Manjani: Rama bën lojë politike kundër interesave të PS-së
24/03/2010 Kundërshtarët e kryetarit të PS-së Edi Rama vijojnë të apelojnë kundër lëvizjeve që po ndjek kjo parti dhe ligjvënësit e saj. Sipas njërit prej kritikeve, njëkohësisht anëtar i Asamblesë Kombëtare të PS-së, Ylli Manjani, loja politike e nisur nga kreu socialist Rama pas humbjes në zgjedhjet e qershorit po pengon opozitën të ushtrojë rolin e saj: oponencën e qeverisjes. Në gjykimin e tij çdo hap i ndjekur deri tani nga lidershipi socialist ka dëmtuar imazhin e Partisë Socialiste. Për këtë arsye Manjani vuri në dukje gjatë prononcimit të tij se “zgjedhjet janë një kapitull i mbyllur tashmë dhe socialistët, në vend që të mbështetin aksionet e gabuara politike të kryesocialistit, duhet të mendojnë për të punuar për qytetarët që i kanë votuar”. Madje, në vlerësimin e socialistit Manjani rifillimin e protestave për të luftuar për transparencën e zgjedhjeve dhe opsionin e përfolur për të bojkotuar sërish Parlamentin janë teknika krejtësisht absurde. Ndërkohë Manjani shpreh qartë qëndrimin e tij kundër një bojkoti të mundshëm të zgjedhjeve lokale nga ana e socialistëve. Sipas tij, askush nuk mund t’u mohojë qytetarëve shqiptarë të drejtën për t’u përfaqësuar.