PD-ja nuk pranon emra në listën e vet
Koalicioni i djathtë pritet të zgjerohet më tej dhe në marrëveshjen e firmosur mes PD-së dhe PR-së do të shtohen edhe parti të tjera. Partia Demokratike ka përfunduar raundin e parë të bisedimeve me partitë e vogla të djathta. Gjatë raundit të parë, palët kanë rënë dakord parimisht, por pa zyrtarizuar bashkëpunimin. Burime pranë partive të vogla por edhe në PD konfirmojnë nisjen e raundit të dytë të bisedimeve për zgjerimin e koalicionit. Në raundin e parë të bisedimeve, kreu i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, ka dëgjuar palët dhe kushtet e tyre. Ai u ka bërë të qartë partive të vogla se Partia Demokratike nuk pranon kushte. Kushti i mjaft partive të vogla është garantimi i vendeve të Kuvend, mundësisht në listën e PD-së dhe mundësisht të paktën të kryetarit të partisë. Ky kusht nuk është pranuar nga PD-ja duke bërë që çdo parti të garojë me siglën e vet brenda koalicionit për të fituar me forcat e veta.
Koalicioni
Koalicioni i përbërë mbledh votat në mënyrë që ato të mos humbasin. Në rast se votat e një partie të vogël nuk i dalin për të marrë një mandat në një qark të caktuar, ato automatikisht i kalojnë forcës më të madhe të koalicionit, që është PD-ja. Duke u përfshirë në koalicion, rriten shanset për të fituar mandate sepse ka një formulë më të përshtatshme për ndarjen e tyre. Votat nuk shkojnë kot, por të fitosh një mandat do të jetë e vështirë. Koalicioni i përbërë është një thikë me dy presa, pasi asnjë parti e vogël nuk bën pa partinë e madhe dhe partitë e mëdha kanë interes për të mbledhur në koalicion çdo votë të mundshme për të mos u përjashtuar nga ndarjet matematikore.
Partitë e vogla
Rrëzimi i këtij kushti ka stepur shumë kryetarë të partive të vogla, por zgjidhjet e tyre janë të pakta. Burime pranë disa partive të vogla shprehen se “në këto kushte, e kanë të detyruar bashkëpunimin me PD-në”. Nga ana tjetër, burime pranë PD-së shprehen se nuk ka shumë kohë, pasi koalicioni do të përfundojë konstituimin para muajit maj. Partia Demokratike u ka ofruar partive të vogla mundësinë e përfshirjes në këtë koalicion për të kontribuar në fitoren e mandatit të dytë. Ndonëse mund të mos fitojnë mandate deputeti, partitë e vogla do të përfshihen në qeverisje në nivele më të ulëta. Kjo do të thotë se secila parti do të duhet të konkurrojë me siglën e vet duke mbledhur vota me forcat e veta. Formula e koalicionit të përbërë bën të mundur që asnjë votë e djathtë të mos humbasë, por nuk garanton fitim mandati. Pranë koalicionit do të ketë një shtab të përbashkët pune për fushatën, duke bërë të mundur që partitë e vogla të përdorin edhe resurset e PD-së për të bërë fushatë.
Bisedimet
Në bisedime do të përfshihen mjaft parti. Ai do të cilësohet edhe si koalicion me bazë të gjerë. PD-ja do të ftojë parti që kanë qenë në qeverisje në këto katër vite, por edhe të tjera. Bëhet e ditur se do të bisedohet me të dyja partitë e Ballit Kombëtar, që drejtohen nga Artur Roshi dhe Adriatik Alimadhi. Në koalicion është e konfirmuar partia e drejtuar nga Arjan Starova, Lëvizja e Legalitetit drejtuar nga Ekrem Spahiu. PD-ja do të negociojë me Partinë Drejtësi dhe Integrim, Partinë Agrare Ambientaliste etj. Në koalicion do të jetë edhe Partia Demokristiane e drejtuar nga Gurakuqi. “Secila parti do te angazhohet me kandidatët e vet për deputetë në secilën prej zonave elektorale, për të maksimalizuar votat e këtij koalicioni”, - thuhet në marrëveshjen për koalicion propozuar nga PD-ja. Marrëveshja aktualisht është firmosur nga Partia Republikane, por ajo do t’u dorëzohet të gjitha partive të tjera që kërkojnë të hyjnë në koalicionin e djathtë. “Partitë tona bien dakord që në përputhje me parimet e kësaj marrëveshjeje të ftojnë në koalicionin tonë elektoral edhe parti të tjera aleate, të koalicionit qeverisës apo jashtë tij, me qëllim që ta kthejë fushatën e zgjedhjeve parlamentare në një fitore të rrugës sonë të ndryshimit të një Shqipërie anëtare e NATO-s dhe evropiane”, - thotë marrëveshja mes PD-së dhe PR-së. Mes partive të koalicionit të djathtë do të ketë një angazhim të përbashkët në realizmin e fushatës.