Vendimi përfundimtar: Pushohet hetimi për Mediun
Pas parashtrimit të kërkesave dhe kundërshtive të tyre, trupi gjykues u tërhoq për marrjen e vendimit. Pesë anëtarët e Kolegjit Penal u "izoluan" në dhomën e konsultave, ku diskutuan ligjshmërinë e kërkesave. Pas më shumë se 90 minutave, në momentin që Presidenti i Republikës kishte dekretuar qeverinë e re, trupi gjykues u fut në sallë për të lexuar shkurtimisht vendimin që kishin marrë me shumicë votash. "Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, pasi dëgjoi mbrojtësit e të pandehurit Fatmir Mediu, që pretenduan faktin e zgjedhjes deputet të të mbrojturit prej tyre, fakt që sipas tyre kushtëzon vazhdimin e ndjekjes penale dhe përfaqësuesit e organit të akuzës që kërkuan vazhdimin e gjykimit, vërejtën se në bazë të vendimit nr. 602, dt. 01.08.2009 të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, rezulton se i pandehuri Fatmir Mediu është zgjedhur deputet i Legjislaturës së 18 të Kuvendit të Shqipërisë. Kjo rrethanë nuk e lejon vazhdimin e procedimit penal në ngarkim të tij, për aq sa nuk ka një autorizim për ndjekje penale të dhënë nga Kuvendi i Shqipërisë mbas marrjes prej tij të mandatit të deputetit. Për këto arsye, mbështetur në nenin 73/2 të Kushtetutës së Shqipërisë dhe nenet 290/e dhe 387/1 të Kodit të Procedurës Penale, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë vendosi: Pushimin e procedimit penal në ngarkim të të pandehurit Fatmir Mediu për shkak se ndjekja penale ndaj tij nuk mund të vazhdojë", thuhet në vendim.