E Shtunë, 31 Tetor 2026

Manjani: Një aksion tjetër i dështuar i Edi Ramës

03/08/2010 Nisja e protestave të PS-së

Paralajmërimi i kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama për nisjen sërish të protestave në shtator do të jetë një tjetër aksion i dështuar i liderit të selisë rozë, sikundër ajo për transparenten e zgjedhjeve dhe rrëzimin e qeverisë. Kjo është analiza që bën anëtari i Asamblesë së PS-së Ylli Manjani teksa e cilëson kryetarin Rama pa ide e vizion politik. “Sot Edi Rama bën thirrje për protesta. Ky është pronar i tollonave të protestave. Ai është kryetari më pa kokë i PS-së, pa ide e vizion, që ka marrë peng PS-në, politikën dhe Shqipërinë. Protesta për kë? Për çfarë? Në emër të kujt? Kjo është gënjeshtra e radhës, si ajo që do të bënte transparencën e zgjedhjeve, si ajo që do të rrëzonte qeverinë “Berisha” (!). Po shkojmë drejt pushtetit të përjetshëm, dhe në demokraci kjo është e rrezikshme.”

Për anëtarin e Asamblesë së Partisë Socialiste, nëse PS-ja do të vazhdojë të ndjekë strategjinë aktuale të përballjes politike, atë të përçarjes dhe mosfuksionimit të koalicionit të majtë me LSI-në, atëherë ajo rrezikon të humbasë zgjedhjet lokale të 2011-s. “Duke qenë se PS-ja dhe LSI-ja janë të ndara, problemet në PS thellohen, pasi çarja e votës është disavantazh për PS-në. Këtë e mbulonte një aleancë me LSI-në, por kjo është e pamundur. Gjithashtu futja e Ramës në zgjedhjet lokale për interesa private, që janë të lidhura me ato personale, do ta dëmtojnë edhe më tej PS-në”,- thotë Manjani.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›