Manjani: Rama e ktheu PS në një OJQ
Anëtari i Asamblesë Kombëtare, Ylli Manjani gjatë fjalës së tij, ka akuzuar Edi Ramën se e ka kthyer PS në OJQ. “Moshyrja në zgjedhje është vendim abuziv dhe pa tru. Edi Rama e ka bërë partinë OJQ. Vetëm një OJQ kërkon firma qytetarësh sepse nuk ka përfaqësim në Kuvend me deputetë, ndërsa ne kemi 65 kokrra deputetësh dhe sillemi si OJQ. Me vendime të tilla ne të gjithë dalim në ilegalitet ose dalim në mal. Partia e Ramës është njësoj si e Berishës. Në këto kushte njerëzit votuan origjinalin dhe jo fotokopjen e tij, Ramën” u shpreh Manjani. Anëtari i Asamblesë Kombëtare i ka kërkuar dhe deputetit socialist Qemal Minxhozi të mbajë premtimin që u ka dhënë banorëve të Matit. “Ti Qemal duhet të mbash premtimin që u dhe banorëve të Matit në miting, kur u the se nëse ju nuk ma jepni votën tuaj, unë nuk e dua mandatin. Ata nuk ta dhanë votën, u votove shumë pak, prandaj mbaj premtimin”, është shprehur Manjani, ndërsa deputeti Sadri Abazi e ka kundërshtuar, duke thënë se prandaj kërkohet hapja e kutive. Gjatë fjalës së tij, Manjani ka hedhur akuza dhe ndaj drejtuesve të tjerë të PS-së. “Grupi politiko-juridik përtej të majtës dhe të djathtës me anëtarë të PD dhe PS ka kapur peng këtë parti. Ata që i mbyllën dosjen Mediut në Itali nuk mund ta dënonin atë në Shqipëri”, tha Manjani.