Imuniteti i Mediut, Kuvendi nis procedurat
Kryetarja e Kuvendit pritet të informoje seancën për kërkesën e mbërritur nga Prokuroria
TIRANË- Kuvendi hap sot procedurat për heqjen e imunitetit të deputetit, ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ashtu siç e përcakton edhe Rregullorja e këtij institucioni, pritet të informojë gjatë seancës së pasdites deputetët në lidhje me kërkesën e kryeprokurores Ina Rama për dhënie autorizimi për procedim penal ndaj deputetit, njëkohësisht kryetarit të Partisë Republikane, Fatmir Mediu. Ky është thjesht një akt formal, i cili do t'i hapi rrugë më pas shqyrtimit të kësaj kërkese në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, si struktura përgjegjëse për trajtimin e të gjithë problematikës që lidhet me mandatin e deputetit. Sipas Rregullores së Kuvendit, me kërkesë të kryeparlamentares Jozefina Topalli, Këshilli shqyrton çdo kërkesë për dhënien e autorizimit nga Kuvendi, për fillimin e ndjekjes penale ose arrestimin e një deputeti të ndaluar ose të arrestuar. Gjithashtu, Këshilli shqyrton të gjitha çështjet që lidhen me mandatin e deputetit dhe paraqet raportin përkatës në seancë plenare. Megjithëse nuk është njoftuar ende mbledhja e Këshillit të Mandateve, mbledhja e parë e tij do të shërbejë, ashtu si dhe në rasatin "Basha", thjesht për të njohur anëtarët e këtij këshilli me përmbajtjen e kërkesës së organit të akuzës, si dhe të fakteve mbi të cilat ajo mbështet akuzat e saj ndaj ministrit Mediu. Më pas këshilli, i cili përbëhet nga 10 deputetë, me përfaqësim të barabartë midis pozitës dhe opozitës do të tërhiqet për të shqyrtuar çështjen. Nuk përjashtohet dhe mundësia për të thirrur në seancë dëgjimore të akuzuarin dhe akuzuesin, për të shfaqur para deputetëve pretendimet e tyre në lidhje me çështjet konkrete. Në përfundim të shqyrtimit, Këshilli, brenda 4 javëve, harton një raport për në seancë plenare, në të cilin rekomandon rrëzimin ose miratimin e dhënies së autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ndaj deputetit. Shqyrtimi i kërkesës për dhënien e autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ose arrestimin e një deputeti vendoset si pikë e parë e rendit të ditës të seancës së dytë pasardhëse, pas paraqitjes së raportit të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin. Në seancë plenare, fjala i jepet në fillim deputetit ndaj të cilit është paraqitur kërkesa për të dhënë shpjegime ose për t'iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve, ndërkohë që raporti i Këshillit nuk është objekt diskutimi. Në fund, Kuvendi voton me votim të fshehtë për pranimin ose jo të kërkesës së Kryeprokurores. Në rastin kur Kuvendi nuk merr vendim për dhënien ose mosdhënien e autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ose të arrestimit të një deputeti brenda 3 muajve nga data e paraqitjes së kërkesës përkatëse, atëherë kërkesa konsiderohet e rrëzuar nga Kuvendi. Në kërkesën e saj, kryeprokurorja Ina Rama kërkon autorizim për procedim penal ndaj deputetit Fatmir Mediu. Në një letër të gjatë drejtuar Kuvendit ajo drejton një sërë akuzash ndaj ish-ministrit për veprime dhe mosveprime të tij, që sollën si pasojë tragjedinë e Gërdecit. Sipas Ramës, "procesi i demontimit është nxitur nga ministri, për përfitime për të tretët". Ajo shkruan në letër, që ministri në këtë proces ka miratuar akte nënligjore i orientuar nga interesat dhe përfitimet e padrejta të subjekteve private. Gërdeci si zonë demontimi, sipas Prokurorisë, është përcaktuar me urdhër të Mediut.