E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pollo: Rimbursohen në masën 100% tekstet shkollore për familjet në nevojë

Zëvendëskryeministri Genc Pollo deklaroi sot se "qeveria do të rimbursojë të gjithë prindërit për shpenzimet e librit shkollor, veçanërisht familjet në nevojë, të cilët do të kompensohen në masën 100 për qind". Zoti Pollo zhvilloi sot një takim me mësues dhe nxënës në shkollën 9-vjeçare "Konferenca e Pezës", në Tiranë. Gjatë takimit, zv/kryeministri u ndal te politikat e propozuara nga Partia Socialiste për shpërndarjen e librit shkollor. "Edi Rama propozon të kthehemi në skemën e 8 viteve të shkuara të PS-së, kur premtoheshin  libra falas për të gjithë dhe të gjithë prindërit i blinin librat shkollorë në tregun e zi me superçmim, ndërsa fondet e subvencionit i merrnin shtypshkronjat me tender", u shpreh zoti Pollo. Në këtë drejtim, Pollo u shpreh se "me propozimet për librin shkollor dhe akcizën e naftës për bujqësinë, Edi Rama pohon hapur se do të ngrejë në rang republike, modelin e tij bashkiak të Ndërtim-Eftimit". Kompensimi i librit shkollor është përqëndruar në arsimin bazë 9-vjeçar. Fëmijët me aftësi të kufizuara kompensohen në masën 100 për qind, ndërsa nga ky vit këtë masë kompensimi do të përfitojnë edhe familjet në nevojë. Që nga viti 2007 kompensimi bëhet kundrejt faturës së shitjes, mënyrë që përdoret gjerësisht në Evropë dhe që garanton korrektësi maksimale.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›