E Shtunë, 31 Tetor 2026

Manjola Konjari: “Opera është tempulli ku mund të ëndërrosh”



Interpretuese e dhjetëra roleve, Manjola Konjari, është një ndër mexosopranot më të suksesshme në vend. Në CV-në e saj artistike numërohen role të ndryshme, karaktere të ndryshme të autorëve të ndryshëm, por që nga interpretimi i Konjarit kanë marrë etiketën role të suksesshme. Me gjithë gamën e gjerë të roleve, ajo shprehet se secili rol është i veçantë për të sepse secili ka vështirësitë e veta vokale dhe interpretative të ndryshme. Roli më i vështirë, por dhe më i bukur njëkohësisht për mexosopranon Konjari, ka qenë roli i Carmen-it. “Një ndër rolet më të bukura të miat është roli i Carmen-it, të cilin e kisha me shumë dëshirë për ta bërë, pasi në momentet kur unë u largova nga Shqipëria, në skenën e Teatrit do të vihej opera “Carmen”. Pra ishte një dëshirë e imja e parealizuar. Kur m’u dha mundësia për ta bërë ishte diçka e mrekullueshme, një realizim i një ëndrre të mbetur në sirtar. Carmen ishte një rol me të vërtetë i bukur, të cilin e kam kënduar me shumë dëshirë. Premiera e Carmen-it më ka dhuruar një ndjenjë që rrallëherë e kam provuar në jetën time”, - thotë ajo gjatë intervistës. Mexosopranoja shprehet se ka punuar më shumë për rolet e Carmen-it, Amnerisit dhe Azuccen-ës sepse këto tri role përfshijnë tërë vështirësitë e karaktereve të ndryshme, duke filluar që nga lirizmi i thellë e deri te dramaciteti më i fortë. E gjitha kjo e bën një këngëtare të ndjehet e realizuar. E pyetur se cila është skena e ëndrrave të saj, ajo na tha: “E them me plot bindje se skena e Teatrit të Operas është një skenë shumë dinjitoze, që ka një staf të mrekullueshëm, që shoqërohemi nga një orkestër e mrekullueshme. Jam shumë e kënaqur që këndoj në vendin tim”. Projekte që do ta shfaqin në vazhdim dhe surprizat të tjera mexosopranoja Konjari i tregon gjatë intervistës.

Izaura Ndoj

Së fundi iu shfaqët publikut me veprën “Rigoleto” të Xhuzepe Verdit, në rolin e Madalenës. Çfarë mund të na thoni rreth këtij interpretimi?
“Rigoleto” është një ndër veprat që e kisha luajtur dhe më parë. Është një vepër e mrekullueshme që bën pjesë në trilogjinë e famshme të Xhuzepe Verdit, “Traviata”, “Trovatore” dhe “Rigoleto”. Janë ndër veprat më të bukura në trilogjinë popullore të Verdit. Ky ishte një rikthim në këtë vepër pas shumë veprash të tjera që janë bërë në Teatrin e Operas. Ishte një rikthim i parë në këndvështrim ndryshe. Në çdo moment të jetës së këngëtarit ke një stad tjetër pjekurie përsa i përket anës vokale dhe anës autoriale. Në këtë Rigoleto, do të veçoja, në krahasim me Rigoleton e mrekullueshme në 2005-n, nën regjinë e Nikolin Gurakuqit, ndryshimi erdhi që nga skenografia dhe deri te regjia. Skenografia e kësaj vepre ishte përshtatur me ditët e sotme, regjia dhe kostumografia ishin vendosur gati si në jetën e përditshme. Me pak fjalë nuk ishte ajo Rigoltto klasike siç jemi mësuar ne ta shohim. Në fakt, fillimi për mua ka qenë pak i dyshimtë, sepse nuk kisha luajtur asnjëherë një vepër unike të tillë, të vendosur në ditët e sotme. I thashë vetes që njeriu duhet të provojë, ndryshimin u munduam ta shikonim të vendosur në ditët e sotme, sepse lajtmotivi i saj, dashuria prindërore, pasioni, tradhtia, janë faktorë që ekzistojnë edhe në ditët e sotme. Me pak fjalë, këto kryevepra janë vënie të mrekullueshme që edhe spektatori i ka të vështira t’i harrojë.

Si lindi bashkëpunimi për rolin e Madalenës me regjisorin Nikola Zorzi?
Bashkëpunimi me regjisorin Zorzi është bashkëpunimi im i parë. Mund të them se është një ndër ata regjisorë që të jep hapësirë dhe të lë të futësh elementë të veçantë nga vetja jote. Bashkëpunimet e mia, në fakt, kanë qenë të shumta me regjisorin shqiptar Nikolin Gurakuqi, jam mësuar me metodën e tij në zbërthimin deri në detaje, ndërsa me Nikolën ishte një bashkëpunim i ri dhe e them me bindje se ishte një bashkëpunim frutdhënës, pasi rezultati u ndje edhe nga publiku i mrekullueshëm që na ndoqi për tri net radhazi. Kjo i dedikohet edhe një përkushtimi të madh të të gjithë stafit të këngëtarëve, orkestrës, korit dhe të gjithë stafit deri të dekoruesit. Vënia e një vepre skenike në Teatrin e Operas është një bashkëpunim i ngushtë i të gjithë sektorëve.

Si kanë nisur fillimet drejt kantos?
Pasi mbarova Akademinë e Arteve, ku kam studiuar dhe bëra një konkurs në Teatrin e Operas dhe Baletit. Komisioni i këtij konkursi për t’u futur në Teatrin e Operas përbëhej nga figurat më të shquara të muzikës dhe të artit shqiptar, që nga Nikolla Zoraqi, Çesk Zadeja, Rifat Teqja, Muharrem Denisi etj. I përmend të tërë këto personalitete të artit për të thënë se sa përgjegjësi të madhe kam ndjerë atë ditë kur kam dalë në skenë për t’u bërë pjesë e teatrit dhe flas për vitin 1988, kur sapo isha diplomuar, ku konkursi në atë kohë bëhej me pjesë nga diploma. Jam emëruar në Teatrin e Operas pasi kishim bërë në Akademinë e Arteve “Madam Butterfly”. Më pas shfaqja ime e parë ka qenë me operën “Mrika”, në rolin e Nënës Marës. Emocionet me këtë shfaqje kanë qenë të pafundme, rrahjet e zemrës ishin në maksimum, pasi përgjithësia tashmë ishte shumë më e madhe, sepse po dilja në atë skenë që unë e kisha ëndërruar. Ishte një skenë që e kisha shijuar si spektatore që në fëmijëri. Me pak fjalë, ishte një realizim i një ëndrre aq të madhe dhe e një dëshire të pamasë për të shkelur në këtë skenë aty ku unë kisha adhuruar të gjithë artistët e operës.

Çfarë simbolizon për ju skena e Teatrit të Operas dhe Baletit?
Skena për mua është tempulli ku mund të ëndërrosh, mund të këndosh, mund të kërcesh, pra përveç familjes time është gjithë bota ime. Ne jetojmë më shumë në punë sepse provat janë të gjata dhe pjesa më e madhe e ditëve tonë është në punë, prandaj teatri është gjithçka për mua.

Kush ka qenë shtysa për Manjola Konjarin drejt rrugës së artit?
Që në shkollën tetëvjeçare më pëlqente të këndoja, për më tepër isha shumë familjare me Teatrin e Operas, pasi babai im punonte si balerin në teatër. E gjithë familja zbavitjen më të madhe e kishte në skenë, pasi çdo herë që kishte shfaqje, ne i ndiqnim dhe që këtu filloi ajo dëshira dhe adhurimi për skenën dhe këngën. E gjithë fëmijëria ime ka qenë pranë Teatrit, pasi dëshira për të kënduar kishte ardhur në një mënyrë shumë të natyrshme tek unë. Çifti Nina dhe Avni Mula kanë zbuluar në një farë mënyrë pasionin tim drejt artit.

Me një karrierë 20-vjeçare para publikut shqiptar si mexosoprano, keni pasur ndonjë ofertë për skenat jashtë Shqipërisë?
Koncerte kemi dhënë shumë nëpër gjithë Europën, kemi kënduar në Greqi Traviatën, në Itali kemi bërë shfaqje që nga Kavaleria Rustikana, ndërsa për të kënduar nuk kam pasur ndonjë ofertë.

Ju ka trembur ndonjë moment skena?
Të trembem? Jo, s’më ka ndodhur ndonjëherë. Kam pasur vetëm përgjegjësi të mëdha. Shkëputja ime për disa vite nga Teatri i Operas dhe rikthimi im në skenë ka qenë viti im më i suksesshëm, pasi në teatër u vunë vepra që mexosoprano kishte një rëndësi të madhe. Në atë vit u vendos “Ballo me maska”, “Carmen” dhe “Aida”. Këto tri vepra të mëdha, të tria ishin të ndryshme nga ana e stilit, ku mexosoprano kishte rol kryesor. Përgjegjësia ka qenë kaq e madhe, sa në një periudhë të shkurtër duhej të përballoje tri kryevepra dhe jo vetëm përgjegjësia, por më shumë ishte kënaqësia, pasi rrallëherë të jepet mundësia të këndosh këto vepra të arrira. Ky vit them se ka qenë ndër momentet më të bukura të jetës time, më të lodhshmet, por me një emocion të veçantë, që nuk do ta harroj.

Sa ka arritur galeria e personazheve gjatë karrierës tuaj?
Mund të them vetëm këtë, në të gjitha veprat që janë vënë në Teatrin e Operas mund të ketë dy ose tri vepra në të cilat nuk kam marrë pjesë. Kam qenë pjesëmarrëse duke filluar që nga operetat, operat dramatike, këto pak më të lehtat, në veprat simfonike dhe jam shumë e lumtur që kam mundur të këndoj. Unë kam filluar me rolin e Marës tek opera shqiptare “Mrika”, duke hedhur hapat e parë dhe duke ecur me rolet e mëtejshme si Mama Luçia te “Kavaleria Rustikana”, Flora te “Traviata”, Marjana te “Signor Bruschino”, për të ardhur te rolet e mëdha si Azuçena te “Il trovatore”, Madalena te “Rigoleto”, Ulrika te “Ballo me maska”, Amneris te “Aida”. Jam e lumtur që kam mundur të lëvroj në të gjitha zhanret e muzikës klasike vokale, si opereta “Princesha e Çardashit” në rolin e Stasit, apo edhe në muzikën simfonike me Simfoninë Nr. 9” të Bethovenit, “Requiem” të Moxartit dhe “Mesia” i Hendelit.

Keni pasur ndonjë moment të vështirë gjatë karrierës tuaj që e kujtoni edhe sot?
Moment të vështirë nuk kam pasur. Ka pasur momente si për shembull kur kam luajtur rolin e Carmen-it, e cila është një ndër kryeveprat botërore dhe për mexosopranon ndër rolet më të bukura, sepse është kaq i gjerë që fillon nga lirizmi më i thellë deri në atë dramatik. Menjëherë pas kësaj, në qershor është vënë opera “Aida”, një premierë absolute e Teatrit të Operas. Në këtë vepër Verdi ka menduar që roli i mexosopranos të jetë ka i fuqishëm, kaq dramatik sa që edhe ndërtimin nga ana vokale e ka bërë shumë të vështirë. Shkon që nga notat më të thella gati kontralto deri në notat më të larta që bashkohen gati me sopranon. Përkushtimi për të realizuar këtë rol ishte kaq i madh, dhe puna ishte kaq e domosdoshme dhe kaq intensive sa që kisha harruar të bëja dhe pushim sepse ishte një kohë e shkurtër për mua për të realizuar këtë vepër mbas veprës “Carmen”. Opera “Aida” nuk është vetëm një premierë absolute për Teatrin, por për mua është e veçantë sepse isha Amneris i parë shqiptar.

Si arrin Manjola të mbajë ekuilibrat ndërmjet familjes dhe punës?
Duke qenë se kjo është jeta ime, kantoja është pasioni im, është bërë pjesë edhe e tyre. Në momentet kur unë jam shumë e ngarkuar në punë, provat janë me orë të zgjatura, lodhja fillon e ndihet jashtëzakonisht shumë atëherë unë ndjehem shumë e çlodhur pasi kam një mbështetje të madhe nga familja ime. Një preokupim të veçantë e marr nga vajza ime, bashkëshorti dhe e gjithë familja. Them se është një profesion që do mbështetjen e familjes se ndryshe është shumë e vështirë.

Ka ndonjë pasion të dytë për Manjolën?
Një pasion i veçantë është mësimdhënia, pasi unë jam pedagoge e jashtme në Akademinë e Arteve në degën së Kantos. Është një kënaqësi e pamasë të punosh me të rinjtë që i shikon si vetvetja jote në kohët e mëparshme, me dëshirën e madhe për të kënduar dhe mësuar. Duke qenë se nuk e realizova dot me vajzën time të cilën e adhuroja që të bëhej një këngëtare edhe pse ajo vet nuk e donte unë jam e lumtur që këtë eksperiencë ia fal studentëve të mi. Një pasion tjetër për mua janë kafshët dhe lulet. Në shtëpi kemi një qen që tashmë është bërë pjesëtar i familjes tonë. Një pasion tjetër që unë e kam shumë për zemër janë lulet; kam një kopsht të vogël ku unë e rregulloj vetë dhe përkujdesem shumë.

Përveç zërit, sa e rëndësishme është paraqitja në skenë?
Njeriu duhet të kujdeset pavarësisht se çfarë profesioni bën. Sigurisht, puna jonë është e tillë që të bën gjatë gjithë kohës të jesh me paraqitjen e duhur në skenë. Është komponent i jetës tënde që bën art.

Kush është roli që të ka lënë më shumë mbresa gjatë gjithë këtyre viteve?
Njeriu nuk kënaqet asnjëherë me atë që ka realizuar sepse kjo do të ishte një stopim i madh i kërkesave ndaj vetvetes. Por dhe nuk duhet të jetë i pakënaqur me atë që bën, duhet të jetë kërkues. Një ndër rolet më të bukura të miat është roli i Carmen-it, të cilin e kisha me shumë dëshirë për ta bërë, pasi në momentet kur unë u largova nga Shqipëria, në skenën e Teatrit do të vihej opera “Carmen”. Pra ishte një dëshirë e imja e parealizuar. Kur m’u dha mundësia për ta bërë ishte diçka e mrekullueshme, një realizim i një ëndrre të mbetur në sirtar. Carmen ishte një rol me të vërtetë i bukur, të cilin e kam kënduar me shumë dëshirë. Premiera e Carmen-it më ka dhuruar një ndjenjë që rrallëherë e kam provuar në jetën time.

Kush është skena e ëndrrave të Manjola Konjarit?
Në përgjithësi, të gjithë kërkojnë të jetojnë në skenat e botës, por çdo gjë që jeta ta ofron është e bukur, por e them me plotë bindjen se skena e Teatrit të Operas është një skenë shumë dinjitoze, që ka një staf të mrekullueshëm, që shoqërohemi nga një orkestër e mrekullueshme. Jam shumë e kënaqur që këndoj në vendin tim.

Kush janë projektet që do t’ju shfaqin përsëri në skenë?
Unë pres që pas një sërë veprash, siç ishte “Rigoleto”, do të vihet opera “Otello”, ku unë kam përsëri një rol shumë të bukur. Kam filluar që tani punën për këtë vepër. Në çdo vepër ku ka një mexosoprano që përshtatet me natyrën e zërit tim, unë do isha e gatshme ta këndoja. Vepra ka kaq shumë, sa vetëm punë duhet për t’i realizuar ato.

27 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›