Mao-Ballukut: “Revolucionit i erdhi fundi”
Autori i Lajmit: Androkli DraloPekin, 27 janar 1967 – Elementë civilë, besnikë të Mao Ce Dunit, kanë pohuar ditën e djeshme se kanë zmbrapsur autoritetet lokale rebele në shumë provinca, duke pranuar se në provincën e Shansit, gjoja e zbutur dy javë më parë, rezistenca kishte vazhduar. Tabloja e turbullt që shfaqej nga radioja e kontrolluar nga Maoja dhe lajmet e afisheve, flisnin për beteja të veçanta dhe të pakoordinuara për vendosjen e autoritetit në secilën provincë dhe ndoshta në çdo qytet dhe fabrikë. Roli i ushtrisë, e urdhëruar së fundmi për të mbështetur “forcat e majta revolucionare” të Maos, mbeti i paqartë përveç një vendi ku ajo ndërhyri me sukses dhe pa derdhur gjak për të shtypur një revoltë antimaoiste. Kjo ndodhi në Harbin, Mançuri, të hënën e shkuar. Trupat rrethuan 300 ushtarë të pamobilizuar të armatosur me shkopinj, kamxhikë dhe thika, - raportoi David Oancia, ndërsa policia dhe trupat e Maos arritën ti çarmatosin e më pas nisën dhe ofensivën politike. Kjo do të thoshte të kumtoje pa reshtur politikën e Partisë Komuniste, duke bërë thirrje për “ata që ishin mashtruar” të zgjoheshin dhe denonconin keqbërësit ndaj shefit të tyre. Ushtarët e çarmatosur i kërkuan ndjesë në lot kryetarit Mao, - tha Oancia, korrespondenti i “Toronto Globe dhe Mail” në Pekin. Ai citonte gazetën e Ushtrisë “Liberation Army”. Shembulli i Harbinit ishte në linjë me paralajmërimet e parullave të reja në muret e Pekinit në emër të Komitetit Qendror të Partisë, se ushtria duhet të “kundërsulmojë” me armë “nëse” armët do të ngriheshin kundër ushtrisë. Ushtria, komanda e së cilës dhe simpatitë politike mendohet të jenë ndarë, u urdhërua nga gazeta kryesore e partisë që të pushtojë gjithashtu dhe burimet financiare të Kinës. Forcat e Maos kanë akuzuar opozitën se po ble mbështetjen popullore (dhe po shkatërron ekonominë) duke ndarë fondet e shtetit. Në provincën Kiangsi, ku është njoftuar “dhuna më e madhe” gjatë fundjavës së shkuar, elementët promaoistë lajmëruan se ata i kishin zëvendësuar autoritetet e partisë dhe qeverisë së provincës. Organet partiake të provincës kishin qenë bastione të opozitës kundër Maos.
Rezultati i paqartë
Duke ia atribuuar “incidentet e gjakderdhjes” ushtrisë “private” prej 200 mijë burrash të opozitës, radio Kiangsi, e kontrolluar nga Mao Ce Duni, tha se “shtabi i përgjithshëm revolucionar” tashmë kishte ardhur në fuqi. Megjithatë, shumë nga ata që drejtojnë janë, me sa duket, pjesë e opozitës dhe nuk është e qartë se kush po drejton. Radio Kiangsi tha se njerëzit që vazhdonin të kundërshtonin Maon dhe ministrin e tij të Mbrojtjes, Lin Biao, do të quheshin kundërrevolucionarë, dhe tha gjithashtu se armatosja e tyre me armë dhe municione ishte e ndaluar. Por mënyra e fitores maoiste nuk u bë e ditur. Zyrat qeveritare u morën dhe në provincën Kvangtung, Hupei dhe Anhvel, - sipas “rebelëve revolucionarë” të Maos. Dhe si në rastin e Kiangsit, për dhunën u bënë fajtorë vetëm armiqtë e tyre. Këta armiq në Kvangtung dhe Hupei (por dhe në Shansi) u akuzuan se kishin tentuar të ngrinin “mbretëritë e tyre të pavarura” që do ti hapnin rrugën vendosjes së kapitalizmit. Kjo ndjesi e kthimit të sundimit të vjetër të Kinës, do të thoshte copëtimin e pushtetit qendror të Maos nga opozita. Gjatë diskutimit për ndikimet revizioniste, Maoja u kujtoi miqve të delegacionit shqiptar që gjendeshin në Kinë se një pjesë e revolucionarëve është angazhuar në revolucionin demokratik. “Ata bashkëpunojnë gjatë periudhave të revolucionit demokratik dhe kanë rënë dakord që të rrëzojnë borgjezinë. Ata kanë rënë dakord tu jepet toka fshatarëve, por spranojnë lëvizjen kooperativiste. Shumë anëtarë të këtij grupi janë të ashtuquajturit “kuadrot e vjetra”, - citohet ti ketë thënë Mao ministrit shqiptar të Mbrojtjes, Beqir Balluku.
Njoftimet për shtypje
Disa ditë më parë, Radio Pekini në një transmetim të sajin tha se një kryengritje ishte shtypur më 13 janar në provincën Shansi, por dje ajo tha se një “derr i neveritshëm”, besnik i Liu Shao Çisë, që prej atëherë kishte futur 10 mijë burra në luftë. Liu, kreu i shtetit, akuzohet si kundërshtari kryesor i Maos. Deri në momentin kur Revolucioni Kulturor i Maos bëri 1 vjeç, ai nuk është dëgjuar të flasë për veten. Edhe pse është pohuar më parë se lejtnantët e Liut kanë marrë kontrollin e Partisë në Shansi, Radio Pekini tha ditën e djeshme se “gangsterë që vepronin si qenë të zënë ngushtë” refuzonin të dorëzoheshin. Gjatë konfliktit, thuhej në transmetim, “prodhimi ishte prekur dhe po ndodhnin aksidente tronditëse”. Sekretariati i partisë në Hopei, rajon i cili rrethon Pekinin, u fajësua për përplasje të tjera (fshatarët kundër maoistëve) gjatë të cilave janë plagosur dhe njerëz. Afishet në Pekin shkruanin për trazira të reja në Sinkiang. 10 mijë ish-ushtarë besnikë të Liut, kishin krijuar një “ushtri” në Shihotzu dhe “reaksionarët” në Urmuçi kishin mobilizuar 3 mijë punëtorë. Nga ana tjetër, ajo çka ndodhi në Pekin ditën e fundit reflektoi të gjithë kaosin e Revolucionit Kulturor. Ministri i hekurudhës, Lu Çeng Tsai, u pa të shtyhej në rrugë me një pankartë varur në qafë, shenja tashmë e zakonshme e poshtërimit të Rojeve të Kuqe ndaj reaksionarëve. Jo shumë kohë më parë, Çu En Lai u ankua se Rojet e Kuqe po keqtrajtonin një numër të madh njerëzish. Së fundmi ai humbi dhe ministrin e Hekurudhës. Gruaja e Maos u akuzua në një afishe, se kishte strehuar reaksionarë studentë dhe kishte refuzuar ti njihte “reaksionarët e reformuar”. Ajo është sot në krye të operacioneve të Revolucionit, i cili herë pas here duket se nuk e lë rehat. Një broshurë që pretendonte se fliste në emër të Komitetit Qendror të Partisë, e identifikoi Liu Shao Çinë dhe Ten Hsiao Pinin si kundërshtarë të Maos. Nëse do të ishte një broshurë e partisë, kjo do të ishte hera e parë që sulmoheshin zyrtarisht dy udhëheqësit, edhe pse ata janë akuzuar me emër më parë nga Rojet e Kuqe. Një tjetër poster thoshte se Tao Çu, 60 vjeç, kishte vdekur për shkak një ataku kardiak në spital. Tao ishte bërë shefi i propagandës së Revolucionit Kulturor verën e kaluar kur ai lulëzonte, por nuk i shpëtoi rrezes së fundit të zjarrit të Rojeve të Kuqe. Vetëm ditën e djeshme, ai u akuzua se ishte përpjekur të ndërtonte një “mbretëri të pavarur” në postin e tij të vjetër në jug të Kinës. “Revolucionit Kulturor po i vjen fundi”, - thoshte me krenari Radio Pekini.
Ky lajm është publikuar: 05/02/2010