Manjani: Retorikat dhe qëndrimi i dyzuar i Ramës nuk do pengojnë hyrjen e PS në parlament

"Socialistët, apel Edvinit që të dalë mbi interesat personale dhe të shohë drejt aspiratave kombëtare”Ashpërsohen zërat kritikë në Partinë Socialiste, kundër kreut të opozitës Edi Ramës. Qëndrimi tekanjoz i kryesocialistit, në një kohë kur Presidenti ka ftuar mbledhjen e një tryeze të përbashkët ditën e shtunë, ka sosur durimin e zyrtarëve socialistë, të cilët shprehen se pavarësisht dyzimi të Ramës, tryeza do prodhojë rezultat në interes të vendit. Anëtari i Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, Ylli Manjani, deklaron se se dialogu politik që po prodhon tryeza e Presidentit, është mjaft i rëndësishëm për të ardhmen evropiane të vendit, pavarësisht rezultateve që do të vijnë prej saj. Duke theksuar se kushti i vendosur nga Rama për hapjen e kutive është një tekë politike e kryesocialistit, anëtari i Asamblesë socialiste, Manjani shprehet se ky i fundit, ka rastin e tij të artë për të treguar se di të ngrihet mbi interesat personale për interesin kombëtar. Manjani shprehet i bindur se grupi parlamentar socialist do të jetë në Kuvend, pavarësisht qëndrimit të dyzuar dhe paqartësisë politike që po tregon kryesocialisti Rama me aksionet e ndërmarra pas humbjes në zgjedhje. Ashtu si edhe përfaqësues të të mendimit ndryshe në Partinë Socialiste, edhe Manjani thekson domosdoshmërinë e bashkimit të të gjithë zërave brenda së majtës. “E vetmja arsye që e bën Partinë Socialiste fituese në përplasjet e hershme, është bashkimi. Nëse Partia Socialiste shkon përsëri drejt përçarjes është e sigurt që do shkojë drejt katastrofës së radhës”, tha më tej ai. Për anëtarin e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, Manjani, ai që duhet të ndëshkohet për thyerje rregullash është kryetari Edi Rama, i cili nuk u largua nga partia, pasi humbi zgjedhjet. Megjithatë, deputetët e Partisë Socialiste paralajmërojnë se grupi parlamentar i Partisë Socialiste, do jetë jashtë parlamentit edhe gjatë muajit shkurt, pasi në fillim të marsit, ata do t’i drejtohen sallës së Kuvendit, për të shpëtuar djegien e mandateve dhe njëherazi konfirmimin e linjës së tyre politike drejt integrimit të vendit në proceset euro-atlantike. Zërat brenda selisë rozë shprehen të sigurt se bojkoti do të thyhet brenda javës së parë të marsit, ndërsa konfirmohet qartë se vendimi personal i kryesocialistit në detyrë, Edvin Rama, do të shpërfillet masivisht nga grupi parlamentar socialist....