E Diel, 1 Nëntor 2026

Manjani: Ngelet shumë pak kohë për organizimin e strukturës zgjedhore

12-04-2012 / Gazeta 55

LSI kundër votimit elektronik në 2013-ën

Lëvizja Socialiste për Integrim ka dalë kundër propozimit të dy partive të mëdha, PD dhe PS, sa i takon idesë së vendosjes së numërimit elektronik përpara zgjedhjeve të vitit 2013. Në një komunikim me median sekretari për çështjet zgjedhore në LSI, Ylli Manjani tha se kjo parti mbështet të gjitha vendimet e marra në mënyrë konsensuale në Komisionin e Reformës Zgjedhore, por është spektike për funksionimin e kësaj formule, nisur nga koha jo e mjaftueshme në dispozicion, për organizimin e strukturës së duhur. “Ne besojmë se zgjidhjet konsensuale i shërbejnë, pa asnjë dyshim përmirësimit të klimës së mbajtjes së zgjedhjeve të lira e të ndershme. Në këtë kontekst LSI ka mbështetur edhe idenë për të numëruar elektronikisht votat, me besimin se edhe kjo zgjidhje mund ti shërbejë zgjedhjeve të lira. Mirëpo nisur nga disa rrethana objektivisht të dukshme jemi ende skeptikë, nëse ky numërim do të ndodhë ose jo. Ne vlerësojmë, tha ai, se nga çasti kur të ketë përfunduar reforma zgjedhore do të ngelen shumë pak kohë në dispozicion të strukturës zgjedhore për të filluar përgatitjet për numërimin elektronik në shkallë vendi. Nga ana tjetër, pritet që politika të konsumojë më shumë kohë për të debatuar, në mos për çështjet e sistemit zgjedhor (temë kjo e kërkuar prej nesh) të paktën për çështjet e ndërtimit të strukturës së ardhme zgjedhore. Ky debat do të shkurtojë edhe më shumë kohën në dispozicion për përgatitjen e zgjedhjeve, ku pjesë e përgatitjes do të jetë edhe numërimi elektronik”- u shpreh Manjani.
Sipas tij, në procesin e përgatitjes për të realizuar numërimin elektronik në shkallë vendi, nevojiten të kryhen edhe disa hapa proceduralë të domosdoshëm siç janë kryerja e një studimi fisibiliteti, vendosja e standardeve të makinave që do përdoren, kryerja e procedurave të prokurimit, gjetja e mjediseve të përshtatshme për përdorimin e tyre, ngritja e komisioneve dhe e ekipeve që do ti përdorin, trajnimi i tyre, hartimi i manualeve të përdorimit etj. Të gjitha këto kërkojnë kohë e cila nuk është e mjaftueshme.
“Në këto kushte ne shohim me shqetësim se kjo ide në kushtet që gjendet përgatitje e zgjedhjeve të ardhshme, mund të shndërrohet në një shkak për prishjen e procesit zgjedhor në shkallë vendi. Nuk po analizojmë këtu elementët e vullnetit të keq politik që gjithmonë ka qene prezent në fazën e numërimit të votave”, tha Manjani.

Në këto kushte, LSI nisur nga ky shqetësim, si dhe me idenë që të përmirësohet procesi i numërimit të votave në mënyrë sa më të shpejtë, i ka propozuar komisionit të reformës zgjedhore të:

1.      Përdorë në mënyrë pilot procedurën e numërimit të votave, për t’i dhënë mundësi strukturës zgjedhorë të përshtatet më mirë me këtë risi dhe për ta shtrirë përdorimit e kësaj teknologjie në zgjedhjet e mëpasshme. Kjo do të shmangte edhe dëmtimin e mundshëm të procesit në shkallë vendi. Risitë teknologjike duan kohën e nevojshme për tu përdorur. Ideja e pilotimit është sugjeruar nga të gjithë ekspertët e huaj që njohin realitetin në Shqipëri.

2.      Të shtojë numrin e KZAZ-ve, duke ulur numrin e votave për tu numëruar në ato ZAZ që kanë mbingarkesë dhe duke shpejtuar kështu nxjerrjen e rezultatit.

Marrja e këtyre masave besojmë se e zgjidh teknikisht edhe shqetësimin e nxjerrjes së shpejt ë të rezultatit, dëshirën për të përdorë teknologjinë në këtë proces, por edhe shqetësimin që të mos dëmtohet procesi zgjedhor. Ne besojmë se kjo nuk është domosdoshmërish një çështje politike, por thjesht në zgjidhje teknike për të cilat nuk mjafton konsensusi, por arsyeja.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›