E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mano Zjarret per te demtuar turizmin

Zjarret që kanë përfshirë prej disa ditësh masivet pyjore të zonave turistike dhe parqet kombëtare të Rajonit të Korçës ,janë të qëllimshme dhe zjarrvënësit kanë pasur si synim të dëmtojnë turizmin. Kështu është shprehur prefekti I Korçës Andrea Mano,gjatë një komunikimi me mediat,ku u ka bërë thirrje edhe organeve përkatëse që të vijojnë hetimet intensivisht,për të vënë para ligjit përgjegjësit e kësaj situate. Sipas Manos,fakti që vatrat e zjarrit janë shfaqur në të njëjtën periudhë kohore në masivet pyjore të Voskopojës dhe parqet kombëtare të Bozdovecit dhe Dardhës ,tregon se zjarrvëniet jo vetëm që janë të qëllimshme,por edhe kanë synuar të dëmtojnë turizmin e këtyre zonave.
Përsa i përket situatës së zjarreve gjatë 24 orëve të fundit ,Mano ka bërë të ditur se situata po shkon drejt përmirësimit në ato vatra zjarri që janë ende active në zonën e Devollit , Ersekës dhe Korçës, ndërsa vijon të mbetet shqetësuese vatra e zjarrit në parkun kombëtar të Bozdovecit. Dhjetra forca të shërbimit pyjor,komunës Drenovë dhe banorët e zonës kanë mundur të venë nën kontroll vatrën e zjarrit në masivin e Dardhës dhe po punohet për të lokalizuar edhe vatrën e Bozdovecit.
Prefekti i Korçës Mano ,u ka kërkuar banorëve të këtyre zonave ,që të vazhdojnë të mbeten të angazhuar dhe të ndihmojnë strukturat shtetërore në lokalizimin dhe fikjen e zjarreve ,ndërsa ka ngritur shqetësimin se edhe në ato zona ku është ndërhyrë dhe janë shuar plotësisht vatrat e zjarreve ,persona të ndryshëm kanë aktivizuar vatra të reja ,duke dëmtuar në një masë të konsiderueshme masivet pyjore në mjaft zona të juglindjes së vendit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›