Berisha-Mignon: Shqipëria do kryesojë me përgjegjshmëri presidencën e KiE
Kryeministri Berisha u takua në Strasburg, me Presidentin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Jean-Claude Mignon
Kryeministri Berisha, i cili ndodhet në Strasburg, u takua dje në Pallatin e Europës, me Presidentin e Asamblesë Parlamentare, Jean-Claude Mignon. Presidenti Mignon i shprehu Kryeministrit Berisha urimet për marrjen nga Shqipëria të presidencës së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës, njëherësh edhe bindjen për suksesin e presidencës shqiptare dhe përmbushjen e objektivave të rëndësishme të saj.
Kryeministri Berisha, pasi bëri me dije prioritetet se ku do të fokusohet presidenca shqiptare, theksoi se Shqipëria e sheh këtë si përgjegjësi të lartë, të cilën ajo do ta përmbushë me sukses të plotë, në bashkëpunim të ngushtë me Asamblenë Parlamentare dhe vendet anëtare. “Kryesia shqiptare do të vazhdojë bashkëpunimin e ngushtë me vendet anëtare dhe me kryetarin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, duke çuar përpara axhendën e kryesisë paraardhëse britanike drejt një horizonti të ri.
Shqipëria është vend i vogël, por e ka marrë me përgjegjësi të madhe kryesinë e Këshillit të Evropës. Ne besojmë se çështjet e zgjedhura janë të një rëndësie krejtësisht të veçantë. “Të bashkuar në diversitet” është motoja e kryesimit tonë, ashtu siç është i pasur vendi ynë, rajoni ynë, kontinenti ynë me diversitet. Do të bëjmë gjithçka për ta konsoliduar, garantuar dhe respektuar sepse, sipas mendimit tim, kjo është më e mira për paqen, stabilitetin, zhvillimin dhe të ardhmen”, theksoi kryeministri Berisha.
Duke u ndalur te takimi me presidentin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Jean-Claude Mignon, Berisha tha se në fokus ishin diskutimet për axhendën e presidencës shqiptare të KiE. Kryeministri Berisha e ftoi Mignon në Shqipëri, për të marrë pjesë në kremtimet për 100 vjetorin e pavarësisë.
“Diskutuam me Kryetarin Mignon gjithë axhendën tonë, mbi të cilën do të punohet gjatë këtyre 6 muajve. Pata rastin të ftoj Kryetarin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës të marre pjesë në festimet e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. E sigurova se për vendin tim, kryesia e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës është diamanti në kurorën e 100 vjetorit të pavarësisë sonë dhe shpresoj shumë që Jean-Claude Mignon të na bashkohet më 28 nëntor, për të festuar së bashku këtë ditë të madhe të popullit tonë”, tha ai.
Nga ana e tij Jean-Claude Mignon theksoi se Shqipëria është një vend si shumë të tjerë që janë anëtarësuar në Këshillin e Europës, të cilat janë demokraci të vërteta dhe që kanë qenë të gatshme të mësojnë se çfarë është shteti i së drejtës.
“Shqipëria nuk është rast i veçantë i Këshillit të Europës. Shqipëria, siç e dini, nuk ka shumë kohë që është çliruar nga diktatura komuniste. Është një vend si shumë të tjerë që janë anëtarësuar në Këshillin e Europës, të cilat janë demokraci të vërteta dhe që kanë qenë të gatshme të mësojnë se çfarë është shteti i së drejtës. Këtyre vendeve nuk mund t’u kërkonim qysh vitet e para të ishin shembull udhëheqës në fushën e demokracisë, pasi këto gjëra mësohen me ngadalë. Por janë vende që pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik dhe fundit të diktaturave shfaqen një dëshirë të fortë të bëheshin anëtare të klubit të vendeve që mbahen si demokraci të mëdha. Besoj se i duhet dhënë pak kohë cilitdo vend, deri sa të bëhet demokraci e madhe, sepse kështu nuk bëhesh menjëherë, nga sot nesër. Edhe ne qe e quajmë veten demokraci të mëdha, a nuk na është dashur kohë? Prandaj për ne, në Këshillin e Europës ka disa gjëra shumë të rëndësishme që janë modestia, toleranca dhe respekti. Besoj se duhet t’i pranojmë ndryshimet mes nesh, të pranojmë njëri-tjetrin, ashtu si jemi dhe t’i kalojmë njëri-tjetrit njohuritë që kemi. Prandaj, edhe për Shqipërinë jam shumë i sigurt dhe i lumtur, nuk kam pasur asnjëherë shqetësime, sepse e kam njohur nga afër Sali Berishën, kam njohur nga afër edhe drejtuesit e tjerë politikë të Shqipërisë dhe kam parë te ata një dëshirë të madhe për ta shndërruar vendin e tyre në një demokraci të vërtetë. Për ta përmbledhur qartë, për mua, Shqipëria nuk përbën aspak rast të veçantë, nuk përbën aspak problem, madje është një vend i madh, që sot mban kryesinë e Komitetit të Ministrave. Shqipëria është një vend që angazhohet të vazhdojë me cilësi atë që nisi gjatë kryesisë së shkuar një demokraci tjetër e madhe, siç është Mbretëria e Bashkuar. Jam i lumtur që Shqipëria sot ka rastin të vijojë linjat kryesore të programit të Britanisë”, u shpreh Presidenti i Asamblesë Parlamentare, zotin Jean-Claude Mignon.