Drafti për SHKB-në, prokuroria e SHISH kundër
Organi i akuzës dhe SHISH kanë kundërshtuar pjesë të draftit. Kërkohet që dokumenti të përfshihet në një paketë integrale
TIRANË- Jo vetëm opozita është kundër projektligjit të paraqitur nga qeveria “Për Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Brendshme”. Një qëndrim të tillë, megjithëse për nene të veçanta, e kanë mbajtur edhe një sërë institucionesh kushtetuese të pavarura, siç është rasti i Prokurorisë apo edhe Shërbimit Informativ Shtetëror. Të ftuar dje në Komisionin parlamentar të Sigurisë Kombëtare, ku dhe është duke u diskutuar ky draft, këto institucione kanë shprehur rezervat e tyre në lidhje me një sërë momentesh që parashikohen në këtë projektligj. Por më e ashpër në qëndrimin e vet ka qenë institucioni qendror i akuzës, i cili nëpërmjet përfaqësueses ligjore, Edlira Kripa, ka paraqitur para komisionit kërkesën për shtyrje të debatit, për ta paraqitur në një kohë më të vonë në formën e një pakete të gjithë së bashku me projektligjin “Për Prokurorinë” dhe atë “Për Policinë Gjyqësore”. Sipas saj, drafti i paraqitur nga qeveria prek kompetencat e punonjësit të prokurorisë dhe nuk ndan një sërë momentesh që kanë lidhje me hetimin e Policisë Gjyqësore. “Duhet të ketë një ndërhyrje frontale, njëherazi një paketë, ligjore sepse përplasen ligji “Për Prokurorinë”, ligji “Për Policinë Gjyqësore”, ligji “Për SHKB” dhe Kodi i Procedurës Penale. Është momenti i atributeve të SHKB-së që ndërlidh këtë draft me ligjet e tjera”, - tha përfaqësuesja ligjore e Prokurorisë së Përgjithshme, Edlira Kripa. Duke u ndalur në momente të veçanta të projektligjit në fjalë, ajo ka theksuar se, kryesisht nenet 23 dhe 24 përbëjnë një shkelje të hapur të kompetencave të Prokurorisë, sidomos përsa i përket rasteve kur kemi të bëjmë me vepër penale dhe atij të përgjimit të punonjësit të Policisë së Shtetit. “Në këtë formulim duhet parë me kujdes se ka përgjim procedural dhe parandalues. Janë të ndryshme procedurat dhe kërkesat para kujt paraqiten kërkesa për përgjim. Për përgjimin parandalues, kërkesa paraqitet para Prokurorit të Përgjithshëm, kur është procedural, paraqitet në përputhje me Kodin e Procedurës Penale, para prokurorit të çështjes, prandaj duhet të ndahen”, - u shpreh Kripa duke theksuar se në përgjithësi projekti duhet të përcaktojë ku ndahet roli operativ dhe policor, nga njëra anë dhe roli procedural i prokurorit, nga ana tjetër. Ndërkohë që vërejtje për draftin paraqiti edhe Nëndrejtori i SHISH-it, i cili u përqendrua kryesisht tek neni 22, pika 3 e tij, ku dhe parashikohet që edhe shërbimet e tjera informative janë të detyruara që të vënë në dispozicion të gjitha të dhënat e kërkuara prej SHKB-së. Sipas tij, kreu i SHISH mund të vërë në dispozicion informacionet përpara Ministrit të Brendshëm, por jo përpara Drejtorit të SHKB-së. Një sërë vërejtjesh me shkrim për këtë draft ka paraqitur në Komisionin e Sigurisë edhe Komitetit Shqiptar i Helsinkit. Ndërkohë ICITAP ka vlerësuar projektin si të arrirë, duke hedhur poshtë pretendimet për vënin e Policisë së Shtetit nën kontrollin e SHKB-së. Pavarësisht mendimeve të grupeve të interesit, komisioni ka mundur dje që të kalojë 14 nenet e para të projektligjit, duke pranuar që të ndryshojë nenin 12 të tij, duke i hequr të drejtën Ministrit të Brendshëm për të detyruar drejtorin e SHKB-së që të japë informacione mbi mënyrën e sigurimit të të dhënave.
Fejzi Braushi