“Mandati i kryeprokurores Ina Rama përfundon nëntorin e këtij viti”
Flet deputeti i PD-së Enkelejd Alibeaj
Ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, të aprovuara me konsensusin e mazhorancës dhe opozitës, kanë sanksionuar që Prokurori i Përgjithshëm ka një mandat 5 vjeçar. Anëtari i Komisionit parlamentar të Ligjeve, deputeti Enkeljed Alibeaj, sqaron se përmes leximit të drejtpërdrejtë e të saktë të Kushtetutës dhe nenit 149 të saj, mandati i Kryeprokurorit përfundon pas 5 viteve nga marrja e detyrës
“Në nëntor, kryeprokurorja Ina Rama duhet të lirojë zyrën e kreut të organit të akuzës dhe çështja nuk ka asnjë motiv të kalojë në Gjykatë Kushtetuese”...
Ky është qëndrimi i mazhorancës kundrejt zërave të ekspertëve të drejtësisë se afati i skadimit të mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm është kushtetueshmërisht i paqartë. Anëtari i Komisionit parlamentar të Ligjeve, deputeti Enkelejd Alibeaj, sqaron se përmes leximit të drejtpërdrejtë e të saktë të Kushtetutës dhe nenit 149 të saj, mandati i Kryeprokurorit përfundon pas 5 viteve nga marrja e detyrës. “Nuk besoj se mund të çohet në këtë rast interpretim i Kushtetutës, kur nuk ka një konflikt kushtetues në këtë rast. Çështja është e qartë, e pastër, e shkruar në mënyrë të tillë, si të thuash me dashje direkte”, u shpreh deputeti i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj.
Një ditë para se kryeprokurorja të raportojë në komisionin e ligjeve për punën vjetore, ish ministri i Drejtësisë shprehet se zëvendësimi i saj është një çështje që politika do ta zgjidhë së afërmi. Ligjvënësi demokrat thekson se Kushtetuta është tejet e qartë në përcaktimin e mandatit të kryeprokurorit. Ai kujton edhe një vendim të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2000, që kishte të bënte me kohëzgjatjen e mandateve të institucioneve kushtetuese. “Mandati i prokurorit të Përgjithshëm është pesë vjet. Mandati i Prokurorit të Përgjithshëm në detyrë, ky afat do të fillojë nga momenti kur ka filluar efektivisht detyrën e vet. Kështu që nuk ka kurrfarë lidhje me kohën se kur janë bërë ndryshimet në Kushtetutë. Diku në fund të tetorit a nëntorit mbaron dhe mandati i Prokurorit të Përgjithshëm në detyrë aktualisht. Duket që është çështje e së ardhmes së afërt”, vijon Alibeaj.
Në 21 prill 2008, Kuvendi me unanimitet votash ndryshoi Kushtetutën, ku ndër të tjera mandati pa limit i Prokurorit të Përgjithshëm kufizohej me 5 vjet.