Manipulimi i shifrave, qeveria e vendos vetë sa e ka borxhin
Qeveria shqiptare e vendos vetë sa do jetë borxhi publik. Në një shkrim të publikuar nga e përditshmja Shqip, thuhet se qeveria e bën një gjë të tillë duke manipuluar vlerësimin për nivelin e PBB. Të gjithë jemi dëshmitarë se si kryeministri e cakton sipas humorit të tij se sa do jetë rritja ekonomike në vend. Tavani ligjor i borxhit publik është përcaktuar me ligj në masën 60 për qind të PBB-së, por se sa është Prodhimi i Brendshëm Bruto përcaktohet nga vetë Ministria e Financave, dhe në të shkuarën ka raste të dokumentuara se llogaritë janë manipuluar për të fshehur të vërtetën. Në këtë pikë, tavani i borxhit publik në formën e tij aktuale rezulton një masë pothuajse e padobishme në mungesë të një institucioni të pavarur për matjen e PBB-së dhe kryerjen e llogarive që duhet të nxjerrin nëse qeveria e ka shkelur këtë limit apo jo, thonë ekspertët, shkruan Gjergj Erebara tek e përditshmja Shqip.
Në të shkuarën ka të dhëna tërësisht të dokumentuara se vlerësimi i PBB-së nga ana e Ministrisë së Financave është manipuluar nën presionin e kryeministrit. Kështu, në gusht 2009, qeveria miratoi vendimin nr 915, ku deklarohej se për vitin 2008 Shqipëria pati rritje ekonomike 8 për qind dhe PBB nominale prej 1,086 miliardë lekësh. Por nëse shikon dokumentin e Ministrisë së Financave me të njëjtin titull dhe të përditësuar në prill 2009, rritja ekonomike e vitit 2008 është 7.2 për qind, ndërsa PBB nominale është 1,090 miliardë lekë. Shkurt, ballafaqimi i dy dokumenteve vë në pah se ndërsa rritja ekonomike reale e vitit 2008 u shtua nga 7.2 për qind në 8 për qind, PBB nominale u ul nga 1090 miliardë lekë në 1,086 miliardë. I njëjti fenomen u përsërit edhe në shifrat e publikuara për Produktin e Brendshëm Bruto për vitin 2009. Ministria e Financave pati parashikuar rritje ekonomike 4.8 për qind dhe PBB nominale prej 1,174 miliardësh në prill, por në gusht e rishikoi, duke thënë se ekonomia pritej të rritej me 5.8 për qind, ndërsa PBB nominale pritej 1,176 miliardë.