E Diel, 1 Nëntor 2026

Mantho Bala: Spiro Koleka deshi të më shkatërrojë familjen

Vijon intervista e ish-zëvendësministrit të Arsimit dhe Kulturës, Mantho Bala. Ndërsa për disa numra me radhë ka treguar jetën e tij në shkëlqim, pikërisht në numrin e sotëm ai ruan për lexuesin e gazetës sonë surprizat befasuese: Jeta e tij në ditët kur u shkarkua nga të gjitha funksionet partiake dhe shtetërore. Çfarë ndodhi në shtëpi, kur befasisht ia behën makinat e policisë për ta dërguar në Dumre të Elbasanit. Historia e së shoqes, së cilës i bëhej presion nga dajua i babait, Spiro Koleka, që të divorconte burrin ish-zëvendësministër. Ngjarjet e vështira që shoqëruan jetën e tij, ndërsa mbërriti në qytezën e të internuarve etj. Gjithçka, lexuesi i Gazetës do ta mësojë pikërisht në numrin e sotëm të kësaj interviste befasuese.

(Vijon nga numri i kaluar)

Zoti Mantho, në këto ditë të intervistës suaj të zgjeruar të dhënë ekskluzivisht për gazetën tonë, keni dëshmuar kryesisht te përballja që keni pasur si zëvendësministër me strukturat politike të kryeqytetit, të drejtuara nga Manush Myftiu dhe Fadil Paçrami. Historitë e përplasjeve arritën deri aty sa ju u përballët me Manush Myftiun, i cili arriti sipas jush në disa forma për t'ju shkarkuar nga posti i zëvendësministrit të Arsimit dhe Kulturës, të cilin e mbanit prej tetë vjetësh, si dhe t'ju përjashtonte fare nga Partia. Pas kësaj, me sa di unë jeni internuar. Si ndodhi dhe kush jua komunikoi?
Të gjitha sa thatë janë absolutisht të sakta. Siç e patë, një përplasje e madhe me Manush Myftiun për të vendosur pikat mbi I, "kjo më takon mua dhe kjo ty", solli gjithë atë gurgule. Ndërsa ai më premtoi se do ta diskutonte problemin me autoritetet e larta të Komitetit Qendror, solli në skenë të kundërtën. Sajoi një mbledhje organizate dhe hodhi në tavolinë dy letra anonime, të mjaftueshme sipas tij që të shkarkonin nga të gjitha detyrat politike dhe ekzekutive një zëvendësministër. Kështu e mendonte ai. Thuaj ç'të duash, por më vulgaritet nuk ka. Të gjitha këto u sajuan edhe me Feçorr Shehun. Pra, më akuzonte mua Feçorr Shehu për imoral. E kupton ti këtë diçiturë? Të gjithë e dinë kush ishte Feçorr Shehu, që deri në atë moment kishte qenë miku im më i ngushtë.
Pse e fut Feçorr Shehun në këtë mesele?
Sepse një javë para se të sajohej ajo maskaradë që mban emrin Manush Myftiu, Feçorri pothuajse nuk më foli fare me gojë. Ku ishin? Pse nuk e gjetën autorin e letrave anonime? S'e gjenin dot? Absolutisht që e gjenin, ashtu siç gjeti Sigurimi Halim Xhelon, që kishte kundërshtuar heqjen e gradave. Por ata nuk donin, se i kishin bërë vetë ato letra që na dolën kur unë i thashë Manushit se problemet që dëmtonin rëndë punën e Partisë isha gati t'i diskutoja deri në rangjet më të larta të Partisë dhe me kë të donte ai.
Ju kuptova deri në këtë moment zoti Bala. Le të kalojmë te rrjedha e mëtejshme e jetës suaj, pas gjitha kësaj kataklizmoje ta quajmë, që ju ndodhi. Si vijoi më tej maskarada, siç edhe e konsideroni ju?
Dy ditë më vonë më njoftojnë se qenkësh marrë vendimi për internimin tim.
Ma thuaj hollësisht si ndodhi dhe kush jua tha?
Isha duke dorëzuar detyrën dhe duke lënë porositë e fundit në dikaster dhe te ish-vartësit e mi kur si rastësisht në korridor më takon drejtori i kuadrit të ministrisë, i cili më thotë: -Mirë që të gjeta në korridor se do të të kisha kërkuar për të të takuar. Ku di unë, ai komisioni i internim-dëbimeve ka marrë vendim për internimin tënd....
- Pra, po ta shikosh në pamje të parë problemin kupton se nuk kishin kurajë as të më takonin dhe të më komunikonin zyrtarisht qartazi të tëra vendimet që ishin marrë ndaj meje.
Pse, nuk ishte zyrtar, me drejtorin e kuadrit?
Ashtu duket në pamje të parë, por ai që deri dy ditë më parë kishte qenë vartësi im s'kishte lidhje fare me komunikimin e internimit, por vetëm me emërimet në ministri.
Qartë. Dhe më tej?
Më tej vajti si vajti ajo punë, që të mos ndalem më në hollësira të pavlera, prita të më vinte policia në shtëpi për të më marrë. Nuk më munduan të prisja gjatë (Qesh me të madhe) se u treguan të kujdesshëm dhe erdhën shpejt makinat te fundi i pallatit, madje që të nesërmen si kisha marrë vesh që isha internuar.
Ku e kishit shtëpinë?
Në fillim të rrugës së Durrësit, mbi ëmbëltore "Flora", kati i dytë. Kështu, në pak orë të ditës së nesërme ky burrë e pa veten në mes të fshatit Kosovë të Dumresë në Elbasan. Ishin ditët e tmerrit. Sa shkova aty më thonë se hë për hë nuk kishin ku të më sistemonin, por do të bënin si do të bënin. Dhe më futën në një stallë bagëtish.
Si në stallë bagëtish?
Tamam në një stallë bagëtish, ku flinin aktualisht bagëtitë. Në një krah ishin dhitë dhe në krahun tjetër isha unë, ku shtrova një dyshek me kashtë dhe dy batanije që më dhanë aty.
Me familjen ishit?
Fillimisht shkova vetëm. Pas një muaji më thërresin në Tiranë dhe më komunikojnë se isha internuar me gjithë familjen. Pra, duhej të merrja dhe familjen me vete. Ndërkohë, kisha djalin në shkollën e aviacionit. Atë e hoqën nga shkolla dhe e dërguan ushtar. Ashtu dhe djalin tjetër që e kisha të shkëlqyer në shkollë të mesme, si mbaroi atë nuk i dhanë shkollë por e dërguan ushtar. Pas ushtrisë të dy djemtë më erdhën në internim. Pra, u bashkua e gjithë familja në Kosovë të Dumresë. Pra isha unë, gruaja ime Violeta dhe dy djemtë, Vasili dhe Pirro.
Po të kishe shtëpinë në fillim të rrugës së Durrësit, aq më shumë tamam mbi pastiçeri "Flora", doemos nuk mund të ta linte kush familjen aty? Dikush tjetër mund t'ia kishte vënë syrin shtëpisë, apo jo?
Është si është dhe u nisën nga u nisën mua më plasën ashtu si të thashë. Mendoja që kisha punuar me ndërgjegje tepër të pastër dhe me një përkushtim të habitshëm, aq sa çuditem dhe sot dhe çfarë fitova? Një përdhosje të asaj natyre. Kisha qenë nga pionierët e parë të luftës, që i gëzohesha lirisë si një çilimi dhe ja tani, sa shkova në detyra kisha përballë padronë të papërballueshëm. Ishte hata. Më iku mendja e kokës. Gruaja kaloi në depresion. E kam shtruar disa herë në pavijonin e kurimeve nervore në Elbasan. Nëna ime plakë donte të vdiste me zor. Ka pirë vajguri por nuk arriti të vdiste. Lojtëm të gjithë nga mëndja. Nuk mund të pranonim dot atë realitet në të cilin na plasën, se ishim koshientë që nuk na takonte. Jo se pse mund të jetoja në fshat, por se isha i përdhosur dhe i internuar. Pra, juridikisht unë quhesha fundi i shoqërisë. Mbaj mënd që nëna ime plakë në atë kohë këndoi një bejte, ku me shpirt ka sharë udhëheqjen e atëhershme. I ka mallkuar me rrënjë. Dhe flasim për vitin 1976, mos harro!
E mbani mend bejten?
E mbaj posi, dhe kam qejf ta shkruash të plotë në gazetë. Atë bejte ajo e këndoi si u rikthye në jetë, pasi kur mësoi internimin tim më qau me ligje dhe piu gllënka vajguri sa u dend, për të vdekur. Ndërmjet të tjerash po më qante, duke thënë se dikur më kishte frikën mos merrte mandatën time se mund të vritesha nga gjermani kur isha fëmijë i padërsitur mustaqet si i thonë popullorçe, ndërsa tani po merrte mandatën, që po më vrisnin shokët e mi të luftës dhe të punës. I dhanë ndihmën e parë shpejt dhe e shpëtuan nga vdekja dhe ajo më pas këndoi:

O Mantho Balë skifteri,
Shpejt të hoqën nga defteri,
O Spiridhon bëfsh Thamë,
I hedhsh të gjithë në Lanë.

Në Kosovë, ku banonit?
Më mbrapa na dhanë një barake njëkatëshe, por që gjithsesi e përshtatëm dhe i bëmë një rrethim të thjeshtë.
Ku punonit?
Puna ime në internim ka qenë kazma dhe lopata dhe asgjë tjetër. Kam bërë vetëm punë krahu.
Sa vjet ke qenë në internim?
Kam bërë plot dhjetë vjet, që prej vitit 1976 deri në vitin 1986.
Vetëm për faktin që u internuat pati probleme depresioni gruaja juaj, apo ka pasur edhe arsye të jashtme, që në ato situata nuk mendoj se ju mungonin?
Ashtu është. Nuk ishte vetëm internimi, por terrori mbi të ka qenë i jashtëzakonshëm. Ajo për mua dhe familjen tonë ka mbetur një heroinë e vërtetë. Hallet që kaloi dhe situatat që përballoi bënë që ta merrte vdekja më shpejt dhe ja, unë tani jetoj pa të, kur kisha nevojë për një fjalë dhe për një ngushëllim për moshën që kam. Por hallet mbi të ishin të mëdha. Që kur u internova, që shkova vetëm fillimisht, dhe që pas një muaji më urdhëruan të merrja familjen, kishte qenë halli që të detyronin edhe familjen të më divorconte. Nuk u mjaftuan me rrënimin tim personal, por ata s'kishin të ngopur. Ishin të paimagjinueshëm. Më donin të shkatërruar plotësisht. Ka ku të vejë, që të të hedhin poshtë, të të internojnë dhe në fund bëjnë të pamundurën të të prishin familjen? Nuk mendoj se mund të bënin më shumë. Kështu që, pas gjithë atyre që hoqi Vileta, ku do të shkonte, veçse të fillonte problemet psikike, aq sa u shtrua disa herë në spitalin e Elbasanit.
Kush i bënte presion?
Spiro Koleka ka bërë shumë për të më divorcuar. Violeta kishte lidhje me fisin e tij dhe kështu, ai donte që me çdo kusht ajo të ishte e divorcuar. Këto siç të shpjegova ndodhnin në kohën që unë isha vetëm në internim. Kur panë se nuk arritën që familjen ta ndanin prej meje, atëherë vendosën që edhe këta të përfundonin bashkë me mua, gjë që ta tregova pak më lart.
Thatë që gruaja juaj kishte lidhje me Spiro Kolekën. Çfarë lidhjeje konkretisht?
Gjyshja e Violetës ishte motra e Spiro Kolekës, pra babai i saj ishte nipi i Spiro Kolekës, që i bie që unë të isha dhëndri i nipit të tij.
Jam shumë kurioze, çfarë i thonin?
I thonin se punët janë shumë të thella me Manthon. Ai këtu e ka fillimin por fundin nuk i dihet ku e ka, pasi ka kryer veprimtari të dendur dhe të theksuar kundër Partisë.
Sigurisht, nuk i shkonte vetë Spiro Koleka për t'ia thënë këto presione, apo jo?
Ai dërgonte një vajzën e xhaxhait të saj, që i binte që edhe atë Spirua ta kishte njëlloj si gruan time. Emrin nuk kam qejf t'ia përmend, se mendoj se s'është e nevojshme kur është Koleka në mes. Ajo vinte rregullisht te Vilota, duke ia dredhur e përdredhur muhabetin sa andej-këndej, duke i treguar se po merrte në qafë fëmijët me një njeri antiparti etj. etj. I thonin gjithashtu, se do të mbaronte diku fushave të Dumresë pa parë ditë të bardhë, derisa një ditë të mbyllte sytë. I thonin e ç'nuk i thonin, duke e frikësuar e duke e terrorizuar. Ndërkohë, unë të paktën kisha të vetmen ngushëllim që kisha një familje të fortë dhe kjo ishte shumë, se në ato momente po s'pate një ngushëllim ku të mbështetesh, me gjendjen tënde psikike ikën nga truri fare. Por asnjëherë nuk më shkonte mendja se në shtëpi kisha këto hije të zeza që nxinin dynjanë. Arrinin deri në krevatin bashkëshortor për të shkatërruar dhe gjënë më të shenjtë, bashkëjetesën me njeriun që kishe lidhur jetën. Nuk të flas dot për këto hije, se më prishet gjaku. Më mirë të kalojmë më poshtë.
Po jot shoqe si u përgjigjej, ndërsa i bënin gjithë atë presion dhe moral për divorc?
Iu tha prerë, jo një por dhjetëra herë kur i shkonin për të diskutuar këtë pikë të rëndësishme të jetës së saj:
Ç'do bëj unë me burrin tim atë e di unë dhe juve nuk ka ç'ju duhet fare. Në fund ua preu shkurt fare. Nuk lejoj askënd të ndërhyjë në punët e mia. Unë i di vetë shumë mirë, ashtu siç e di se kë kam marrë për burrë dhe ashtu siç e di se ç'më pret më tej. Kështu që pas kësaj më thërritën mua në Tiranë dhe më thanë se isha i internuar bashkë me familjen. Pas kësaj siç ta thashë përfunduam të gjithë në Kosovë. Dy fëmijët nuk u lejuan të vazhdonin jetën e nisur në arsim, por shkuan ushtarë dhe së fundmi të katërt në fushat e bujqësisë.
Pas kësaj, gruaja juaj pati probleme shëndetësore?
Pati shumë probleme psikike, sepse nuk e përballoi dot tërë atë terror. Shumë herë e kemi shtruar më shumë se një muaj në spital të Elbasanit, ndërkohë që në atë gjendje që kishte mua më lejonin t'i shkoja vetëm një herë në javë. Pra, unë shkoja vetëm të shtunave, ku rrija veç dy orë sa kisha leje. Ja, mua që më shikon kështu, që dola me armë në dorë që 15 vjeç, arrita në atë pikë ku gruaja nuk përballonte dot fyerjet dhe poshtërimet që na bëheshin. Ç'të të them, sikur kisha vrarë e prerë!
Kishe pasur besim te Partia deri atëherë, pasi kishe bërë dhe Shkollën e Partisë, ndërkohë që kishe qenë kuadër i saj?
Kisha pasur shumë. Kisha besuar se isha njeri i punës, që do të thotë që isha njeri idealist. Prandaj dhe u përplasa, sepse doja të venin gjërat drejt dhe të ndiqeshin rregullat siç ishin përcaktuar, mirëpo ku të linin "balenat" e shtetit.
Spiri Koleka, Violetën e kishte vajzën e nipit. Si nuk e mbrojti, të paktën të mos shkonte familja në internim?
Ku pyesnin ata mor zotëri. Ata vetëm se s'i ke njohur, se e mësoje mirë se çfarë ishin. Këtu nuk flitet për njerëzillëk, por për kanibalizëm. Ata donin të hanin njerëz, se kështu hahet njeriu, si të thashë unë, duke e çuar të diskriminuar skëterrave të vendit, kur nuk i jep të drejtë të takojë as gruan, ndërkohë që do t'i prishësh edhe familjen. E bukura ishte se kur shkoja në Elbasan për të takuar Violetën në spital, kur më dilnin në trotuar të njohur, se më kishte lidhur puna në gjithë Shqipërinë, jo vetëm si zëvendësministër por edhe nga funksionet partiake, më ndërronin rrugën.
As merrnin kurajën të të përshëndesnin?
Edhe ata që të detyroheshin të largoheshin sikur të të kishte zënë zgjebja. Vetëm njëri më ka bërë përshtypje. Ka qenë Enver Halili. Ai më bëri përshtypje. Unë sa e pashë ndërrova trotuar për të mos i prishur punë, por ai më thërriti sikur të mos kishte ndodhur gjë, duke më përqafuar me shumë mall dhe duke më pyetur për të gjithë familjen një e nga një. Më ngrohu shumë ajo dashamirësi shoku. Kisha shumë nevojë për atë sinqeritet të mrekullueshëm.
Po jeta në internim si u karakterizua?
Atje ndenja siç të thashë plot 10 vjet, që nga 1976-ta kur shkova dhe deri në vitin 1986-të kur vuri dorën në zemër Ramiz Alia dhe më ktheu në Vlorë. Ç'të të them se ç'bëhej aty. Atje, pra në Kosovë, ishin grumbulluar të gjithë të internuarit, aq sa përbënin deri në 85% të banorëve. Kishte nga njerëzit e betuar kundër Enver Hoxhës, ashtu siç kishte dhe nga bashkëpunëtorët më të afërt të tij. Një pjesë shumë e madhe ishin bërë spiunë të Sigurimit të Shtetit, të rekrutuar nga Zylyftar Ramizi, i cili bëri përpjekje të mëdha për të më kthyer edhe mua spiun, ndërkohë që unë kisha nga mbrapa dhjetëra të tillë.
Ku i shikoje?
Ishte një rrjetë e merimangës së zezë, që ishte e shtrirë kudo. Nisesha në punë, menjëherë hynte dikush në një bisedë dhe të bënte një provokim që ti të flisje, por që unë e kuptoja që në ajër që ishte i vënë nga Zylyftari. Por kishte ndodhur që teksa shikonim televizor dilja jashtë në errësirë për të urinuar, se banjën e kishim larg ambientit të banimit, kur hasja njerëz, madje gra, që kishin vënë veshin te xhami se ç'biseda bënim në familje.
Si reagonit juve?
Kur gjeta dikë te xhami që po të them, i bërtita me sa forcë që kisha: "Po ç'bën atje moj zhgarravinë e dreqit, ç'do që rri si maskareshë",- ndërkohë që nuk pa nga shkoi, por u plas mbi gardhin rrethues të banesës, sa e rrëzoi gardhin fare dhe e la vrapin në shtëpi.
Të internuar ishin?
Të internuar ore. Pjesën më të madhe të tyre e kishin bërë spiunë dhe spiunonin njëri-tjetrin. Këtë e mora vesh kur Zylyftar Ramizi donte të më bënte mua dhe më dërgoi në mesnatë gazin e Degës së Brendshme, për të më bërë ofertën në turizmin e Elbasanit.
Po ndonjë rast provokimi si shembull, mund të përmendni?
Po ja, njëri më thotë se e kisha pësuar keq. Nuk mund të bënin kështu për Mantho Balën. Të paktën t'i gjenin një vend të përshtatshëm, mirë internimin që ia dhanë etj. etj. Unë që e kuptova se nuk kishte dyshim që ai as e çante kokën për mua, në kundërshtim me ndërgjegjen time ia ktheu: -Partia e di se ç'bën mor djalë i mirë. Ajo të rregullon kur gabon dhe ajo të mbështet për të të edukuar. Mos e humb besimin te Partia. Po humbe besimin te Partia më mirë shko var një gur në qafë dhe mbytu. Kështu bëja me shumë: Kur më provokonin flisja për Partinë. Prandaj edhe Zylyftari pati besim se do të bashkëpunoja, se më konsideronte njeri të tij, edhe pse më kishin internuar. Pra, kisha luftuar dhe punuar për ta dhe tashmë isha në internim, ndërkohë që donin të bëja akoma për ta.
(Vijon nesër)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›