E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nis gjyqi ndaj 6 komisionerëve të Portëzës

24/03/2010 Dhjetëra banorë mbushin sheshin e gjykatës: Të na marrin dhe ne si të pandehur, nuk i lejuam

FIER- Mbushet sheshi para Gjykatës së Shkallës së Parë të Fierit me banorë të komunës së Portëzës. Dhjetëra banorë kanë përkrahur në paraditen e djeshme 6 komisionerët e të dyja forcave politike, kundër të cilëve ka nisur rreth orës 10 seanca gjyqësore për veprën penale të “braktisjes së detyrës” parashikuar nga Kodi Zgjedhor. Banorët janë shprehur se komisionerët janë të pafajshëm dhe se veprimi i tyre ka qenë korrekt, pasi kanë qenë vet banorët, të cilët kanë penguar procesin zgjedhor. Trupi gjykues kryesuar nga gjyqtar Piro Sota i ka nxjerrë jashtë banorët, të cilët kanë kërkuar të hyjnë në sallë, ndërsa në sallë me cilësinë e të pandehurit kanë qenë komisionerët dhe të afërmit e tyre.

Seanca

Është shtyrë seanca e gjykimit të komisionerëve të Portëzës me kërkesë të avokates së njërit prej të pandehurve, Siciljana Lisi, e cila kërkoi të njihej me çështjen, zhvillimet e deritanishme dhe detajet e saj. Gjykata e Fierit kishte caktuar datën 23 mars për zhvillimin e seancës gjyqësore të 6 komisionerëve Mane Goxhaj, Abedin Cobaj, Lefter Kallashi, Kastriot Hoxha, Tajar Behari dhe Riza Metaj. Seanca gjyqësore u drejtua nga gjyqtari Piro Sota, ndërsa akuza e drejtuar kundër tyre është braktisja e detyrës sipas nenit 169 të Kodit Zgjedhor. Seanca është shtyrë për në datën 1 prill, por vetë komisionerët e Portëzës pretendojnë se janë të pafajshëm për sa u përket akuzave të drejtuara ndaj tyre. Sipas tyre, ata nuk kanë mundur të startojnë procesin e votimit më 28 qershor në dy qendrat vendore të votimit, pasi nuk u është dorëzuar asnjë bazë materiale nga KZAZ në Patos. “Nuk e di pse po na trajtojnë si kriminelë. Çfarë do të thotë kjo? Ne nuk kemi bërë asgjë në kundërshtim me ligjin. Shkuam të tërhiqnim materialet zgjedhore dhe nuk na i dhanë, pasi nuk kishin ardhur edhe ata të palës tjetër, pra, komisionerët e djathtë. Në KZAZ në Patos na thanë që duhet të ishim paraqitur kryetar-nënkryetar-sekretar dhe ne nuk bëheshim dot të gjithë bashkë, kjo edhe për faktin që banorët ishin në protesta dhe nuk lejonin komisionerët. Duan të na varin, le të na varin, por nuk mendoj se problemi paska mbetur tek ne”,- ka deklaruar Abedin Cobaj, njëri nga komisionerët. Ndërkohë edhe Kastriot Hoxhaj, një tjetër komisioner tregon pak pasi u shty seanca në ngarkim të tyre, se nuk kanë asnjë faj në këtë drejtim dhe se ndihen keq kur u duhet të paraqiten në gjyq si të pandehur. “Çfarë është ky muhabet. Na trajtojnë si të kemi bërë krim. Nuk pranojmë asnjë akuzë që na bëhet dhe nuk do të pranojmë. Nuk jemi dakord që çështja jonë të trajtohet me gjyq, sikur ne kemi dashur të shkelim ligjet”, ka vijuar Hoxhaj. Tashmë do t’i takoj datës 1 prill asaj që do të vendos për afatet e komisionarëve, të cilët duken ende të paqartë rreth asaj që është zhvilluar. Sot komisionerët nuk dinë se si mund të kishin vepruar që kjo të quhej ligjore, pasi siç e thonë vetë ata, në asnjë rast nuk ka munguar gatishmëria për t’i tërhequr materialet zgjedhore. Banorët që kanë mbështetur komisionerët e të gjitha forcave politike janë shprehur se në datën 1 prill, ata do të protestojnë para komunës së tyre, fshatrave problematikë Plyk dhe Kraps, dhe një pjesë e madhe e banorëve do të protestojnë para Gjykatës së Shkallës së Parë të rrethit gjyqësor Fier, pasi sipas tyre vendimi i gjykatës për t’i cilësuar këta persona si “të pandehur” është i padrejtë, pasi kanë qenë komuniteti, ata që kanë vendosur bojkotin e zgjedhjeve për shkak të mungesës së rrugëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›