Bordi profan
Qendra Kombëtare Kinematografike vendos që Këshilli Miratues i Projekteve të jetë me 5 anëtarë. Piktorë, aktorë, skenaristë, poetë do të marrin vendime për filmat e 2010-ës. "Lumiere" asnjë propozim.
Nga shiu në breshër. Ajo që paralajmërohej qysh në dhjetor se si nuk duhej të ishte Këshilli i ardhshëm Miratues i Projekteve të Filmit Artistik, ka ndodhur. Ndodhi dje. Qendra Kombëtare e Kinematografisë bëri publik vendimin për bordin që u mor dje në një mbledhje me shoqatat e kineastëve.
Siç u lajmërua edhe në mbledhjen e para disa ditëve, 4 shoqatat e kineastëve do të propozonin secila nga dy emra anëtarësh për bordin e ri, më 12 mars. Vendimi për bordin me 8 anëtarë u përmbys pasi Shoqata e Kineastëve Shqiptarë "Lumiere" nuk propozoi as një emër. Ajo bojkotoi mbledhjen e parë, nuk firmosi formulën për bordin, por prezantoi të pranishmit me një rezolutë ku shtroheshin një sërë kërkesash drejtuar QKK, për transparencë dokumentacioni dhe financash. I pyetur për qëndrimin që do të mbajë Qendra lidhur me kërkesat e rezolutës, kryetari Minarolli përgjigjet: "Ligji nuk thotë asgjë rreth rezolutave që shoqatat mund t'i dërgojnë Qendrës dhe gjithashtu nuk kanë ndonjë detyrim që qendra apo kryetari duhet t'i përgjigjet medoemos ndonjë rezolute. Ndoshta më vonë kur të fillojë puna për reforma të mëtejshme, kjo rezolutë mund të ndihmojë".
Pavarësisht tërheqjes së "Lumiere"-it, QKK dha dje këtë rezultat:
"Shoqata e kineastëve shqiptarë" me kryetar Ndriçim Xhepën, propozoi për anëtar bordi: piktorin Durim Nezirin dhe regjisorin Spartak Pecani.
"Shoqata e kineastëve dhe Producentëve Shqiptarë", me kryetare Sabina Kodrën, propozoi: poetin Agron Tufa dhe regjisorin Bujar Lako.
Shoqata "Lidhja e kineastëve të filmit dokumentar" me kryetar Esat Ibron, propozoi shkrimtarin Teodor Laço dhe regjisorin Esat Mysliu.
Në Ligjin nr. 8096, datë 21.3.1996 "Për Kinematografinë" thuhet se Këshilli Miratues i Projekteve për veprimtarinë kinematografike përbëhet nga 5-7 persona.
Që vendimi i marrë (më 12 mars) të mos kalonte dispozitat që vendos ligji, u vendos për një bord me 5 anëtarë dhe largimin e të gjashtit pa ndonjë kriter specifik.
Kështu, bordi i ri i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë është i përbërë nga 5 anëtarë: Teodor Laço, Esat Mysliu, Agron Tufa, Bujar Lako dhe Durim Neziri.
Vendimi i Qendrës është në përputhje me ligjin dhe u mor brenda afatit të lajmëruar qysh më parë nga kryetari Artan Minarolli, më 12 mars.
Po cilët janë njerëzit që do të vendosin për projektet e filmit me metrazh të gjatë, të shkurtër dhe dokumentarit?
Teodor Laço është shkrimtar, autor romanesh, novelash, tregimesh, dramash, komedish, skenarësh për filma artistikë dhe dokumentarë. Koha e Laços skenarist i takon epokës së ish Kinostudios. Ai bën pjesë në shoqatën "Lidhja e Kineastëve të Filmit Dokumentar".
Esat Mysliu është regjisor, skenarist dhe producent, i prodhimeve shumica të realizuara para viteve '90. Me përjashtim të filmit "Nata", në këto njëzet vite lidhjet e Musliut kanë qenë vetëm me dokumentarin, kryesisht televiziv. Edhe ai vjen nga shoqata "Lidhja e Kineastëve të Filmit Dokumentar".
Bujar Lako është aktor. Pak i angazhuar në dekadat e fundit qoftë në kinema, qoftë në teatër. Së fundmi është shfaqur në bashkëprodhimin serbo-shqiptar "Muajt e Mjaltit" të Goran Paskaljeviçit. Edhe pse ligji nuk e përcakton, shpesh është kundërshtuar pjesëmarrja e aktorëve në Bordet Artistike, pasi nuk mund të vendosin për një nivel artistik ku ata vetë bëhen pjesëmarrës si ekzekutues dhe jo si krijues. Aktori në bord është paralajmëruar si një e metë që nuk do duhej të përsëritej në bordin e ardhshëm. Por... ndodhi!
Agron Tufa është poet, shkrimtar, publicist. Tufa nuk bën pjesë në ndonjërën prej shoqatave. Edhe në këtë rast kryetari i QKK e përligj këtë zgjedhje me atë çka thotë ligji. "Ligji thotë se në këshill ose në bord marrin pjesë kineastë dhe njerëz të shquar të kulturës dhe artit. Nuk është e domosdoshme vetëm regjisorë. Kjo përzgjedhje bëhet nga shoqatat dhe jo nga unë", shpjegon Minarolli.
Po të zbresim pak më poshtë, vëmë re se çështja nuk është tek emrat e përveçëm, por tek e tëra: ky bord është një hibrid i çuditshëm. Edhe ai që nuk e ka idenë e zhvillimeve të fundit nga fusha e kinematografisë shqiptare, po t'u thuash këto 5 emra të anëtarëve të bordit, nuk kanë për të bërë dot ndonjë lidhje mes tyre dhe kinemasë.
Pesëshja vijon me Durim Nezirin. Ai ka punuar grimier në filmat si "Gjeneral Gramafoni" (1978), "Nëntori i dytë" (1982) e shumë të tjerë dhe në vitet e fundit
si kostum dizajner dhe skenograf në filmat "Dasma e Sakos" (1998), "Slogans" (2001), "I dashur armik" (2004), "Gjoleka djali i Abazit" (2006) etj..
Në vite, Këshillat Miratues të Projekteve janë përfolur rregullisht për mungesë objektiviteti, për kompromise mes klanesh, për paaftësi në gjykimet se ç'është një projekt i mirë dhe një i keq, për mungesë vizioni në parashikimin e një vepre jocilësore dhe joproduktive. Mos harrojmë se është një bord në duart e të cilit nuk janë thjesht dhe vetëm vendime mbi çështje estetike të kinemasë, po janë sidomos vendime financiare. Përvoja e gjatë në kinema, angazhimi në prodhimet e sotme kinematografike dhe në problematikat e tij, ngritja e zërit për to, janë disa nga "instrumentet e urgjencës" që duhet të ketë dhe t'ua njoh përdorimin një anëtar bordi, edhe pse "ligji nuk thotë gjë".