Rama: Do bllokojmë dhe zgjedhjet e 2010
Aristir Lumezi
Kryetari socialist apeloi sërish për hapjen e kutive, në të kundërt PS do bllokojë zgjedhjet e ardhshme. Duke folur para anëtarëve të Asamblesë Kombëtare në lidhje me vendimin për bojkotin e zgjedhjeve të pjesshme në 5 njësi vendore, Rama tha se nëse nuk hapen kutitë PS nuk do tërhiqet. “Propozimin për mospjesëmarrjen në zgjedhjet e pjesshme ia kam bërë unë kryesisë socialiste nisur nga reagimi i bazës socialiste, por dhe qytetarëve për të mos hyrë në garë me Berishën derisa të hapen kutitë. Zgjedhjet e pjesshme jo vetëm do t’i bojkotojmë, por nëse nuk hapen kutitë e votimit që ne kërkojmë dhe nëse nuk zbardhet e vërteta e masakrës zgjedhore të 28 qershorit, ne nuk do të lejojmë të zhvillohen zgjedhjet e ardhshme”, u shpreh Rama para anëtarëve të Asamblesë Kombëtare. Qëndrimi i kryetarit socialist ndaj bojkotit të zgjedhjeve të pjesshme nuk u përfshi në fjalën zyrtare të tij që ishte e hapur për mediat, përmes së cilës ai u shpreh se PS do të përshkallëzojë rezistencën dhe protestat e saj në të gjithë vendin për të kulmuar në Tiranë në 20 nëntor.
“Dëshiroj të theksoj se protestat tona do të përshkallëzohen dhe se në 20 nëntor, ashtu sikundër doli spontanisht në protestën e djeshme, në qytetin e Beratit, ne do të rikthehemi përsëri në Tiranë, në një manifestim akoma më të madh, dhe me një këmbëngulje akoma më të madhe për të kërkuar me forcë të drejtën tonë dhe për të kërkuar me forcë që kërkesat tona, të cilat janë kërkesa elementare për një demokraci funksionale të plotësohen, duke nënvizuar përditë dhe me më forcë se, çdo shmangie nga plotësimi i këtyre kërkesave do të jetë kostoja që do ta paguajë Sali Berisha”, u shpreh Rama. Duke nënvizuar qëndresën e grupit parlamentar socialist për të mos hyrë në Parlament, Rama tha se ky qëndrim e largon PS nga bashkëfajësia për masakrën elektorale. “Ne nuk hyjmë dhe nuk do të hyjmë në Parlament për t’u bërë bashkëfajtor në mbylljen e syve përpara të vërtetës dramatike të zgjedhjeve në Shqipëri dhe për mbylljen e rrugëve për zgjedhje të lira dhe të ndershme për kushedi sa vjet të tjera. Sepse ne nuk kemi iluzionin që mund të ketë nesër zgjedhje të lira dhe të ndershme me Sali Berishën në pushtet, në qoftë se sot pushteti i Sali Berishës nuk i hap rrugë hetimit të së gjithë mekanizmit kriminal që goditi lirinë dhe cenoi ndershmërinë e këtyre zgjedhjeve”, tha Rama. gjatë fjalës së tij para anëtarëve të asamblesë, Rama i dha përgjigje dhe zërave që kërkojnë hyrjen në parlament të deputetëve socialistë. “Kush shqetësohet nga mungesa jonë në Parlament, duhet ta kuptojë, se boshllëkun e mungesës përpara ligjit nuk e mbush prania jonë në Parlament, por përkundrazi e fsheh, ndërkohë që beteja jonë pa kompromis për rivendosjen e ligjit në rrugën e protestave dhe të rezistencës demokratike është një betejë për të mbrojtur parlamentarizmin, për të mbrojtur themelet e Parlamentit, idenë dhe kuptimin e Parlamentit”, u shpreh kryetari socialist.
Pikat e fjalës së Ramës
Fati i kësaj beteje nuk është në duart e atyre që na detyruan të kushtëzojmë marrëdhënien me Parlamentin dhe të dalim në rrugën e protestave popullore
Nëse Berisha nuk hap kutitë ne do ta përballim Sali Berishën, dhe pushtetin e hajdutëve të votës, me pushtetin e sovranitetit të popullit
Ne kërkojmë që shteti të ndahet nga pushteti një herë e mirë dhe kurrë më të mos përzihet në një betejë elektorale për llogari të pushtetit.
Ne nuk hyjmë dhe nuk do të hyjmë në Parlament për t’u bërë bashkëfajtorë në mbylljen e syve përpara të vërtetës dramatike të zgjedhjeve në Shqipëri
Kush shqetësohet nga mungesa jonë në Parlament, duhet ta kuptojë, se boshllëkun e mungesës përpara ligjit nuk e mbush prania jonë në Parlament, por përkundrazi e fsheh atë
Marrëveshja për kufirin të trajtohet nga Gjykata me dinjitetin e duhur dhe të mos kthehet në asnjë mënyrë në një debat të rëndomtë
Protestat tona do të përshkallëzohen dhe se në 20 nëntor ne do të rikthehemi përsëri në Tiranë, në një manifestim akoma më të madh