E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia, lista me 10 më të kërkuarit në Durrës

03/08/2010 Dy persona janë me vendimin burgim të përjetshëm nën akuzën e vrasjes

Drejtoria e policisë së qarkut të Durrësit ka shpallur një listë me dhjetë emrat e personave më të kërkuar për vepra të rënda penale. Forcat e rendit në njoftimin e dhënë dje bëjnë të ditur se për dy nga të kërkuarit është dhënë masa me burgim të përjetshëm, duke i konsideruar kështu dhe me rrezikshmëri të lartë. Por deri tani policia nuk ka mundur t’i rikthejë në ambientet e burgut. Deri një vit më parë kjo listë ka qenë afro dy herë më e madhe, ndërsa dje ajo është ofruar e rifreskuar. Të gjithë personat që kërkohen nga drejtësia e Durrësit janë akuzuar dhe pjesa më e madhe e tyre janë dënuar për veprën penale të vrasjes. Policia ka vënë në dispozicion të qytetarëve tre numra telefoni: 129, 126 ose 052 2 222 66, duke shpresuar në bashkëpunimin me komunitetin në kapjen e këtyre shtetasve. Në krye të listës është vendosur David Gjokeja, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje të dyfishtë. Pas tij renditen Sami Kila me burgim të përjetshëm për vrasje, Ermir Dervishi i dënuar me 20 vjet burg për vrasje, Ani Bardhoshi me 18 vjet për vrasje, Marlen Tome me 16 vjet për vrasje, Milan Marku me 16 vjet për vrasje, Sokol Deçka me 13 vjet për vrasje, Skënder Zhiti me 20 vjet për vrasje. Krahas tyre në këtë listë me 10 emrat e personave më të kërkuar janë përfshirë edhe Plaurend Dervishi, nën akuzën e krijimit të organizatës kriminale dhe akuzën për vrasje si dhe shtetasi Shpëtim Mema, edhe ai me masë sigurie “arrest me burg” në mungesë për vrasje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›