E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dënohet e veja e Arkanit, mike e ministrit të Brendshëm serb

Svetlana Razhnjatoviç (Ceca), e veja e komandantit serb, Arkan dhe këngëtare e njohur e muzikës popullore në Serbi, ka arritur një ujdi me Prokurorinë e Serbisë, pasi pranoi se ka përvetësuar në mënyrë të paligjshme para nga transferimi i lojtarëve të klubit të futbollit, Obiliq në klubet e huaja. Por dënimi ishte i butë për të, ajo do të kalojë vetëm tetë muajt e ardhshëm në arrest shtëpiak, plus katër muaj të kaluar në paraburgim. E njohur si ikona e luftërave të viteve 90″ në Serbi dhe e veja e komandantit të njësive paramilitare serbe, Zhelko Razhnjatoviç Arkan, ajo duhet të paguajë edhe një milion euro dënim. Marrëveshja përfshin edhe motrën e Razhnjatoviçit, e cila ka pranuar se ka ndihmuar në mashtrimet rreth transferimit të futbollistëve. Ajo është dënuar me gjashtë muaj burg shtëpiak. Aktakuza kundër Svetlana Razhnjatoviq është ngritur nga Prokuroria e Përgjithshme në Beograd në fund të muajit mars, pas një procesi hetimor, i cili zgjati mbi tetë vjet. Ajo dhe bashkëpunëtorët e saj akuzoheshin se kishin vjedhur rreth katër milionë marka gjermane dhe më shumë se tre milionë dollarë. Në prill të vitit 2003, ajo u arrestua për posedim ilegal të armëve. Në vilën ku ajo jetonte, u gjetën shumë armë zjarri. Paralelisht me ngritjen e aktakuzës, Prokuroria kërkoi fillimin e hetimeve financiare për të zbuluar se çfarë pasurie posedon Razhnjatoviç. Në se ujdia pranohet edhe nga Gjykata e Lartë në Beograd, atëherë ajo nuk do të pyetet për origjinën e pasurisë së saj. Ceca është mike me ministrin serb të Punëve të Brendshme, Ivica Daçiç.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›