E Shtunë, 31 Tetor 2026

Manu Chao vjen në Prishtinë

Manu Chao, bendi francez, i njohur në të gjithë botën me hitet e tyre, do të vijë në Kosovë si pjesë e turneut në Ballkan "LA VENTURA", Koncerti do të mbahet të dielën më 10 Prill 2011, në Pallatin e Rinise dhe Sportit, i cili organizohet nga “SURF”. Nga Albana S. Muja më 11 mars 2011 në ora 19:48

Tingujt e muzikës së bendit francez Manu Chao do të arrijnë edhe në Prishtinë. Manu Chao vetë ka kërkuar që të ketë edhe një koncert në Prishtinë, si vazhdimësi e turneut në Ballkan "LA VENTURA”.

Në konferencën e mbajtur në ambientet e “SURF”, e organizuar për të paralajmëruar ardhjen e Manu Chao-s, koordinatori i koncertit Vigan Ramadani theksoi se dëshira ka qenë e vet bendit që të vijë edhe në Prishtinë.

“Manu Chao ka gjetur agjentët tanë, ka komunikuar me ta dhe ka vendosur të vijë në Kosovë”, tha Ramadani.

Mirëpo, numri i biletave do të jetë i limituar. Vetëm 3000 bileta do të jenë në shitje nga 14 marsi dhe shitja e tyre bëhet në 3 faza, 1000 biletat e para kushtojnë nga 8 euro, 1000 biletat në vijim kushtojnë nga 10 euro, ndërsa 1000 biletat e fundit kushtojnë nga 12 euro, kështu që ngutuni dhe blini më herët, nëse doni të bëheni pjesë e një kombinimi fantastik të kitarës spanjolle, Salca, Reggae, French Chanston, Punk Rock dhe shumë tinguj e melodi tjera qe Manu i absorbon gjatë udhëtimeve të tij anembanë globit.

Koncerti do të mbahet të dielën më 10 prill 2011 në Pallatin e Rinisë the Sportit.
Koncerti organizohet nga "SURF", që njihen me organizimet e koncerteve të mëdha siç janë 50 cent, Buena Vista Social Club, Nouvelle Vague dhe Morcheeba, të vlerësuara si koncertet më të mira të organizuara në Kosovë.

“Kemi pasur eksperienca edhe më herët me koncerte shumë të mëdha, kemi edhe plane pas këtij koncerti”, theksoi Ramadani.

Ai shtoi se “SURF” është krijuar që të sjellë evenimente top-kulturore për publikun kosovar, ekspozita, koncerte dhe ngjarje tjera kulturore.

“Jemi duke punuar që në maj të sjellim edhe një bend shumë të njohur norvegjez “Whitest Boy Alive” si dhe njëri nga bendet më të njohura rock, që mbetet befasi, e që do të vijë gjatë verës për festivalin Urban që e kemi në fund të gushtit”, tha Ramadani.

Ramadani shtoi se gjithë bendet që janë sjellë deri tani kanë qenë pak më alternative por të gjitha kanë qenë shumë kualitative dhe ky është synimi i “SURF”, që të sjellin muzikë të mirë, jo kiç, dhe që vërtet sjellin reagime si nga brenda si nga jashtë, nga publiku dhe nga mediat. “SURF” punon për t’i sjellë një imazh tjetër Kosovës dhe rinisë kosovare.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›