E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dobrushi: Kontrata e re kolektive, fund transferimit të mësuesve

Transferimi i mësuesve nuk do të kryhet më si “t’i teket” drejtorit të zyrave arsimore, sipas kryetarit të Federatës së Sindikatave të Arsimit dhe Shkencës, z. Xhafer Dobrushi. Duke folur për “standard”, ai thotë se ndryshimet që do t’i bëhen kontratës kolektive të punës, do të mundësojnë që mësuesit të jenë të sigurt nga transferimet dhe do të mundësojë meritokracinë. Sipas tij, kriteret që do të ashpërsohen, kanë të bëjnë me licencimin e mësuesve që do të kryhen në baza periodike dhe do të nxjerrin në pah mësuesit e aftë që meritojnë të vijojnë punën dhe ata që nuk duhet të vijojnë. Ndryshim tjetër thelbësor, sipas z. Dobrusha, është Kodi i Etikës së Mësuesit. Ky kod, sipas tij, “synon një tërësi rregullash sjelljeje që rritin më tej figurën e mësuesit, që ndikon drejtpërdrejt në marrëdhëniet mësues - nxënës, mësues - mësues, mësues - prind, që ka të bëjë me sjelljen e mësuesit, jo vetëm në mjediset e klasës e të shkollës, por edhe në komunitet, përfshirë edhe veshjen e paraqitjen e tij”.

Ministria e Arsimit dhe ju keni nënshkruar një marrëveshje për nisjen e negociatave për ndryshimin e kontratës kolektive të punës së mësuesve. Ku qëndron ky ndryshim dhe cilat janë arsyet për të?
Dëshiroj të theksoj që në fillim se partneriteti social midis dy sindikatave qendrore të arsimit, Federata e Sindikatave të Arsimit dhe Shkencës/ Sindikata e Pavarur e Arsimit Shqiptar, në rolin e punëmarrësit dhe MASH në rolin e punëdhënësit, është tashmë i stabilizuar dhe i institucionalizuar. Të paktën prej 12 vjetësh e këtej, dialogu midis dy palëve ka njohur vetëm progres, në kuptimin që ai nuk është ndërprerë asnjëherë, është konceptuar si proces dhe jo si një moment i shkëputur, ka garantuar zgjidhjet e përfshira në kontratat ekzistuese dhe ka avancuar në zgjidhje kërkesash të reja në raport me stadin e zhvillimit të arsimit në vendin tonë. Do të ishte gabim të mendohej se ky proces dialogimi dhe partneriteti është zhvilluar në qetësi, pa kundërshtime të palëve dhe pa pozicionime të kundërta. Janë të njohura lëvizjet sindikale në arsim që kemi organizuar e udhëhequr, pothuaj si asnjë sindikatë tjetër profesioni në Shqipëri. Por kjo nuk na ka bërë asnjëherë që të heqim dorë nga dialogu e mbi të gjitha, nga arsyetimi dhe argumentimi në tavolinë i drejtësisë dhe objektivitetit të kërkesave tona.
Marrëveshja që u nënshkrua këto ditë midis MASH-it dhe sindikatave të arsimit, përbën një praktikë të re në fushën e partneritetit social, se edhe negocimi për të ripërtëritur, përmirësuar e ndryshuar një kontratë kolektive zhvillohet si proces e jo si një moment i shkëputur, për t’u dhënë mundësi palëve të konsultohen më mirë me kuadrin ligjor dhe legjitimitetin e kërkesave për çdo dispozitë si dhe për t’u dhënë mundësi palëve që edhe në proces të tërheqin mendimin e punëdhënësve dhe punëmarrësve të bazës. Pra, është një proces që zhvillohet pa ngutje, shmang formalizmat dhe përgatit opinionin që edhe zbatimi i dispozitave të kontratës kolektive është një proces diskutimi, përgjegjësie të palëve, në mënyrë të pandërprerë.
I gjithë procesi është konceptuar që të zhvillohet në tri faza: Së pari, objekt diskutimi do të jetë ai grup dispozitash të kontratës kolektive ekzistuese që do të ruhen edhe në draftin e ri, sepse ato përbëjnë standarde, siç është sistemi i pagave, koha e punës dhe e pushimit, liritë sindikale etj. Grupi i dytë përfshin ato dispozita që do të përfshihen përsëri në draftin e ri, por që praktika 4-vjeçare e kontratës kolektive ekzistuese ka nxjerrë nevojën e përmirësimit, plotësimit apo përsosjes së tyre. Momenti i tretë i negocimeve ka të bëjë me ato dispozita që u ka kaluar koha dhe përfshirjen e dispozitave të reja që kushtëzohen nga angazhimi që kanë të dy palët përballë kërkesave për reformim dhe modernizimin e arsimit parauniversitar për një arsim cilësor dhe krijimin e shanseve të barabarta për të gjithë.

Cilat janë bazat me të cilat ju do të hyni në negociata? Cilat janë ato pika që nuk do të pranoni të ndryshohen dhe cilat do të pranoni?
Ne, në negociata nuk hyjmë asnjëherë me paramendime dhe me kushte të veçanta të panegociueshme. E theksova pak edhe më lart se ato dispozita që përbëjnë arritje sindikale, që janë provuar dhe zbatuar në praktikë, që janë mundësuar me lëvizje sindikale apo dialog në tavolinë dhe janë aktuale, ato do të ruhen. Mund të përmend procesin progresiv të rritjes së pagave, i cili nuk mund të kthehet prapa, nuk mund të ketë ulje të pagave ose të buxhetit për arsimin, siç ndodhi në shumë vende të Lindjes në kohën e krizës ekonomike. Do të ruhen dispozitat për pushimet vjetore pa i pakësuar ditët që përfiton çdo mësues, por kjo dispozitë do të saktësohet si shtrirje në kohë, sidomos në pushimet verore, me qëllim që secilit t’i mundësohet shfrytëzimi i ditëve të pushimit që i garanton kontrata. Ndër dispozitat që do të përmirësohen, janë veçanërisht ato që lidhen me kriteret e punësimit etj.

Ndryshimi kryesor duket se ka të bëjë me pranimin e mësuesve të rinj në punë në një mënyrë më meritokratike. Si do të realizohet kjo dhe çfarë propozimesh do të dorëzoni ju?
Nuk është ky ndryshimi kryesor, ka edhe shumë të tjera. Kërkesa që qëndron sot para mësuesve në Evropë, natyrisht edhe në Shqipëri, është synimi për një arsim cilësor, për rritjen e besueshmërisë së shërbimeve që ofron shkolla. Kërkesa për punë cilësore, për më shumë përkushtim e pasion ndaj profesionit, për ta konceptuar mësuesin jo thjesht mësimdhënës, por edhe misionar në shoqëri, qëndron para të gjithë mësuesve dhe pedagogëve dhe jo vetëm të rinjve që punësohen për herë të parë.
Është përgatitur dhe do të përfshihet në procedurat e miratimit Kodi i Etikës së Mësuesit, që synon një tërësi rregullash sjelljeje që rritin më tej figurën e mësuesit, që ndikon drejtpërdrejt në marrëdhëniet mësues - nxënës, mësues - mësues, mësues - prind, që ka të bëjë me sjelljen e mësuesit, jo vetëm në mjediset e klasës e të shkollës, por edhe në komunitet, përfshirë edhe veshjen e paraqitjen e tij. Kërkesa për një punë cilësore, për rritjen e aftësive profesionale nëpërmjet kualifikimit të vazhdueshëm dhe për sjellje etike çon në mënyrë logjike në nevojën e përsosjes së kritereve të emërimit në punë dhe të justifikimit të vendit të punës. Mendoj se një nga këto kritere është procedura e licencimit të mësuesve dhe periudhat periodike të përsëritjes së licencës. Por, e theksoj, se përpunimi dhe përfshirja e kritereve bashkëkohore për punësimin në arsim do të shmangë edhe shfaqjet e deritashme të subjektivizmit, njëanshmërisë, korrupsionit etj., që kanë mundësuar në mjaft raste punësimin në arsim të atyre që nuk e meritojnë dhe që e dëmtojnë arsimin, lëkundin besueshmërinë e prindërve te shkolla etj.

Vetëm punësimi i mësuesve ka probleme apo kuadri ligjor i marrëdhënieve të punës është më i gjerë?
Jo vetëm punësimi. Edhe ndryshimi i vendit të punës, që për fat të keq, është shumë më i shpeshtë sot, do të zërë një vend të veçantë në kontratën e re. Në dispozitat që do të përmirësohen, një vend i veçantë do t’i kushtohet lëvizjes pa kriter të mësuesve dhe drejtuesve në arsimin parauniversitar. Jo vetëm në Kontratën Kolektive të Punës të nivelit të parë, por edhe në ligjin për Kodin e Punës dhe në konventat ndërkombëtare të punës përkatëse, transferimi, domethënë ndryshimi i vendit të punës, është një përjashtim dhe bëhet mbi bazën e kritereve rigorozisht të përcaktuara. Lëvizjet pa kriter dëmtojnë në radhë të parë shkollën, procesin mësimor; por ato ndikojnë edhe për t’i mbajtur mësuesit në pasiguri, nën presion, pa thënë që në raste të caktuara kjo praktikë bie erë korrupsion. Në draftin e ri të kontratës kolektive të punës do të insistojmë që këto praktika të marrin fund.

Kur pritet të përfundojë kontrata e re kolektive dhe a keni rënë dakord paraprakisht për gjërat që do të ndryshohen?
Siç thuhet në marrëveshjen e nënshkruar më 4 shkurt, dakord kemi rënë për të filluar negocimin dhe përmbajtjen e fazave të këtij procesi. Negocimet konkrete bëhen në tryezë, ku kërkohet jo vetëm vendosmëri e përgjegjësi nga të dyja palët, por edhe profesionalizëm e objektivitet.
Duke u nisur nga fakti që palët nuk synojnë interesa të kundërta, por një objektiv madhor, që nuk mund të mos jetë i përbashkët, i cili është zhvillimi dhe konsolidimi i sistemit të arsimit në vendin tonë, si kusht për progresin e vendit dhe e pandarë nga kjo, mbrojtja sociale ekonomike e fondit të madh njerëzor intelektual që është angazhuar në arsim, fazat e diskutimit dhe negocimit për çështje të veçanta do të jenë të suksesshme. Afati nuk ka ndonjë rëndësi të veçantë, por mund të jetë brenda marsit.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›