Këshilli Kombëtar i PD-së zyrtarizon sot kandidatët për garën elektorale të 8 majit

Partia Demokratike do të shpallë sot kandidaturat për zgjedhjet vendore që do të mbahen më 8 maj. Me këtë rast, Partia Demokratike ka njoftuar të gjitha anëtarët e Këshillit kombëtar të saj se ditën sotme, në orën 17:00 do të zhvillohet mbledhja e këtij forumi për miratimin e kandidaturave për kryetarë të bashkive dhe komunave. Ndërkohë që Partia Demokratike hyn në këto zgjedhje me koalicionin “Aleanca për Qytetarin”, ku në qendër të fushatës elektorale ashtu siç është shpallur tashmë edhe nga kryeministri Berisha, njëkohësisht Kryetar i PD do të jetë qytetari. Në fokus të fushatës së PD do të jenë gjithashtu projektet në shërbim të përmirësimit të jetës për çdo komunitet, fshat, komunë apo bashki. Koalicioni “Aleanca për Qytetarin” hyn në këto zgjedhje pas realizimit të një sërë projektesh jetike për vendin, ndër më kryesorët është procesi i liberalizimit të vizave, ku qytetarët mund të lëvizin të lirë në të gjitha vendet e hapësirës “Schengen”. Falë investimeve dhe projekteve konkrete, tashmë i gjithë rrjeti infrastrukturor në vend është modernizuar, rrugët e fshatit janë lidhur me ato të komunave apo me ato nacionale. Për sa i përket infrastrukturës rrugore, dy projekte të tjera madhore janë në realizim e sipër, autostrada Tiranë-Elbasan si dhe rruga e Arbrit. Gjithashtu, në shërbim të qytetarëve, qeveria ka mundësuar rritjen e pagave dhe pensioneve për 800 mijë familje, ndërkohë që rritja e tyre do të vazhdojë edhe për këtë vit. Po ashtu, falë politikave të mira fiskale dhe reformave efikase në sektorin financiar, vendi vijon të ketë rritje të lartë ekonomike, që shoqërohet me rritje të ardhurash, eksportesh etj. Krahas, realizimit dhe mbajtjes së premtimeve të saj, kjo mazhorancë ka vendosur që këtë fushatë t’ia dedikojë tërësisht zgjidhjes së problemeve të qytetarëve, interesave të tyre si dhe finalizimin e sa më shumë projekteve drejt zhvillimit të vendit.
...