E Diel, 1 Nëntor 2026

Votimi në Kuvend, Rama: Berisha doli nga shinat, vjedh vota se s'ka shumicë

TIRANË- Kreu i Partisë Socialiste Edi Rama akuzoi kryeministrin e vendit se gjatë votimit të sotëm në Kuvend, shkeli Kushtetutën duke zgjedhur anëtarin e ri të KLD-së Elvis Cefa përmes kërcënimit dhe vjedhjes së votës, pasi i mungonte shumica.

“Ai nuk ka patur asnjëherë shumicë as në Parlament nëse nuk e kontrollon siç bëri sot në rolin e Ristanit me ndihmën e Jozefinës në rolin e Sashenkës dhe Patozin si në rolin e Tomës që ha përshesh. Kriza e votës së fshehtë ka kohë që ka hyrë edhe në Parlament. Sot ajo shpërtheu në formën e një rugaçërie turpëruese për vendin dhe Shqipërinë”,-deklaroi Rama në një deklaratë për mediat mbrëmjen e sotme pas votimit në Kuvend për vendin vakant në KLD, pas dorëheqjes së Kreshnik Spahiut.  

Rama duke e cilësuar kryeministrin si ‘vjedhës të rëndomtë’ tha se bllokoi standartet duke kthyer votimin në një garë të dhunshme. “Ai e ktheu votimin nga një garë në një emërim të dhunshëm. Nga një zgjedhje të lirë të çdo deputeti në një zgjedhë të deputetëve të vënë në rresht përmes kërcënimit të leximit të fletës së votimit”,-theksoi Rama. 

Kryesocialisti Rama nënvizoi se Berisha i tërheq shqiptarët drejt rrënimit, edhe nëse ata përpiqen me mund që të shkojnë drejt Bashkimit Europian.
“Ky proces tregoi se nëse shqiptarët përpiqen të shkojnë drejt Evropës ai i tërheq drejt rrënimit. Sot kryeministri dha provën e nevojës jetike që ai ka për ta mbajtur pushtetin e lindur nga vjedhja e votave vetëm përmes vjedhjeve të njëpasnjëshme, vjedhje të deputetëve dhe ministrave me votat e tyre. Ai hyri në sallë pa shumicë dhe qëndroi aty vetëm si vjedhës i rëndomtë votash dhe doli nga salla i zhveshur edhe prej atij legjitimiteti fals që ja jepnin deri dje numrat në parlament”,- nënvizoi kreu i PS. 

Rama ironizoi kryeministrin duke i thënë se do i bjejë një kalë që të shkojë nëpërmjet rrugës së  papërfunduar sipas tij në Vlorë për festimet e 100 vjetorit të pavarësisë. 
.
“Ai tregoi se ka shumë të ngjarë se nuk mund ti hipë as kalit që kemi ndërmend ti çojmë ditën e 100 vjetorit të pavarësisë, por një kalë që ne do i çojmë edhe po nuk e mbërriti atë ditë si Kryeministër”, përfundoi fjalën e tij kryesocialisti Rama.
(el.me/BalkanWeb)
Lidhje te tjera VIDEO: Votimi në Kuvend, Rama: Berisha doli nga shinat, vjedh vota se s'ka shumicë Votimi për KLD, Meta: Pati politizim të tepruar

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›