E Diel, 1 Nëntor 2026

“Presidenti, sulme të pamoralshme ndaj njerëzve të ligjit – vota e tij u zbulua nga mediat”

01-08-2011 / Gazeta 55

Viktor Gumi, deputet i PD-së

Qëndrimi i mbajtur nga Presidenti i Republikës për votën e tij të hedhur në 8 maj për kandidatin humbës së bashkisë së Tiranës, Edi Rama, vijon të sjellë reagime të klasës politike, veçanërisht të përfaqësuesve të mazhorancës, të cilët 3 vjet më parë investuan votën e tyre në unanimitet për zgjedhjen e Topit president.
Deputeti i Partisë Demokratike Viktor Gumi shprehu dje shqetësimin për sulmet që kreu i shtetit po i bën institucioneve kushtetuese të vendit, duke u rreshtuar me bandat e rrugëve që akuzojnë dhe kërcënojnë institucionet. Duke shprehur keqardhjen që Presidenti akuzon KZAZ-në nr. 53, të njësisë bashkiake nr. 9 në kryeqytet, për zbulim të fshehtësisë së votës, Gumi thekson se vota e Presidenti për Edi Ramën, u zbulua nga mediat.
Nisur nga fakti se në KZAZ-në nr. 53 ishte vetëm një votë e hedhur në kutinë e gabuar dhe se nga xhirimet e mediave rezultoi se i vetmi që kishte hedhur fletën e votimit gabim, ishte zoti Topi. Mediat sipas Gumit janë të shenjta pasi janë mjet informimi i çdo qytetari. Por ajo që e shqetëson më shumë deputetin demokrat, më shumë sesa vota e Topit, është qëndrimi i tij ndaj institucioneve.
“Si kryetar shteti ai duhet të jetë garant i Kushtetutës dhe i mbrojtjes së institucioneve, por në asnjë rast nuk e ka kryer këtë mision. Veçanërisht gjatë kohës që opozita sulmonte dhe kërcënonte anëtarët e Kolegjit Zgjedhor, kreu i shtetit preferoi të heshtë, duke u bërë pjesë e strategjisë së opozitës. Ndërkohë që e kundërta duhet të ndodhte, për një president mbi palët dhe garant i shtetit ligjor dhe të së drejtës”, u shpreh Gumi.
Ndërkaq, dy ditë më parë anëtari i kryesisë së PD dhe njëherazi ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, akuzoi Presidentin Topi se ka përdorur të gjithë pushtetin e tij, për të penguar zgjedhjen e Bashës në Bashkinë e Tiranës. Sipas Olldashit, këtë strategji “pro” Edi Ramës, Topi e ka aplikuar edhe në vitin 2007 kur Presidenti i sotëm ishte në pozicion drejtues në Partinë Demokratike, ndërsa në garë përballë Edi Ramës ishte vetë Sokol Olldashi.          

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›