E Shtunë, 31 Tetor 2026

Task-Forca nis gjuetinë, për një muaj shtatë të pandehur

Vlorë Dy nën akuzë për mospagim taksash, katër për kontrabandë dhe një për “shpërdorim detyre”

Krijimi i njësive të përbashkëta hetimore të quajtura Task-Forcë ka sjellë frytet e para. Gjatë muajit mars, njësia në qytetin e Vlorës ka dërguar për gjykim shtatë persona të akuzuar për afera korruptive nga mospagimi i taksave e deri te shpërdorimi i detyrës. Dy persona janë vënë nën akuzë për mospagim taksash e tatimesh, katër të tjerë për kontrabandë dhe falsifikim dokumentesh dhe një person për “shpërdorim detyre”. Qëllimi i akuzës qendrore ishte goditja e krimit ekonomiko-financiar, ku krahas Tiranës, duhet një vëmendje e madhe edhe në rrethet e Shqipërisë. Në të gjithë Shqipërinë u ngritën gjashtë njësi të përbashkëta hetimore, ndërsa një volum të madh puna ka pasur Task-Forca e Vlorës. Kjo e fundit ka dërguar për gjykim shtetasen M. Skënderi e akuzuar për mospagim taksash dhe tatimesh, pasi më parë ishte kallëzuar nga Bashkia e Vlorës. E pandehura në fjalë ka në pronësi një subjekt privat, i cili nuk ishte regjistruar në Drejtorinë e Taksave. Subjekti në fjalë është bllokuar.

Ndërkohë, kjo njësi ka dërguar për gjykim edhe shtetaset F. Haxhiaj dhe D. Lazaj të akuzuara për “kontrabanda me mallra që paguhet akcizë”. Këto dy shtetase janë përfaqësuese të një subjekti privat dhe kanë kryer kontrabandë me disa mallra që eksportonin nga Italia, të cilat nuk i kanë deklaruar në kufi. Gjithashtu, për këtë çështje ka filluar një verifikim edhe gjyqësori italian. Dosja e radhës që ka shkuar në gjykatë nga Task-Forca e Vlorës mban numrin 1472 me të pandehur S. Qendraj, i cili akuzohet për “mospagim të taksave dhe të tatimeve”. Ky shtetas është denoncuar nga Drejtoria e taksave pranë Bashkisë së Vlorës, pasi nuk paguante taksat të subjektit privat që përfaqësonte. Mësohet se i pandehuri nuk ka paguar detyrimet e vitet 2008 dhe 2009, të cilat në total shkojnë 150 mijë lekë.

Prokuroria e Vlorës ka dërguar për gjykim edhe shtetasin I. Ponari, i cili akuzohet për “kontrabandë me mallra të tjerë” dhe të “përdorimit të dokumenteve të falsifikuara”. Sipas burimeve të gazetës mësohet se një pjesë e mirë e dosjeve të Task-Forcës janë për kontrabandë nga Porti i Vlorës, i cili është edhe burimi i jetesës për shumë familje vlonjate. Ponari është kallëzuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave. Ky shtetas, duke drejtuar një biznes privat, ka kryer një import në vitin 2005. “Nga hetimi ka rezultuar se në degën e Doganës Vlorë është bërë deklarimi i mallit të importuar i ndryshëm në sasi dhe vlerë nga ai që ishte deklaruar në degën e Doganës e Brindisit në Itali”, thanë burimet, të cilat shtojnë se i janë shkaktuar shtetit miliona lekë humbje.

Për të njëjtën akuzë është edhe i pandehuri V. Lekaj. Bashkëpunimi midis doganës së Brindisit dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave shqiptare ka sjellë edhe zbulimin e kontrabandës nga ky shtetas.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›