E Diel, 1 Nëntor 2026

"Maqedonasit" e vërtetë të Maqedonisë

Nëse ka një argument që mund të mbrojë në mënyrë të pakundërshtueshme pretendimin e Maqedonisë për emrin e saj, përballë kundërshtimit të grekëve, është ekzistenca e shqiptarëve në Maqedoni. Ripërtëritja e Mbretërisë së Maqedonisë nga Aleksandri i Madh, pas humbjeve të njëpasnjëshme në luftërat me Romën, solli zgjerimin e mbretërisë tej Ballkanit në lindje është një nga pikat më të mira të informacionit në mbrojtje të tezës për emrin e Maqedonisë. Në atë kohë, Maqedonia, si shumica e mbretërive nuk kishin një karakter etnik dhe popullsia përbëhej nga një numër i madh popujsh që shpesh migronin apo silleshin me forcë si skllevër. Ndër etnitë dominuese të Maqedonisë ishin helenët dhe ilirët. Aq të ngushta ishin marrëdhëniet midis dy popujve saqë shumica e martesave mbretërore bëheshin mes dy popujve për të ngritur aleanca ushtarake dhe diplomatike. Si shembull tipik mund të merret gruaja e Filipit dhe nëna e Aleksandrit, mbretëresha Olimpia, e cila ishte ilire nga Epiri. Aleksandri i Madh ishte kushëri i dytë nga nëna me Pirron e Epirit dhe brenda oborreve mbretërore këto lidhje ishin normalitet.

Këto lidhje pra nuk ishin një gjë e rastësishme, por një traditë që vazhdonte prej shekujsh, që në lindjen e Mbretërisë së Maqedonisë, në shekullin VIII para Krishtit.

Me pak fjalë, elita sunduese e Maqedonisë nuk ishin grekë, të paktën jo plotësisht. Ky tipar i mbretëruesve dallohet edhe sot në familjet mbretërore europiane, ku të gjithë janë kushërinj. Kjo ndërthurje shtrihej dhe poshtë, në komandën ushtarake, forcat e ushtrive dhe populli vetë.

Këto janë fakte të pamohueshme dhe të pranuara botërisht tashmë.

Në këtë këndvështrim, tentativat e politikës së sotme Maqedonase për të minimizuar rolin e shqiptarëve brenda shtetit dhe nxjerrjen e tyre si "emigrantë", janë jo vetëm qesharake, por dhe penguese në procesin e njohjes së emrit.

Nëse akademikët maqedonas duan të jenë bindës në argumentet e tyre, nuk mund të pretendojnë se bullgarët e vendosur në Mesjetë në territorin e Maqedonisë së lashtë, janë pasardhës të maqedonasve antikë dhe të Aleksandrit të Madh.

Të vetmit që mund të pretendojnë këtë trashëgimi qytetarie dhe gjaku me Maqedoninë antike prej 2500 vjetësh janë shqiptarët, pasardhësit e vetëm të ilirëve.

Nëse politika e sotme maqedonase do të zgjohet nga gjumi letargjik, ku e ka vënë një nacionalizëm i pasens, do ta ketë më të lehtë rrugën drejt njohjes së emrit Maqedoni, NATO-s dhe Bashkimit Europian.

Kjo kërkon pranimin e shqiptarëve si vëllezërit më të vjetër në moshë brenda shtetit maqedonas dhe atribuimin ndaj tyre të trashëgimisë toponimike të Maqedonisë, ndryshimin e një mentaliteti trashanik dhe hapjen e horizonteve të reja për bashkëjetesën etnike.

Hapi i parë për këtë revolucion intelektual brenda vendit do të ishte rishkrimi tërësor i historisë së Maqedonisë me parimin "jepini Çezarit atë që është e Çezarit".

Kështu, në faqen e parë të Enciklopedisë së Maqedonisë duhet të shkruhet: "2700 vjet më parë, në krijimin e Mbretërisë së Maqedonisë, në trevat tona jetonin dy popuj, helenët dhe ilirët. Në shekullin e 6 territori u popullua dhe nga sllavët, me shumicë bullgare. Nga kjo kohë territori i Maqedonisë së sotme ka parë bashkëjetesën mes shumë etnive, ku shumicën e përbëjnë sllavët dhe shqiptarët".

Nga këto dy fjali varet e ardhmja europiane e Maqedonisë dhe integriteti i saj territorial.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›