Manjani: Pse është antiligjor kontestimi i zgjedhjeve
Flet eksperti ligjor : Si kandidati i PS-së tentoi të blinte votat
Në rrugën e kontestimit të zgjedhjeve të fundit nga Partia Socialiste nuk është respektuar legjislacioni zgjedhor për afatet e kontestimit të zgjedhjeve, është shmangur me vetëdije Gjykata Kushtetuese si hallkë në këtë proces dhe është shkelur Kushtetuta. Ylli Manjani, ekspert ligjor i PS-së, kandidat për deputet në Qarkun e Dibrës, flet për gazetën standard duke shpjeguar anti-ligjshmërinë e kontestimit të zgjedhjeve nga ana e partisë ku ai aderon. Por i pyetur nëse ka konstatuar personalisht në fushatë manipulim të zgjedhjeve, ai ngre si shqetësim manipulimin e votuesve dhe jo të votave, duke folur për një fenomen që ka të bëjë me blerjen me anë të bonuseve paraprake nga ana e kandidatëve. E, në këtë rast ai nuk flet vetëm për mazhorancën, por vë gishtin në një prej kandidatëve socialistë, që nuk preferon ta përmendë me emër, megjithëse kuptohet që ky kandidat është sot deputet dhe një nga mbështetësit kryesorë të Ramës. Në Dibër pati edhe një fenomen tjetër, ku një pjesë e mirë e elektoratit tonë refuzoi të votonte sepse renditja që Rama vendosi në çastin e fundit në listën e qarkut provokoi shumë mllef e thashetheme. Pati zona ku as paratë e përdorura nga një kandidat i yni nuk bënë më punë, sepse mllefi ishte shumë më i madh sesa për paudhësitë e qeverisë. Ky është realiteti që kam parë e përjetuar unë në qarkun e Dibrës, - thotë Manjani. Manjani, duke u zhveshur për pak nga petku i politikës e duke folur si jurist, bën një analizë të mospërputhshmërisë juridike të aksionit të PS-së për hetimin e zgjedhjeve, pasi sipas tij, ligjet janë rregullatorë të proceseve zgjedhore dhe për këtë është parashikuar një afat kohor. Sipas Manjanit, Rama është faktori krizë në gjithë këtë situatë, ndërkohë që sipas tij, ai nuk ka dashur kurrë të hapë kutitë apo të bëjë hetim të zgjedhjeve, por ka dashur të krijojë krizë politike dhe parlamentare.
Zoti Manjani, ju jeni një nga kritikët më të fortë të linjës që po ndjek Edi Rama dhe PS pas zgjedhjeve të 28 qershorit. E kam fjalën për mospranimin e humbjes, për mosdorëheqjen e Ramës nga drejtimi i partisë, bojkoti i Kuvendit dhe dalja në protesta. Jemi në një moment kur duket se asgjë ska ndryshuar pas 6-7 muajsh bojkot, protesta dhe ndërhyrje të ndërkombëtarëve. Sipas jush, a mund të ishte ndërtuar ndryshe strategjia e opozitës që të ishte më produktive për të dhe për vendin, nëse po, si duhej të sillej ajo që prej fillimit?
Pa asnjë diskutim strategjia e Partisë Socialiste pas humbjes së zgjedhjeve duhet të ishte krejtësisht ndryshe nga sa kemi parë deri më sot. Pikë së pari, Partia Socialiste duhet të përcaktonte përgjegjësinë për humbjen e zgjedhjeve, pasi të kishte pranuar dhe njohur rezultatin. Ne hymë në zgjedhje me mendimin se populli do të dilte lumë për të votuar kundër qeverisë. As lumi e as dallga e premtuar nuk ndodhi, prandaj duhej të pranonim dështimin në zgjedhje, siç bëmë disa prej nesh në parti, ndryshe nga sa sugjeroi zoti Rama. Në vijim partia duhet të rifillonte punën e saj për të korrigjuar defektet që na çuan në humbje, ku defekti më i madh ishte përçarja e partisë dhe mungesa e aleancave të duhura. Sigurisht kjo kërkonte reflektim dhe sjellje krejt tjetër nga ana e drejtuesve tonë në radhë të parë e mandej nga ana e partive të tjera të majta që u detyruan të bëjnë koalicion disi të pazakontë me Berishën. Në vijim me një opozitë të bashkuar do të kishte më shumë rezultat dhe eficencë edhe fjala, edhe veprimi politik i opozitës. Mirëpo asgjë nga këto nuk ndodhi, sepse pengesa kryesore ishte dhe mbetet zoti Rama. Ky i fundit hyri në zgjedhje me kushtin fiks, o i fiton zgjedhjet dhe qeveris vetëm, ose largohet nga politika. Ai nuk i fitoi i vetëm zgjedhjet, sepse dëmtoi partinë dhe nuk ndërtoi aleancat e duhura politike, por edhe nuk u largua nga politika. Ky ishte momenti që e shndërroi zotin Rama në faktor krize brenda partisë dhe të majtës. Në këto kushte nuk kishte se si Meta të bashkohej me Ramën që deri para zgjedhjeve kishte punuar për ta shkrirë atë (Metën). E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Nanon dhe të tjerët që ishin larguar nga PS-ja për shkak se nuk ishin dakord me politikën e Ramës. Nga ana tjetër, refuzimi për të pranuar zgjedhjet shmangu vëmendjen e publikut nga problemet që ka vendi dhe nxori Partinë Socialiste nga sistemi ligjor dhe kushtetues për një kohë shumë të gjatë. Refuzimi për të bërë betimin në Kuvend dhe mospjesëmarrja në zgjedhjet e pjesshme lokale, ishin dy ngjarjet më të rënda politike e juridike që provokoi drejtimi i partisë pas zgjedhjeve. Se do katandisej Partia Socialiste, partia që bëri vendin me Kushtetutë në dhunuese të saj (Kushtetutës) nuk ma kishte marrë mendja. Por për fat të keq edhe kjo gjë ndodhi dhe po ndodh për ditë.
PS pretendon se është manipuluar rezultati, se ka pasur shkelje më të rënda se ato që përmenden në raportin e OSBE/ODHIR-it, duke shkuar madje deri në akuza të drejtpërdrejta për blerje komisionerësh. Ju keni qenë kandidat për deputet dhe sigurisht keni parë nga afër fushatën zgjedhore e më tej votimin e numërimin e votave. Sa qëndrojnë, sipas jush, këto akuza dhe a përligjin ato një bojkot kaq të gjatë të Kuvendit e më tej protestat për rrëzimin e qeverisë?
Unë nuk e di se çka ndodhur nëpër Shqipëri, por në Qarkun e Dibrës nuk është manipuluar vota, por është manipuluar votuesi. Dua të them se me asistencë sociale të dhënë paradhënie, me thasë me miell dhe me përdorim masiv të mjeteve publike, PD arriti të thyente shumë votues kryesisht të rraskapitur nga varfëria e tejskajshme. Ky fakt sa herë e kujtoj më bën realisht të ndjehem pesimist. Jemi një populli i varfër dhe kjo varfëri na kushton shumë shtrenjtë, madje deri në nder, fjalë e dinjitet. Ky është një realitet i dhimbshëm. Në Dibër pati edhe një fenomen tjetër, ku një pjesë e mirë e elektoratit tonë refuzoi të votonte, sepse renditja që Rama vendosi në çastin e fundit në listën e qarkut provokoi shumë mllef e thashetheme. Pati zona ku as paratë e përdorura nga një kandidat i yni nuk bënë më punë, sepse mllefi ishte shumë më i madh sesa për paudhësitë e qeverisë. Ky është realiteti që kam parë e përjetuar unë në Qarkun e Dibrës. Megjithatë një mendim të përgjithshëm për arsyet e humbjes së zgjedhjeve më është kristalizuar tashmë. Ne i kemi humbur zgjedhjet për shkak të përçarjes sonë dhe mosndërtimit të aleancave të duhura. Ne dolëm në zgjedhje të vetëm kundër të gjithëve, elektorati nuk na mbështeti prandaj dhe humbëm. Nga ana tjetër, ka disa tregues që flasin qartë për politikën e gabuar që ndoqi Rama sidomos me hartimin e listave të deputetëve. Konstatimi që bëhet lehtësisht është se ku u vendosën biznesmenë, për të siguruar vota, kemi humbur bindshëm. Kjo do të thotë se nga një opozitë elektorati nuk pret as biznesmenë e as paratë e tyre, por pret politika alternative, mençuri dhe bashkim. Nuk kishte pse të votonte elektorati një lider të fortë kur të fortin e ka ende për Kryeministër. E kam thënë edhe më parë se nuk kishte pse të votonte kopjen kur origjinali është gjallë, meqë Rama u prezantua njësoj si Berisha. Sa për sulmin që Rama iu ka bërë dhe iu bën komisionerëve të partisë, mendoj se është një sjellje jo vetëm e papranueshme por gati-gati kriminale. Komisionerët tanë në shumicë janë sot pa punë për shkak se pranuan të jenë komisionerë të Partisë Socialiste. Në vend që partia të organizonte punë dhe veprimin e saj politik për ti mbrojtur këta njerëz, Edi Rama i sulmon ato më keq se vetë PD-ja. Kjo është e papranueshme dhe madje e ndëshkueshme politikisht.
Hapja e kutive u përdor aq shumë nga Rama dhe PS saqë u kthye në një lajtmotiv politik, në një litar ku varej aksioni politik i kësaj partie. Nga ana tjetër, nëse PS do të pranonte hetimin që nuk synonte rinumërim votash, ose të paktën të pranonte këshillën e Gjykatës Kushtetuese dhe Komisionit e Venecias ndoshta ngërçi mund të ishte kapërcyer... por nga qëndrimi i palëkundur duket sikur PS në të vërtetë nuk donte që të hapeshin këto kuti. A mendoni se u teprua me këtë kërkesë, duke e kthyer atë në një pengesë të vërt