Viti i ri akademik, Tafaj: “Do të 3-fishohet numri i studentëve te degët e Teknologjisë së Informacionit”
Më shumë mundësi për të rinjtë shqiptarë, që duan t’i vijojnë studimet e larta në degët e Teknologjisë së Informacionit. Për vitin akademik 2010-2011, Ministria e Arsimit synon që të 3-fishojë numrin e studentëve që do të pranohen në të gjitha drejtimet e studimeve dhe profilet që lidhen me Teknologjinë e Informacionit (IT). Kështu ka deklaruar dje nga qyteti i Elbasanit, kreu i Ministrisë së Arsimit, Myqerem Tafaj, cili ishte i pranishëm në konferencën shkencore “Procesi i Bolonjës”, në Universitetin “Aleksandër Xhuvani”. Rëndësi të veçantë në këtë konferencë, ministri i Arsimit, i kushtoi fuqizimit në drejtimin e studimeve të Teknologjisë së Informacionit, sepse tregu i punës ka nevojë për specialistë dhe teknikë në këtë fushë. “Ne na duhen gjithashtu edhe mësues të kualifikuar në fushën e IT-së, sepse lënda e Informatikës ka hyrë që në klasën e shtatë dhe vazhdon edhe në shkollën e mesme”,- nënvizoi Tafaj. Sipas tij, i gjithë sistemi parauniversitar është në procesin e reformimit të kurrikulës, duke e konsideruar edhe mbështetjen në Teknologjinë e Informacionit. Më tej, ministri i Arsimit, ka vlerësuar se Universiteti i Elbasanit është një nga universitetet, në të cilin Karta e Bolonjës është implementuar me së miri. “Universiteti i Elbasanit është një nga qendrat e ekselencës në fushën e mësuesisë dhe ky drejtim duhet të fuqizohet për të ruajtur traditën dhe të zhvillojë më tej fushën e përgatitjes universitare të mësuesve dhe kualifikimit të vazhduar të tyre në të gjitha ciklet”,- cilësoi Tafaj. Më tej kreu i Arsim it ka vlerësuar se ky universitet ka krijuar një traditë të mirë edhe në Gjuhët e huaja. Sipas ministrit Tafaj, duhet të marren në kondiseratë të tilla modele, duke përmirësuar kurrikulën dhe duke i kombinuar Gjuhët e huaja, në mënyrë që të diplomuarit të kenë akses më të madh në tregun e punës.
“Ora e Tokës”
Sot bota fik dritat për 60 minuta
Sot, bota do të fikë dritat në mënyrë ceremoniale për 60 minuta. Simbolet më të njohura në botë, si piramidat, Kulla e Eifelit dhe qyteti i Ndaluar në Pekin, do t’i mbulojë errësira, për shkak të “Orës së Tokës”. “Ora e Tokës” filloi në Sidnej në vitin 2007, kur më shumë se dy milionë njerëz i fikën dritat në shtëpitë, zyrat dhe bizneset e tyre për 60 minuta, duke sinjalizuar për konsumin e energjisë elektrike dhe ndotjen nga karboni. Prej atëherë, shumë njerëz dhe ndërtesa publike në mbarë botën i janë bashkuar nismës “Ora e Tokës”. Kjo e fundit përfaqëson një thirrje globale për veprim ndaj çdo individi, çdo biznesi dhe çdo lloj komuniteti kudo në botë për të fikur dritat, për një orë. “Ora e Tokës” është iniciativa ndoshta më masive sensibilizuese që është zbatuar ndonjëherë në planet. Kjo iniciativë, megjithëse ka filluar me qytetin e Sidneyt në vitin 2007 është konkluduar me 4000 qytete dhe 1 miliardë njerëz në vitin 2009. Kësaj nisme, që prej vitit të kaluar i është bashkuar edhe Bashkia e Tiranës, të cilën do ta vazhdojë edhe këtë vit. Kështu, rreth orës 20.30, në kryeqytet do të fiken dritat e godinës së Bashkisë së Tiranës dhe Kullës së Sahatit për një orë.
27 Mars 2010