Rama në Tropojë: Koha për bashkim të ri
Kryetari i PS-së theksoi se, me qeverisjen e 28 qershorit, do të nisë edhe ndryshimi i madh
TIRANË- Kryetari i PS-së, Edi Rama, ka bërë thirrje dje për bashkim, gjatë fjalës së mbajtur në Pallatin e Kulturës së Bajram Currit. Për të dytën herë në harkun kohor të më pak se një viti, Kryetari i PS-së, Edi Rama, i është drejtuar Tropojës, ku ka përcjellë të njëjtin mesazh, atë të bashkimit të madh të qytetarëve, për t'i dhënë fund lojës 18-vjeçare në kurriz të qytetarëve dhe për të ndërtuar, sipas tij, një qeverisje për qytetarët.
"Kjo zonë i ka vënë në dispozicion lëvizjes kundër diktaturës komuniste dhe pro Shqipërisë si gjithë Evropa, thuajse të gjithë djemtë dhe vajzat e veta. Sot, kjo zonë vazhdon të mbetet e harruar, vazhdon të mbetet jashtë rrugëve të zhvillimit, vazhdon të mbetet jashtë rrugëve të mirëqenies dhe punësimit.
Unë nuk jam në këtë garë për t'u ngjitur në qeveri bashkë me disa të tjerë, por jam në këtë garë për të transformuar këtë vend në mes të Evropës, ku nëna jonë na ka lindur dhe zoti na i ka dhënë të gjitha, për të qenë njësoj si të tjerët",- tha dje Rama.
Për këtë arsye, Kryetari i opozitës, theksoi se kishte ardhur në Tropojë për t'i dhënë jetë një bashkimi të ri, pa dallim moshe dhe gjinie, pa dallim përkatësie krahinore dhe partiake, përtej së majtës dhe së djathtës. "Këto zgjedhje janë një udhëkryq mes së shkuarës dhe së ardhmes.
Janë mundësia ideale për t'i dhënë jetë një bashkimi njerëzish, që kanë vendosur të jetojnë në këtë vend, apo që nuk kanë mundësi tjetër përveçse të jetojnë në këtë vend dhe që nuk duan të mbeten deri në fund të jetës së tyre peng i lojës së interesave të të njëjtëve personazhe dhe oborre familjare e klanore, sa djathtas e sa majtas",- tha ai.
Rama bëri thirrje për bashkim me të gjithë ata që duan një të ardhme të mirëqenë në këtë vend. Kryetari i opozitës u shpreh i bindur se, me qeverisjen e 28 qershorit, do të nisë dhe ndryshimi i shumëpritur në këtë vend të lodhur nga tranzicioni i pafund.