Manjani: Opozitës nuk i mungojnë listat, po votat

LSI: PS është kundër zgjedhjeve demokratike
Ylli Manjani, Sekretar për Çështjet Zgjedhore i LSI-së ka reaguar pas incidenteve të ndodhura dje në njësinë bashkiake mes përfaqësuesve të LSI-së dhe atyre të PS-së.
“Duam të ndajmë sot me ju konstatimin se opozita shqiptare ka filluar projektin e shkatërrimit të zgjedhjeve vendore të 8 majit. Për fat të keq, filozofia politike e opozitës është kundër zgjedhjeve të lira e demokratike, votës së lirë dhe të drejtës së çdo shqiptari për të votuar, ambasadave të vendeve perëndimore, ekonomisë së lirë, institucioneve të shtetit demokratik”, tha Manjani.
Sipas tij, në këtë periudhë lufta e tyre absurde është përqendruar ndaj zgjedhjeve të lira dhe ambasadave të huaja. Sulmi fizik dhe verbal ndaj të zgjedhurve vendor, zyrave publike ku ata ushtrojnë veprimtarinë e tyre në dobi të qytetarëve, motivohet qartësisht nga paniku elektoral.
“Pa asnjë dyshim, e gjithë kjo dhunë që kemi parë nuk motivohet nga asnjë e vërtetë. Nga informacionet qe ne kemi, na rezulton se opozita shqiptarë ka marrë, megjithatë, kopje të listave paraprake të zgjedhësve ashtu siç parashikon Kodi Zgjedhor. Mirëpo e vërteta është se atyre nuk u mungojë listat, po votat”, theksoi Manjani.
Sipas tij, LSI i kërkon të zgjedhurve vendore që janë sot në detyrë, përfshi edhe të zgjedhurin në ikje të Bashkisë së Tiranës, të marrin përgjegjësitë që ju jep kodi zgjedhor dhe të garantojnë standardin demokratik që çdo votues me të drejtë vote të jetë në listën e votuesve.
“Ne i kërkojmë çdo administratori vendor të punojë i qetë dhe me sigurinë që i jep ligji për të përballuar edhe këtë valë sulmi të dhunshëm të projektit për shkatërrimin e zgjedhjeve. LSI siguron se ky projekt është i dështuar siç kanë dështuar të gjitha nismat e dhunshme të derisotme”, përfundoi ai.