryetaren e Kuvendit vetëm për akuza politike. Kjo maxhorancë është e detyruar të respektojë ligjet e vendit, ndaj kërcënimi se do bllokojë reformën. O zotëri nuk është opozita argat. Nëse ti e quan atë argat asnjë ditë mos bashkëpuno. Ne nuk e kemi opozitë argate. Ajo është sovrane dhe ka programin e saj që ia ka paraqitur shqiptarëve ” shtoi Berisha.

Sipas tij, nëse Gjykata Kushtetuese është shprehur për një rast analog, atëherë të respektohet vendimi, por deri sot kreu i grupit parlamentar si faktojnë procesverbalet i është kundërvënë vendimit të kushtetueses.

“Rama do t`i zgjidhë në mënyrën e tij në mospërfillje të plotë të kushtetutës dhe ligjeve të vendit dhe ka një muaj që akuzon këtë shumicë që do t`i marrë mandatin dhe se e kemi problemin te zgjedhja e presidentit. Beteja që bëhet është se si t`i bashkojë aleatët me Bamirin dhe i la pa mend. I ka mbajt deri tani me mashtrime dhe tani u thotë shkoni te Bamiri” theksoi më tej Berisha.

Gjithashtu kryeministri ka reaguar edhe për publikimin në media të deklaratës së tij në Turqi se shqiptarët kanë lidhje gjaku me turqit.  “Meqenëse disa patriot pa atdhe janë ndjerë të lënduar se pse unë kam folur për lidhje gjaku u them këtyre që shesin injorancën e tyre çdo ditë në shkrime se cila është origjina e fiseve ilire dhe ajo e fiseve turke është qartësisht e njohur, por të mendosh se vetëm gjaku i fiseve qenka lidhja e vetme e gjakut është qesharake, janë mbi 6 milionë shqiptarë në Turqi, me miliona martesa dhe është botërisht pasioni i turqve për të marrë shqiptare, e kanë këtë” theksoi Berisha.

Sipas Berishës janë të kota “pikëllimet” e historianëve, pasi kjo është një deklaratë mëse e vërtetë ndërsa shtoi se në Turqi jetojnë më shumë shqiptarë se në Ballkan.

“Në atë shtet ka më shumë shqiptarë se në Ballkan, ky është realiteti. Historia e dy vendeve është një histori që daton në shekuj. Shqiptarët ndjehen krenarë me Skëndërbeun, dhe kanë të drejtë po nuk mund të injorojnë dhe Barbarosën që ishte shqiptar, ishte zoti i deteve, janë krenar me Lekën, por nuk mund të mohojnë Sinan Pashanë që zotëroi vendet nga deti Balltik në detrat e Jemenit. Janë krenar me Naimin por nuk mund të injorojnë Samiun ndër themeluesit e Turqisë moderne. Perandoria është në arkiv. 100 vitet janë vitet e bashkëpunimit mes dy vendeve sovrane”, shtoi më tej Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›