Sarandë, banorët: Djegim komunën nëse miratohet leja e gurores
Përpara zyrave të Komunës së Mesopotamit janë grumbulluar paraditen e djeshme banorë nga fshatrat Livinë e Velahovë. Radhëve të tyre u ishin shtuar edhe mjaft emigrantë, të ardhur enkas nga Greqia, për të protestuar së bashku me banorët e përhershëm të këtyre dy fshatrave kundër hapjes së gurores nga një firmë private, në hapësirën midis Livinës dhe Velahovës. Protestuesit thanë se i janë drejtuar Kryeministrit Berisha me anë të një letre për këtë që po ndodh dhe që ata e quajnë katastrofike për fshatin e tyre, i cili edhe pa këtë gurore është i kërcënuar nga rrëshqitjet, për shkak të terrenit. Dështimi i provokuar dy ditë më parë i mbledhjes së këshillit të komunës, që do të diskutonte për lejen e gurores, ka shtuar revoltën në masën e fshatarëve, të cilët thanë se janë të vendosur t‘u vënë flakën zyrave të komunës, nëse edhe pushteti vendor do të vendosë për guroren, e konsideruar shkatërruese e shtëpive dhe jetëve të tyre. Në mbështetje të kërkesës së banorëve për të bllokuar hapjen e gurores, kanë qenë ditën e djeshme edhe deputeti Vangjel Dule, njëherësh kryetar i PBDNJ-së dhe Vasil Bollano, kreu i organizatës OMONIA dhe kryebashkiak i Himarës. Ata kanë shprehur në gjuhën greke para banorëve protestues mbështetjen e tyre në pengim të investimit, me argumentin se ai nuk është miqësor me mjedisin dhe se zhvillimin e biznesit e kërkojnë të bëhet në harmonizim me interesat publike dhe të komunitetit. I moshuari, Petro Katrani, thotë me shqetësim se disa ndërtesa të reja janë bërë të pabanueshme, për shkak të rrëshqitjes tektonike që ndodhin në Livinë. Por kryetari i komunës, Themistokli Kaishi, mohon të ketë miratuar guroren, ndryshe nga sa pretendojnë një pjesë e banorëve, që ishin dyshues në këtë "ortakëri" të kryekomunarit me investitorët. Dhimitër Papajani, një nga bashkëpronarët e firmës private, shpjegoi se janë bërë të gjithë hapat dhe janë ndjekur tërë procedurat ligjore, që edhe gurorja të ketë vlefshmëri ligjore. Ai tregoi se sipërmarrja e tyre për guroren ka miratimin e tërë hallkave që kërkon ligji shqiptar, duke nisur nga fshati Livinë, nga kryetari i fshatit dhe 6 anëtarë të kryesisë dhe anëtarë të këshillit të komunës, në inspektoratet e ndryshme të mjedisit etj., ato të komunës së Mesopotamit e deri në Ministrinë e Mjedisit, nga ish-ministri Xhuveli.
Th.Nika
Th.Nika