Manipulimi i Manipulimit
Edicioni i 46-të i Festivalit të Këngës në RTSH, as këtë herë nuk kaloi pa akuza për manipulime. Pothuajse pas secilit edicion, këngëtarë dhe kompozitorë të ndryshëm kanë denoncuar festivalin për padrejtësi të ndryshme që ata vlerësonin se iu ishin bërë. Zakonisht, akuzat shkonin në drejtim të organizatorëve të festivalit dhe ajo që e veçoi këtë edicion, është fakti që këtë herë ishin organizatorët ata që e akuzuan jurinë për manipulime. Pikërisht votimi transparent dhe i drejtpërdrejtë i këtij viti u bë shkas që "zhurma" rreth festivalit, pas përfundimit të tij, të bëhet më e zëshme se në vitet e fundit. Mbi të gjitha, konotacioni politik që iu mvesh votimit të disa anëtarëve të jurisë u bë temë qendrore, edhe pse në fakt një pohim i tillë duket se më shumë u përdor në mënyrë të padrejtë si mjet për të denigruar individë të caktuar, që u bënë pjesë e kontestit rreth festivalit.
Padyshim se përfaqësimi i Shqipërisë nga një këngëtarë/e nga Kosova në Eurosong 2008 që do mbahet në Beograd, do ishte shumë i mirëseardhur nga shumica e shqiptarëve brenda e jashtë Shqipërisë dhe do ishte domethënës edhe në aspektin politik, por jo me çdo kusht duhej të ndodhte një gjë e tillë. Gjithsesi, më i rëndësishëm se mesazhi politik, në këtë rast do duhej të ishte niveli artistik i përfaqësimit, sidomos kur kemi parasysh rezultatet e pasuksesshme të pjesëmarrjes së Shqipërisë në tri vitet e fundit. Por, fatkeqësisht, as këtë radhë nuk ishin kriteret artistike ato që përcaktuan fituesit.
Është e dukshme se votimi në natën finale ishte joparimor dhe tendencioz, por në asnjë mënyrë nuk mund të thuhet se ishte një votim politik kundër Kosovës ose pro Shqipërisë. Tek e fundit, kompozitorët e të dy këngëve të para janë nga Tirana dhe realisht, çmimi i parë e vlerëson mbi të gjitha kompozimin dhe jo interpretimin e këngës. Nëse thuhet se votimi i shumëpërfolur i Gjergj Xhuvanit dhe Alban Skënderajt ishte i parapërgatitur kundër këngës së Edmond Zhulalit, me të njëjtën logjikë mund të thuhet se votimi me pikë maksimale i kësaj kënge nga katër anëtarë të tjerë të jurisë ishe po ashtu i parapërgatitur. Aq më shumë, kur Zhulali ishte Drejtor Artistik i Festivalit dhe nga ky pozicion, ai nuk do duhej të ishte pjesëmarrës në festival, për shkak të konfliktit të drejtpërdrejtë të interesit.
Si pjesëmarrës i Edicionit të 35-të të këtij festivali në vitin 1996, edhe vetë i kam provuar dallaveret dhe manipulimet që bëhen prapa kuintave të tij dhe besoj se për askënd nuk janë të reja denoncimet e këtij edicioni. E reja që duket se ndodhi në këtë edicion dhe që për çudi nuk u tha askund, do të mund të quhej "manipulim i manipulimit". Xhuvani dhe Skënderaj, që votuan kundër këngës së Zhulalit dhe duke e përmbysur rezultatin final, duket se e përmbysën edhe planin e parapërgatitur nga organizatorët e festivalit për fitoren e këngës së interpretuar nga Disha dhe Krelani. Thashethemi se këngëtarja Doruntina Disha do të fitonte në këtë edicion, ka qarkulluar në qarqet muzikore të Prishtinës disa javë para mbajtjes së festivalit. Befasi ishte fakti që kënga e paraparë për këngëtaren Disha, në festival, doli si duet i përbashkët me këngëtaren Flaka Krelani, për të cilën kurrë s'u tha se si u bë pjesë e festivalit në ditët e fundit dhe pa konkurruar vetë në afatin e përcaktuar nga organizatorët. Rrjedhimisht, nëse votimi i orkestruar i Xhuvanit dhe Skënderajt ka prishur një plan të parapërgatitur padrejtësisht, që i humb kuptimin garimit në festival, atëherë ky veprim s'mund të vlerësohet krejt negativisht, paçka që ishte votim për të dënuar dhe jo për të shpërblyer.
Jehona negative e këtij edicioni nuk u ndal me akuzat e ndërsjella ndërmjet klaneve respektive, që u bënë palë e kontestit në fjalë. Tema e festivalit u manipulua edhe për arsye të tjera, me qëllim dhe pa qëllim. Çështja më problematike që doli nga ky kontest, veçanërisht në Kosovë, është tendenca për një ndarje artificiale dhe të padrejtë në "ne" dhe "ata" duke aluduar kështu në Kosovën dhe Shqipërinë. Deklaratat e dëgjuara aty-këtu, të tipit "pjesëmarrësit nga Kosova kurrë nuk vlerësohen në Shqipëri" janë krejt të padrejta, dashakeqëse dhe shërbejnë vetëm si arsyetime për dështimin e pjesëmarrësve të caktuar. Për shembull, në Festivalin "Kënga Magjike", në pesë vitet e fundit, çmimin e parë e kanë fituar tre këngëtarë nga Kosova: Ema Bytyçi (2003), Genta Ismajli (2005) dhe Armend Rexhepagiqi (2006), ndërsa shumë të tjerë kanë marrë çmime të ndryshme.
Festivali tjetër "Top Fest" në vitin 2006 e shpërbleu bashkëpunimin ndërmjet grupit nga Kosova "Kthjellu" dhe këngëtarit Alban Skënderaj nga Shqipëria, që tani padrejtësisht është akuzuar edhe si "anti-kosovar" për shkak të votimit të tij. Në këtë festival kanë kënduar shumë këngëtarë nga mbarë trevat shqiptare dhe nga diaspora, si dhe shumë artistë nga Kosova kanë filluar karrierat dhe popullaritetin e tyre pikërisht në skenën e "Top Fest". Dhe jo vetëm në muzikë, por edhe në artet e tjera janë vlerësuar autorët nga Kosova. Shembull është edhe regjisorja Burbuqe Berisha, e cila me filmin e saj "Kosova 9/11" fitoi Çmimin e Parë, në vitin 2003, në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Tiranë.
Edhe spektakli tjetër muzikor, "Ethet e së Premtes Mbrëma" në të gjitha edicionet e veta zbuloi para publikut shumë talente nga Kosova dhe një prej tyre është edhe Flaka Krelani, e cila nuk njihej nga askush në Kosovë para se të ngjiste skenën e "Etheve…". Tani që është renditur në vendin e dytë, në festivalin e përfolur, nuk duhet të bëhet kaq jo-falënderuese dhe të deklarojë se në Shqipëri s'po u vlerësokan kurrë artistët nga Kosova. Thënë shkurt, një deklarim i tillë është krejt i pavërtetë.
Në fakt, është pikërisht muzika që ka arritur nivelin më të lartë të integrimit gjithë-shqiptar dhe së paku në katër-pesë vitet e fundit, një numër i madh i artistëve nga të dy anët e kufirit kanë arritur popullaritet të madh si në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri, përmes prezantimeve mediale, publikimit të albumeve dhe videoklipeve, si dhe performancave e koncerteve të shumta. Sot, shumë muzikantë nga Kosova e shohin si treg të tyre edhe Shqipërinë dhe anasjelltas, e njëjta vlen edhe për shumë muzikantë nga Shqipëria.
Në një moment kur ky integrim duhet stimuluar më shumë nga të gjitha palët, e po ashtu edhe institucionalisht, nga qeveritë e të dy vendeve, është kundër-produktive që të krijohen tema artificiale që stimulojnë ndarjen ndërmjet nesh, përmes akuzave për "anti-kosovarizëm" dhe "jo-patriotizëm". Rezultatet e votimit në një festival nuk mund të eklipsojnë arritjet e deritashme në këtë drejtim. Është koha që integrimi muzikor i shqiptarëve të merret si model edhe për integrimet e tjera të kombit tonë dhe pikërisht sulmet në drejtim të këtij bashkimi kulturor janë jo-patriotike, ngado ardhshin ato.
*Autori është anëtar i Rap/Grupit "Ritmi i Rrugës" dhe deputet në Kuvendin e Kosovës