Rritje arkëtimi nga taksat doganore
Qeveria çudit sërish me shifrat e saj rreth ecurisë ekonomike të vendit. Kësaj here ndodh me taksat doganore që aplikohen me vendet e Bashkimit Europian, CEFTA-n dhe Turqinë. Kur pritej rënie e tyre për shkak të reduktimit të taksës, Ministria e Financës raporton për rritje të të ardhurave. Në katër vitet e fundit taksat doganore me vendet që aplikohet marrëveshja e tregtisë së lirë janë reduktuar mesatarisht 10 për qind, duke sjellë rënie të ardhurash. Edhe në 2009 pritej i njëjti efekt, por ndodhi e kundërta. Për këtë vit, parashikohen të mblidhen nga taksa doganore rreth 7.8 miliardë lekë. Nga rishikimi i buxhetit për 2009, të ardhurat nga kjo taksë rezultojnë me një rritje prej rreth 1.7 miliardë lekë më shumë se buxheti fillestar për vitin 2009. "Edhe këtë vit do të vazhdojë zbatimi i tarifave preferenciale dhe reduktimet që rrjedhin nga marrëveshjet e tregtisë së lirë me vendet e rajonit (CEFTA), me Turqinë dhe me vendet e Bashkimit Europian", thotë Ministria e Financave, e cila nuk jep sqarime nga se do të vijë rritja e të ardhurave, kur planifikohet ulja e taksës. Konfuzioni bëhet më i madh kur raporti vijon me, "efektet negative të reduktimit të tarifave do të kompensohen në njëfarë mase me rritjen e volumit të importeve nga këto vende". Pra, ministria parashikon rritje të ardhurash nga ulja e taksës doganore, por njëherësh pranon se priten efekte negative. Për statistikë mësohet se në 7 muajt e parë të vitit, të ardhurat nga taksat doganore janë rreth 4.2 miliardë lekë nga 3.4 miliardë të planifikuara ose rreth 22.1 për qind më shumë.