E Diel, 1 Nëntor 2026

“Gjyqtarët duhet të emërohen sipas sistemit të vlerësimit”

03/08/2010 Nishani: Raporti i BE-së kritikonte punën e KLD-së

TIRANE- Ministri i Drejtësisë Bujar Nishani i ka bërë thirrje Këshillit të Lartë të Drejtësisë (KLD) që emërimet në gjyqësor të bëhen mbi bazën e sistemit të vlerësimit, me qëllim që askush të mos ngrejë dyshime mbi përzgjedhjen e një gjyqtari. Kjo kërkesë bëhet pasi sipas ministrit ekspertët e misionit të BE-së në raportin e tyre kanë dëgjuar pretendime se vendimet që merren nga KLD-ja dominohen nga pazaret për favore reciproke. Duke u nisur nga kjo, Nishani në mbledhjen e fundit të KLD-së i ka kërkuar kësaj të fundit që emërimet dhe transferimet e gjyqtarëve të shtyhen derisa ky institucion të marrë masa për hartimin e sistemit të pikëzimit në bazë. Sipas ministrit, ky hap vjen pas publikimit të raportit të ekipit të eksperteve për vizat, i cili ishte i shqetësuar për transparencën në gjyqësor. “Ekspertët flasin për aspektin më teknik dhe dyshimet që shoqërojnë procesin e emërimeve në shkallë të tjera të gjykatave. BE-ja kërkon më shumë transparencë në KLD dhe i kërkon ministrisë që të zbatojë sistem vlerësimi për emërimet e mëtejshme”, - u shpreh ministri Bujar Nishani gjatë një emisioni televiziv. Më tej ai ka shtuar se mision i ekspertëve të BE-së për vlerësimin e ecurisë për udhërrëfyesin për heqjen e regjimit të vizave doli në përfundimin se “është i shqetësuar për transparencën e KLD-së në emërimet në gjykatat e shkallës së parë dhe më tej”.

Renditja e gjyqtarëve

Sipas Nishanit, në raportin e BE-së përmendet moszbatimi i ligjit “Për organizimin e pushtetit gjyqësor”, i cili sipas vlerësimeve përmban një dispozitë për krijimin e një liste të përhershme të renditjes së gjyqtarëve (neni 14), e cila rendit gjyqtarët sipas rezultateve të vlerësimit të tyre dhe bazohet në kriteret e vlerësimit të hartuara nga KLD-ja. Por Nishani tha se ekspertët e BE-së vunë re se kjo listë deri më sot nuk ekziston. I takon KLD-së që të rregullojë detajet për krijimin e kësaj situate.

Financimi nga Anglia dhe Gjermania

Krimi i organizuar, UNODC

dhuron pajisje për policinë

TIRANE- Qeveria gjermane dhe ajo angleze i kanë dhuruar disa pajisje teknologjike Policisë së Shtetit, me qëllim që kjo e fundit të risë më tepër forcën zbuluese dhe operacionale për luftimin e krimit të organizuar dhe pastrimit të parave. Ceremonia e dhurimit të këtyre pajisjeve u zhvillua ditën djeshme, ku të pranishëm ishin zv.ministri i Brendshëm Avenir Peka, ambasadori i Gjermanisë Bernd Borchardt, ambasadorja e Mbretërisë së Bashkuar Fiona Mcllëham dhe drejtues të tjerë të Policisë. Avenir Peka theksoi se lufta kundër krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme dhe pastrimit të parave vazhdon të mbetet një nga prioritetet e qeverisë shqiptare, Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit dhe vazhdimi i rritjes së kapaciteteve në këtë drejtim u theksua dhe gjatë takimit të fundit të Komitetit Ndërministror për Masat Kundër Krimit të Organizuar, Trafiqeve dhe Terrorizmit. Ndërkohë ambasadori Bernd Borchardt theksoi se krimi i organizuar është një fenomen që prek jo vetëm Shqipërinë, por edhe Gjermaninë dhe vendet e tjera evropiane, ndaj është me rëndësi të tejskajshme që të ketë bashkëpunim të ngushtë midis vendeve tona. Pajisjet logjistike dhurohen në saje të një financimi të përbashkët të projektit UNODC dhe Policisë së Shtetit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›