Vasili: Koalicion me PS-së, në rast se detyrohemi
Lëvizja Socialiste për Integrim bën të ditur se nuk ka lëvizur nga kursi i saj politik. Gjatë një konference për shtyp, sekretari i përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili, u shpreh se LSI-ja nuk do të bëjë koalicion parazgjedhor me PS-në. Sipas tij, një koalicion i mundshëm mund të realizohet pas zgjedhjeve, vetëm në rast se kjo situatë detyrohet nga rezultati zgjedhor. “LSI-ja ka qenë e bindur në qëndrimin e saj se socialistët dhe progresistët do të fitojnë zgjedhjet e ardhshme dhe për rrjedhojë, nëse LSI-së do t’i duhet që të bëjë një aleancë politike, natyrshëm do ta bëjë atë me Partinë Socialiste”, - tha Vasili. Sipas tij, ky qëndrim “është në koherencë të plotë me të gjithë objektivat dhe veprimet e saj politike”. Ai tha më tej se pozicioni politik i LSI-së është largimi nga pushteti i së djathtës. Gjithsesi, ai deklaroi se në pushtet do të vijnë progresistët dhe socialistët, pa përmendur PS-në e drejtuar nga Edi Rama. “LSI-ja ka pasur objektiv të pandryshuar të saj fitoren e të majtës dhe progresistëve dhe nxjerrjen në pension politik të Berishës në 28 qershor dhe ka vepruar në funksion të këtij qëllimi. Koalicioni fitues i socialistëve dhe progresistëve pas 28 qershorit 2009 do të jetë demonstrim i solidaritetit dhe përgjegjësive të mëdha për zgjidhjen e problemeve të vendit dhe aspiratave të mijëra qytetarëve në luftë me varfërinë, sigurimin e një vendi pune dhe të drejtësisë sociale”, - deklaroi Vasili.
Njëkohësisht LSI-ja i kërkoi qeverisë që të ndërhyjë në situatën e rënduar në komunën Synej, ku shumë banorë humbën shtëpitë nga erozioni i tokës. “Ne i kërkojmë qeverisë që të informojë saktë, në mënyrë të vazhdueshme dhe intensive qytetarët me të gjitha mjetet e informimit publik, që ata të evitojnë udhëtimet në akset e bllokuara që do t’u krijonin situata kritike atyre. Qeveria duhet të vërë në dispozicion mjetet e domosdoshme për të zgjidhur situatën dhe të mos presë përmirësimin pasiv dhe natyral të saj”, - deklaroi Vasili. Sipas tij, “qeveria dhe pushteti vendor duhet të bashkëpunojnë intensivisht dhe pa asnjë paragjykim politik, duke pasur prioritet të vetëm që t’u vijnë sa më parë në ndihmë mijëra qytetarëve të prekur nga pasojat”.
50 anëtarë largohen nga LSI-ja
Dukuria e kalimit të anëtarëve nga PS-ja te LSI-ja dhe anasjelltas vazhdon rëndom. Dje, 50 anëtarë të LSI-së në njësinë bashkiake numër 4 në Tiranë dorëzuan teserat e partisë për PS-në. Në deklaratën e tyre anëtarët janë shprehur kundër pajtimit të tyre me politikën që po ndjek LSI-ja, ndërsa bashkojnë votën me Partinë Socialiste për të larguar nga pushteti PD-në. “Ne vendosëm që të 50 anëtarët dhe mbështetësit tanë të largohemi nga kjo forcë, e cila i jep frymë Berishës”, - u shpreh ish-anëtari i LSI-së, Gjovalin Arapi.
Zgjedhjet, si do të numërohen votat
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miraton sot udhëzimet përkatëse për funksionimin e qendrave të votimit, numërimit të votave si dhe rolin e Policisë së Shtetit. Udhëzimi për numërimin e votave ka për qëllim të përcaktojë rregullat që duhet të ndiqen nga kryetarët e njësive të qeverisjes vendore, për numërtimin e zonave të qendrave të votimit në mënyrë unike në shkallë vendi. Sistemi Unik i Numërimit të zonave të qendrave të votimit (SUN) realizon numërtimin e vazhdueshëm të zonave të qendrave të votimit të ngritura në territorin e Republikës së Shqipërisë. Me anë të këtij sistemi bëhet i mundur identifikimi i zonës së qendrës së votimit nëpërmjet një numri të papërsëritshëm, në përkatësi të çdo njësie të qeverisjes vendore. Numërtimi i zonës së qendrës së votimit bëhet me anë të një numri katërshifror. Numërtimi fillon nga njësia e qeverisjes vendore në veri të vendit dhe konkretisht, nga zona e QV-së nr. 0001 e komunës Gruemirë, të qarkut Shkodër dhe vazhdon në mënyrë progresive në drejtimin veri-jug të vendit, deri në zonën e QV-së nr. 4734 të komunës Xarë, të qarkut Vlorë. Numrat që përdoren për numërtimin e zonave të QV-ve për çdo njësi të qeverisjes vendore jepen në pasqyrën 1, bashkëlidhur këtij udhëzimi. Zona e qendrës së votimit duhet të jetë brenda një territori kompakt e të pashkëputur gjeografik dhe numri i zgjedhësve për çdo qendër votimi nuk mund të jetë më i vogël se 150 dhe më i madh se 1000 zgjedhës, me përjashtim të institucioneve të posaçme ku qendra e votimit mund të ngrihet edhe kur në të ndodhen, të paktën 15 zgjedhës. Kufijtë e zonave të qendrave të votimit dhe numri i tyre caktohen nga kryetari i njësisë së qeverisjes vendore duke vepruar sipas këtij udhëzimi. Kufijtë ekzistues të zonës së qendrës së votimit ruhen edhe në zgjedhjet pasardhëse, me përjashtim të rastit kur bëhet i domosdoshëm ndryshimi për shkak të mosplotësimit të kushteve të përcaktuara në Kodin Zgjedhor. Meqë sistemi zgjedhor tashmë ka ndryshuar dhe meqë Kodi Zgjedhor ngarkon KQZ-në të bëjë numërtimin e zonave të QV-ve në mënyrë unike në shkallë vendi, del e nevojshme të miratohet nga KQZ-ja ky sistem numërtimi. Duke qenë se sistemi i miratuar më parë nga KQZ-ja është në përdorim për zgjedhjet e Kuvendit 2009, si nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile që administron bazën e të dhënave të listës së zgjedhësve dhe nga njësitë e qeverisjes vendore që hartojnë listën e zgjedhësve dhe ndryshimi i këtij sistemi në këtë moment do të sillte çrregullime, propozojmë që KQZ-ja të miratojë sistemin unik pa bërë ndryshime të numeracionit që i takon çdo njësie të qeverisjes vendore.
Fier, Melkert: Romët të integrohen në shoqëri
Ad Melkert, zv.sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, vizitoi dje qytetin e Fierit ku u takua me zyrtarët vendorë të këtij qyteti si dhe me minoritetin rom. Ai deklaroi se ky komunitet duhet të integrohet në shoqëri. Zv.sekretari i Përgjithshëm i OKB-së kreu një takim në kopshtin e fëmijëve që po ndërtohet nga PNUD-i, në lagjen e minoritetit rom në komunën Qendër. Sipas Melkertit, PNUD-i synon të ofrojë shërbime për rreth 40 fëmijë romë në këtë kopsht. Në komunën Qendër të Fierit Ad Melkert ka takuar banorë të minoritetit rom, duke theksuar se sigurimi i plotë i përfshirjes sociale në Shqipëri është parë si një provë ndaj aspiratave të vendit tonë drejt Bashkimit Evropian. “Kombet e Bashkuara në Shqipëri po mbështesin qeverinë shqiptare në zbatimin e strategjisë ndërsektoriale për përfshirjen sociale, si një komponent i strategjisë kombëtare për zhvillim dhe integrim”, - tha Melkert.