Manon Lescaut, një shpërthim duartrokitjesh në skenën e TKOB
operistike shqiptare, vepra do të vijë për publikun dhe tre net të tjera, 16,18 dhe 20 shkurt. Muzika e Puçinit solli më 14 shkurt trazimet e dashurisë, xhelozisë, tradhtisë, derisa akti i fundit vendos një qetësi farsë mes dy të dashuruarve. Ata duan të largohen diku ku njerëzit nuk ndahen në të pasur e të varfër, ku të shijojnë qetësisht dashurinë e tyre. Por i pret një fund i trishtë që e çon Manonin drejt vdekjes, kurse De Grijë kthehet në Francë dhe fillon një jetë tjetër, atë të klerikut. Manoni, një vajzë e re nga një familje e pasur, që josh burra me bukurinë e saj, i fal ndjenja të pastra studentit de Grijë, të cilin e takon për herë të parë në një mjedis pijanecësh dhe qejflinjsh. Manon tërhiqet pas kësaj jete. Është vetëm një vajzë e re në kërkim të kënaqësive, gjë që nuk mund t'ia ofrojë bankieri Zheron de Ravjor, mik i mbretit, që i siguron luksin dhe të mirat e jetës. Në katër netët e shfaqjes interpretojnë sopranot: Etleva Golemi, Irini Nikolla dhe Shpresa Beka. Në krah të Manonit është djaloshi i dashuruar (de Grijë), në rol tenori italian Lorenzo Decaro. Bankieri interpretohet nga Sidrit Bejleri, dhe vëllai i Manonit, Leskoja nga Armando Likaj. Interpretues të tjerë janë: Erlind Zeraliu, Denis Skuro, Jani Çekixhi, Manjola Konjari, Sofika Kola, Klodiana Laze, Genc Vozga, Roel Llupo, Bledi Hoxha, Sokol Tomorri. Mjeshtër koncertues dhe dirigjent orkestre është Gianluca Martinenghi, i pranishëm në disa premiera të Teatrit të Operës. Mjeshtër kori Suzana Turku Kashara, dirigjent kori Dritan Lumshi, dirigjent Edmond Doko. Manon Lescaut (1731), është bazuar në novelën e Abatit Prevost, Historia e kavalierit de Grijë dhe Manon Lesco. Për herë të parë kjo vepër është shfaqur në Teatro Regio të Turinës, më 1893. Kur vë në skenë Puçinin ke parasysh në radhë të parë një dramaturg. Puçini është një dramaturg i jashtëzakonshëm. Është nga të paktët autorë, kompozitorë që është njohës i shkëlqyer i dramaturgjisë skenike, dhe që e ka tërë partiturën e tij me shënime regjisoriale, pohon regjisori Gurakuqi. Sa i takon kësaj vepre janë bërë dhe disa filma për Manon Lescaut, pasi është një dramë shumë e fuqishme, është shfaqje që përçon mesazhe të fuqishme dashurie.