Mangësi në dokumentacion, në sitë stafi i QSUT-së
I gjithë personeli shëndetësor dhe administrata e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” do të kalojë në sitë. Drejtoria e kësaj qendre spitalore ka nisur inspektimet e punës së gjithë stafit për gjetjen e mangësive në hedhjen e të dhënave në kartelat e pacientëve apo në dokumentacion. Kontrollet kanë nisur pas denoncimit të Hysni Bajramit, ndihmësfarmacistit në shërbimin Onkologjik, i cili u shiste barnat e spitalit pacientëve të sëmurë. Pas kësaj, drejtori Ilir Dashi ka pezulluar Bajramin, në të njëjtën kohë ka nisur inspektime masive.
Kontrollet
Është vendosur të ngrihet një komision të veçantë i cili do të marrë në shqyrtim të gjitha dokumentet, duke nisur që nga plotësimi i kartelave të pacientëve, recetave mjekësore dhe dokumentacionit bazik të çdo pavijoni. Pas kësaj, do të shikohet për mangësi. Në rast të verifikimit të ndonjë parregullsie, drejtoria do të marrë masat përkatëse. Edhe administrata nuk do të mund t’u shpëtojë inspektimeve, pasi bëhet e ditur nga drejtoria se edhe në këtë sektor dyshohet për pasaktësi apo shkelje të detyrës. “Do të ketë të tjera kontrolle dhe inspektime edhe në punën e mjekëve, infermierëve dhe të gjithë personelit shëndetësor dhe administratës. Për këdo që do të konstatohen shkelje me detyrën, masa administrative do të jetë e menjëhershme konform ligjeve në fuqi”, - bënë të ditur drejtoria e QSUT-së.
Rasti
Nisja e këtyre kontrolleve nga ana e kreut të spitaleve terciare ka marrë shkas pas nisjes së hetimeve nga prokuroria e Tiranës ndaj ndihmësfarmacistit Hysni Bajrami. Ky i fundit punonte ndihmësfarmacist në shërbimin Onkologjik, nga ku dyshohej se nxirrte përfitime, duke i dhënë barnat që jepen falas nga shteti kundrejt shumave të konsiderueshme parash. Madje, për të realizuar përfitimet e padrejta nga të sëmurët apo familjarët e tyre, paraqiste gjendjen e mungesës së barnave në farmacinë e spitalit dhe në këto rrethana u ofronte ndihmën e tij për t'ua gjetur dhe shitur me çmime të ndryshme. Më tej, prokuroria deklaron se 53-vjeçari ka mundësuar ndërrimin e barnave për përdorim spitalor të farmacisë shtetërore me barna nga depo farmaceutike private, të cilët ishin në kufijtë e skadimit kundrejt shpërblimit që përfitonte nga kompania private. Ndërkaq, po ditën e djeshme drejtoria e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” njoftoi se ka pushuar nga puna ndihmësfarmacistin e shërbimit Onkologjik, Hysni Bajrami, pas disa shkeljeve të evidentuara. QSUT-ja argumenton se Bajramit i janë gjetur korrigjime të faturave mjekësore të barnave me vlera të konsiderueshme lekësh, mosaplikim tek pacientët i sasisë së mjaftueshme të medikamenteve si dhe mospërputhje e arsimit me nivelin terciar të QSUT-së. Mësohet gjithashtu se vendimi i marrë nga drejtoria mbështetet edhe në një sërë dokumentesh të tjera të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Ky i fundit ka vendosur një gjobë prej disa milionë lekësh për shkak të parregullsive në farmacinë ku ai punon.