E Shtunë, 31 Tetor 2026

Erisa Xhixho: Tavani elektoral, shpikja e radhës e Edi Ramës

25-03-2011 / Gazeta 55

Tavani i gjimnazit “Petro Nini” bie mbi kokat e nxënësve

Një sipërfaqe tavani prej 5 metra katror është shkëputur nga tavani i njërës prej klasave të gjimnazit “Petro Nini Luarasi” në Tiranë.
Incidenti ka ndodhur dje paradite gjatë kohës kur nxënësit ishin në mësim, duke vënë në rrezik serioz jetën e tyre.
Drejtoresha e shkollës Mimoza Verzivolli e cituar nga atsh, ka thënë se incidenti ndodhi rreth orës 13.10, në orën e gjashtë të programit mësimor, në katin e dytë në një prej korridoreve anësorë. Për sigurinë e nxënësve, Verzivoli gjykon se nevojitet një ekspertizë për punimet e kryera nga firma. Rikonstruksioni i “Petro Nini Luarasit”, pjesë e territorit të Njësisë Bashkiake nr. 5 u mundësua nga Bashkia e Tiranës.
I menjëhershëm ishte reagimi i Lëvizjes Socialiste për Integrim, përmes kryetares së LRI, Erisa Xhixho.
Së bashku me një grup të rinjsh kandidatja për kryetare të njësisë bashkiake nr. 5, ka qenë në gjimnazin “Petro Nini Luarasi”, ku gjatë paradites një sipërfaqe tavani prej 5 metra katror ra gjatë kohës kur nxënësit ishin në mësim. Fatmirësisht nga kjo ngjarje nuk pati të lënduar, por Xhixho i bëri apel të gjithë organeve të drejtësisë që sa më shpejt shkaktarët e kësaj ngjarjeje të vihen para drejtësisë. E shoqëruar nga një grup të rinjsh, Xhixho denoncoi atë që e quajti tavan elektoral dhe theksoi se Tirana ka nevojë për një ndryshim të vërtetë, ku shkollat të kenë numër të kufizuar nxënësish dhe siguria e tyre të jetë prioritet i të gjithëve.
“Kisha dëgjuar për pemë elektorale, kisha dëgjuar edhe për asfalt elektoral, por tavani elektoral është shpikja më e fundit e Bashkisë së Tiranës dhe është për të ardhur keq që ambiciet personale të një personi dhe teatri i tij politik janë shndërruar në një gërmadhë që po bie në kokat e fëmijëve tanë sot. Tirana ka nevojë për një ndryshim të vërtetë, ku shkollat të kenë numër të kufizuar nxënësish dhe siguria e tyre të jetë prioritet i të gjithëve ne. Fatmirësisht nga kjo ngjarje nuk pati të lënduar por do të doja t’i bëja një apel të gjithë organeve të drejtësisë që sa më shpejt shkaktarët e kësaj ngjarjeje të vihen para drejtësisë”, u shpreh Erisa Xhixho.
E njëjta situatë është ndeshur edhe vitin e kaluar në gjimnazin “Sami Frashëri”, ku shembja e tavanit la të plagosur edhe një vajzë të klasës së 5-të. Firma e Koço Kokëdhimës, e cila kishte kryer punimit jashtë çdo standardi, jo vetëm që nuk u gjobit nga Bashkia për cilësinë e dobët të punimeve, por përkundrazi as nuk u kthye të riparonte dëmin e shkaktuar vetëm pak kohë pas përfundimit të rikonstruksionit. Fatkeqësisht, e njëjta situatë ndeshet edhe në mjaft gjimnaze të tjera të kryeqytetit.
Tendenca nevrastenike e Edi Ramës për të përfunduar punimet në kohën e përplasjes elektorale, thjesht e vetëm për të krijuar përshtypjen e njeriut punëtor, po rrezikon mijëra jetë nxënësish në mbarë shkollat 8 vjeçare dhe gjimnaze të kryeqytetit.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›