E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dako kërkon referendum për portin e ri të peshkimit në Durrës

Kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, ka deklaruar dje se “do të kërkonte referendum mbarëqytetar në Durrës, për të miratuar ose jo portin e ri të peshkimit që ka miratuar MMPAU”. Kjo, pas dështimit edhe në KRRT për të hedhur poshtë projektin e qeverisë. Sipas kryetarit Dako: “Porti i peshkimit pranë shëtitores bie në kundërshtim me imazhin turistik që kërkon të ofrojë Durrësi dhe për të marrë një vendim të tillë, unë do të kërkoj realizimin i një referendum”. Ai deklaroi për “standard”: “Kam paraqitur tri alternativa për vendin ku duhet ndërtuar porti, pasi në vendin ku aktualisht kërkohet për t'u ndërtuar nga Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, institucioni që unë drejtoj ka projekt në perspektivë ndërtimin e një porti jahtesh i cili jep impakt pozitiv në zhvillimin e turizmit”.
“Zgjedhja për të realizuar një infrastrukturë industriale përgjatë shëtitores urbane pranë detit në Durrës është e papërshtatshme dhe në kontrast me imazhin turistik që ka shprehur qyteti në vitet e fundit, një port peshkimi përgjatë shëtitores pranë detit përveçse nuk do të ishte asgjë e bukur, do të ndikonte keq edhe në trafikun brenda qytetit, pasi mjetet për transportin e peshkut do të ishin të detyruara të përshkonin rrugët e qendrës së qytetit, ndërkohë që pretendohet se qendrat e qyteteve turistike duhen zbrazur nga trafiku për të favorizuar kushtet ambientale për turistët dhe për vetë banorët e qytetit”, - tha ai.
Duke vazhduar deklaratën për “standard”, Dako tha se “porti i peshkarexhave mund të realizohej edhe në zonën verilindore të portit tregtar, zonë më pak e çmueshme nga pikëpamja turistike dhe në afërsi të ngushtë me autostradën që lidhet me Tiranën, jo vetëm ne si bashki, por edhe specialistët janë shprehur kundër ndërtimit të këtij porti në shëtitore dhe ky ka qenë konkluzioni i diskutimit publik me qytetarë e specialistë të zhvilluar për këtë problem”.
“Një studio e huaj që ka fituar konkursin, po harton planin rregullues të qytetit dhe në konsultimet që kemi bërë, edhe këta specialistë të huaj janë kundër ndërtimit të një porti peshkimi në shëtitoren bregdetare”. Por kërkesa e Dakos menjëherë është hedhur poshtë nga MMPAU, e cila përmes një komunikate për shtyp ka deklaruar: “Ligji kushtetues nuk lejon organizimin e referendumeve për çështje që lidhen me buxhetin apo me financimet e për pasojë edhe për portin e peshkimit , për të cilin kryetari i Bashkisë Durrës kërkon referendum”.
Specialistët e peshkimit pranë MMPAU janë shprehur: “Ideja e Dakos për referendum qytetar ishte thjesht një lojë e keqe politike, pasi po të merret shembulli i Budvës në Malin e Zi, projekti i portit të peshkimit i jep qytetit bregdetar një resurs ekonomik të paparë, por edhe një perspektivë turistike".
Për sa u përket çështjeve të mjedisit, për të cilat Bashkia e Durrësit ka ngritur pretendimet e saj, specialistët e MMPAU deklarojnë se “ato janë studiuar nga specialistë shqiptarë dhe të huaj, që e njohin këto problem, pasi në të kundërt nuk do të ishin ndërtuar porte peshkimi në qytete të mëdha shumë më të zhvilluara se Durrësi. Porti i peshkimit është interes i të gjithë qytetarëve durrsakë dhe veçanërisht i 800 familjeve që mbahen me biznesin e peshkimit”. Në Durrës ka një flotilje me afro 114 anije të tonazheve të ndryshme, e cila ka prirjen të rritet pas ndërtimit të portit të ri.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›