E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mandati i dytë i PD-së, zgjidhja përfundimtare e pronës

Kryeministri Sali Berisha premtoi dje zgjidhje përfundimtare të problemit të pronës në mandatin e dytë. Në konferencën e djeshme për shtyp, për përkujtimin e 22 marsit 1992, Berisha tha se ky problem do të gjejë zgjidhje në katër vitet e ardhshme. “Kjo qeveri ka vullnet të hekurt për t`i dhënë përgjigje përfundimtare këtij problemi dhe mandati i dytë do të jetë mandati i zgjidhjes përfundimtare të problemit të pronësisë”, - tha Berisha i cili shtoi se gjatë këtyre viteve janë realizuar një sërë reformash për përmirësimin e çështjes së pronës. Kreu i qeverisë tha se problemi është i mbartur, pasi sipas tij, 8 vitet e PS-së në pushtet ishin “ishin vitet e ndërtimit të “Dajtit” të falsifikimit”.

I pyetur nga gazetarët në lidhje me akuzat e tij ndaj prokurorisë një ditë më parë, në lidhje me individin që sipas tij po përdor prokurorinë si parti politike, Berisha tha: “Në qoftë se ju kërkoni që çdo gjë ta merrni vesh, do të përdor një shprehje popullore, “do ta them tullë”, kjo do të ishte një fyerje për ju, sepse nuk do të gjeni ndonjëherë një politikan që shprehet më haptazi se unë”. Ai shtoi se qytetarët nuk kanë rënë pre e akuzave politike dhe një përgjigje të tillë, sipas Berishës, e dhanë qytetarët e Kasharit që nxorën të katërtën PS-në.

Në konferencën për shtyp, Berisha tha se koalicioni paszgjedor i paralajmëruar mes PS-së dhe LSI-së është koalicion humbës. “Që të dyja të bindura në humbjen e tyre të sigurt, lëshojnë thirrje dhe apele të nëndheshme e mbidheshme për koalicion, por kur të shohin veshin e tyre pa pasqyrë, atëherë do të bëjnë koalicion me forcën fitimtare në zgjedhje që është Partia Demokratike. Duan që përgjegjësinë e humbjes ta ndajnë njëri me tjetrin”, - tha Berisha. Njëkohësisht ai i bëri thirrje kreut të PS-së që të shkojnë së bashku për të bërë aplikimin për kartë identiteti. “E ftoj kryetarin e Partisë Socialiste të bashkërendojmë kohën, në të cilën të marrim këto dokumente, meqenëse nuk jemi të gjendjeve civile të njëjta, sepse ai është në Pezë, por ai nga gjendja civile e Pezës dhe unë nga e lagjes sime në të njëjtën kohë të shkojmë të lëshojmë të njëjtin apel ndaj shqiptarëve për t`u pajisur me këto karta”, - shtoi kreu i mazhorancës.

Ndërkaq, duke folur për rëndësinë historike të fitores së zgjedhjeve të 22 marsit 1992 nga PD-ja, Kryeministri Berisha tha se ajo mbetet ditë historike për kombin shqiptar. “Fitorja e 22 Marsit ishte historike edhe për faktin se ne, me votën tonë, nuk lejuam që Shqipëria të mbetej nën diktaturë, si Serbia. Nuk lejuam që Ramiz Alia të zëvendësonte pluralizmin politik që themeluam në vitin ’90 me pluralizmin burokratik”, - tha Berisha. Sipas tij, qytetarët shqiptarë zgjodhën orën e djathtë në vitin 1992, sepse dëshironin që vendi i tyre të bëhej si e gjithë Evropa.

”Rama t’i kërkonte falje Tropojës”

Gjatë konferencës së djeshme për shtyp, kreu i mazhorancës u pyet nga media për vizitën e kryetarit socialist, Edi Rama, në Tropojë. Berisha tha se fillimisht Rama duhet të kërkojë të falur për qytetarët e Tropojës. Kreu i qeverisë tha se gjatë viteve që Rama ka qenë ministër Kulture, në Tropojë ka pasur vrasje që sipas tij, u kryen “nga uniformat e njerëzve të Ramës”. “Rama duhet t’u kërkonte të falur atyre nënave, atyre familjeve për varret që hapën bandat me grada dhe uniforma policie, duhej ta bënte këtë. Çdo rreth në këtë vend ka historinë e vet, por ai rreth ka 1001 arsye për të qenë krenar me historinë e tij në të gjitha luftërat dhe përpjekjet absolutisht nuk ka qenë vetëm se në vend të parë. Tjetër çështje që sot nuk ka shumë interes për historinë, ndaj dhe e ndoqa me shumë interes vizitën e Ramës, prita të kërkonte të falur e them me sinqeritet këtë”, - deklaroi Berisha.

Kryeministri tha se ishte çdo ditë, çdo javë, çdo muaj në Tropojë, duke theksuar faktin se ky rreth po ndryshonte çdo ditë nga investimet e qeverisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›