Shqiptarët i thonë “jo” karrierës në ushtrinë serbe
Autori i Lajmit: A.D
Ndërsa ushtria serbe thotë se qytetarët janë të mirëpritur të aplikojnë për vendet e lira të punës në ushtri, politikanët shqiptarë në jug të Serbisë besojnë se bashkatdhetarët e tyre nuk kanë vend atje. Më herët në muajin janar, ministri serb i Mbrojtjes shpalli 2,920 vende të lira pune për ushtarë profesionistë dhe për civilë që shërbejnë në ushtri. Vendet e lira të punës janë në të gjithë vendin, por shumë prej këtyre posteve ushtarake janë për bazën në jug të vendit. Baza më e madhe dhe e re ushtarake në Ballkan, u hap në fund të vitit të shkuar afër Bujanovcit, një qytet me popullsi mikse afër kufirit me Maqedoninë dhe Kosovën. Edhe pse zyrtarët e ushtrisë serbe këmbëngulin se mirëpresin aplikime nga të gjithë qytetarët, pa asnjë dallim, jo vetëm serbët etnikë, por deri më tani asnjë shqiptar nga rajoni me popullsi mikse në jug nuk ka aplikuar. Serbia jugore është një nga rajonet më të varfra të Serbisë. Shifrat e papunësisë janë të larta mes komuniteteve që jetojnë në këtë rajon, veçanërisht mes shqiptarëve që jetojnë në qytete kufitare të Bujanocit, Preshevës. Sidoqoftë, pavarësisht ofertës së një mundësie të shkëlqyer për të fituar një jetesë të qëndrueshme, shqiptarët duken të painteresuar për këto vende pune. Zyrtarët e ushtrisë serbe thonë se ata nuk kanë asgjë kundër shqiptarëve që aplikojnë për vendet e lira të punës, duke thënë se më shumë se 200 shqiptarë nga jugu i Serbisë kishin punuar për ndërtimin e bazës. Por liderët politikë të Shqipërisë thonë se qytetarët e komunitetit të tyre nuk do të pranojnë të punojnë në ushtrinë serbe, pasi kujtimet e luftës me Serbinë nuk janë harruar ende. Baza mbulon një zonë sigurie prej 250 km2 në të cilën janë investuar 1 miliard e 700 milionë dinarë. Në të janë 66 objekte me një sipërfaqe prej 22 mijë m2, ku do të mund të vendosen 1000 ushtarë profesionistë. Komandanti i Brigadës së Katërt, gjenerali Miloslav Simovic, thotë se ai nuk e ka problem që shqiptarë aplikojnë për vendet e lira të punës në ushtri. “Unë personalisht kam marrëdhënie miqësore, si me serbët ashtu edhe me shqiptarët, dhe nuk do të kisha asgjë në kundërshtim, nëse shqiptarët aplikojnë për vendet e ushtarëve profesionistë në jug të Serbisë”, - tha ai. “Ka spekulime se popullsia shqiptare që jeton në atë rajon është kundër ushtrisë, diçka që nuk është e vërtetë”, - shtoi ai. “Diçka e tillë është një tablo e krijuar nga politikanët shqiptarë, pasi nuk reflekton sjelljen e vërtetë të qytetarëve shqiptarë ndaj ushtrisë”. Shefi i ushtrisë serbe, gjenerali Milivoj Miletiç, mbajti të njëjtën qëndrim gjatë një vizite në bazë më 8 janar. Ndërsa ai lajmëroi se prezantimi i vendeve të reja të punës është shenjë e profesionalizmit të plotë të ushtrisë serbe. Kur ai u pyet nëse oferta e vendeve të punës vlente dhe për shqiptarët, Miletiç tha se vendet vakante ishin “të hapura për të gjithë qytetarët pa asnjë kufizim”. Serbia e Jugut është ende duke marrë veten nga konflikti i armatosur mes forcave vendase të sigurisë dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, (nëntor 2000-maj 2001) dhe përfundoi me negocimin e komunitetit ndërkombëtar dhe NATO-s. Konflikti, një nga më të mëdhenjtë në territorin e ish-Jugosllavisë, u pasua nga një tjetër konflikt mes ushtrisë jugosllave dhe asaj shqiptare UÇK, e cila përfundoi me ndërhyrjen ushtarake të NATO-s. Sidoqoftë, gjenerali Simoviç thekson faktin se marrëdhëniet mes ushtrisë serbe dhe shqiptarëve në Jug të Serbisë janë më të mira. “Rreth 200 shqiptarë morën pjesë në ndërtimin e bazës së ushtrisë, çka do të thotë se shumë familje shqiptare ia dinë për faleminderit ushtrisë”, - tha ai. “Këta njerëz ishin të fortë dhe punëtorë të ndershëm”.
Ky lajm është publikuar: 05/02/2010