Presin ujin e pijshëm, banorët sulmojnë me thikë punonjësit
DURRËS/ M.Abdyli dhe I.Karepi janë qëlluar me thikë, ndërsa kanë dalë në mbrojtje të dajës së tyre
DURRËS - Dy të rinj plagosen me thikë, ndërsa një manovrator i ujësjellësit të Durrësit është qëlluar me gur në kokë duke mbetur pa ndjenja. Ngjarja ndodhi dje rreth orës 18:30 kur dy manovratorë të Ndërmarrjes së Ujësjellësit u përleshën me disa banorë të Xhafzotajt. Mësohet se shkak për këtë ka qenë prerja e lidhjeve të paligjshme të ujit të pijshëm një javë më parë, ndërkohë që dje, dy punëtorët kishin shkuar për të bërë kontrollin se mos këto tubacione ishin rilidhur. Por menjëherë sapo janë parë nga banorët, dy manovratorët O.Beko dhe B.Abdyli janë qëlluar, ku këtë të fundit e ka kapur një gur në kokë dhe ka rënë përtokë pa ndjenja. Në mbrojtje të tij kanë dalë shtetasit M.Abdyli dhe I.Karepi, nipër të punonjësit të ujësjellësit që e shoqëronin në këtë kohë. Por ata janë vënë poshtë nga banorët, të cilët i kanë qëlluar me thikë, duke i lënë të plagosur në gjendje të rëndë.
Si rrjedhojë, ata janë transportuar për në spitalin e Durrësit, ku Abdyli, 31 vjeç, është më rëndë për shkak se i është prekur mëlçia. Të dy personat i janë nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale. Në spital ka përfunduar edhe manovratori B.Abdyli, ndërsa autorët e ngjarjes janë larguar në drejtim të paditur. Burime nga policia bëjnë të ditur se ata janë identifikuar, ndërkohë që ka nisur një operacion në një rreze prej 20 kilometrash nga Xhafzotaj. Lidhur me këtë ngjarje drejtori i Ndërmarrjes së Ujësjellësit Doklead Ademi, pasi vizitoi të plagosurit, e cilësoi atë si ngjarje kriminale. Ai tha se së shpejti së bashku me policinë do të hartojnë një plan afatgjatë bashkëpunimi në mënyrë që çdo operacion për prerjen e ujit të shoqërohet nga forca të policisë. "Bëhet fjalë për familje të tëra të cilat nuk kanë kontratë, që nuk janë mësuar kurrë të paguajnë ujin dhe për disiplinimin e tyre do të veprojë forca e ligjit. Ai do të zbatohet pa asnjë dallim", deklaroi drejtori i Ujësjellësit.